I Buti (El-Latijf)

Prej emrave të bukur të Allahut është: I Buti (El-Latijf)

I Buti është Ai që sillet butë ndaj robërve të Tij dhe është bamirës ndaj tyre. Dëshira e Tij tek krijesat realizohet me butësi.

Prej butësisë së Allahut është se Ai nuk i ka lënë robërit e tij që t’i mashtrojë shejtani, mirëpo u dërgoi pejgamberë për t’i përudhur ata në rrugën e së mirës dhe udhëzimit dhe ua zbriti ligjet, me të cilat udhëzohen në jetën e tyre.

Gjithashtu, prej butësisë së Allahut ndaj robërve të Tij është se Ai mori përsipër përkujdesjen ndaj tyre dhe furnizimin e tyre. Ndërsa, puna e vetme që duhet të bëjnë ata është t’i mbështeten Allahut pasi t’i kenë marrë shkaqet. Prandaj, muslimani duhet të jetë i butë ndaj njerëzve në fjalët dhe veprat e tij.

Në vijim po sjellim një tregim që ka të bëjë me butësinë dhe bujarinë e Allahut:

Butësia e Allahut ndaj robërve të Tij

Hatim El-Esami donte të nisej për haxh, porse bashkëshortja e tij përpiqej ta ndalonte, meqë nuk kishte kush të kujdesej për të dhe fëmijët e saj gjatë mungesës së tij. Mirëpo, bija e tij e madhe i tha atij me plot bindje e besim: “Shko o baba, sepse Allahu është i butë ndaj nesh dhe nuk na humbet.”

Atëherë, Hatimi shkoi për në haxh, mirëpo pas disa ditësh fëmijëve të tij iu harxhua ushqimi që kishin. Me atë rast, fëmijët filluan ta qortonin motrën e tyre të madhe, ndërsa ajo qëndronte në heshtje dhe luste Allahun me përulësi.

Papritmas u dëgjua një trokitje në derë. Motra e madhe doli ta hapte derën. Kur, ja, disa kalorës të prijësit[1], të cilët kishin dalë për gjueti, qëndronin para derës së saj. Njëri prej tyre kërkoi prej saj një gotë ujë për prijësin.

Pasi piu ujë prijësi nxori ca monedha floriri, që i kishte pasur me vete dhe i hodhi në gotë. Pastaj, u kthye kah kalorësit e tij dhe u tha atyre: “Ai që më do mua, le të veprojë si unë.” Atëherë, të gjithë nxorën paratë e tyre që i kishin me vete dhe i vunë në gotë derisa u mbush gota përplot para.

Atëherë, vajza filloi ta shikonte gotën dhe qante. Ndërsa, vëllezërit dhe motrat e saj shikonin me gëzim të madh gotën e mbushur përplot me para.

Në atë çast, nëna e pyeti vajzën: “Përse qan moj bija ime, kur Allahu na furnizoi me tërë këtë pasuri?!”

Vajza iu përgjigj duke kapërdirë lotët: “Ky që na furnizoi me tërë këtë pasuri ishte vetëm një rob bujar i Allahut[2]. Atëherë, a thua vallë, sa e madhe është bujaria e Allahut ndaj nesh?!!”

 

Përktheu: Jusuf KASTRATI


[1] Prijësi është udhëheqësi i një populli apo ushtrie etj.

[2] Ka për qëllim prijësin.