Berberi që nuk e besonte Zotin

Njëherë një besimtar kishte shkuar te berberi për t’i prerë flokët. Gjatë tërë kohës sa qëndroi aty bisedonte me berberin. Biseduan për gjëra dhe tema të ndryshme, ndër to biseduan edhe për Zotin.

Berberi tha: “Shiko o njeri, unë nuk besoj se Zoti ekziston, siç thua ti.”

“Pse thua kështu?”, – e pyeti besimtari.

“Po kjo është shumë e thjeshtë, vetëm duhet të dalësh në rrugë dhe e kupton se Zoti nuk ekziston. Më thuaj po të ekzistonte Zoti a do të kishte kaq të sëmurë? A do të kishte fëmijë të braktisur? Po të ekzistonte Zoti nuk do të kishte vuajtje dhe dhimbje. Unë nuk mund ta paramendoj Zotin i cili i lejon këto gjëra.”, – ia ktheu berberi.

Besimtari  heshti për një kohë duke u menduar. Ishte i bindur në ekzistimin e Zotit, por dëshironte të gjente ndonjë metodë të fortë për t’iu përgjigjur berberit.

Berberi kreu punën e tij dhe besimtari doli nga lokali. Me të dalë në rrugë e pa një njeri i cili kishte flokë të gjatë, ishte i palarë, i pakrehur dhe dukej shumë keq.

Besimtari u kthye sërish te berberi dhe i tha atij: “E di çka, berberët nuk ekzistojnë!”

“Si nuk ekzistojnë?”, – pyeti  berberi.

“Jo!”, – ngriti zërin besimtari. “Ata nuk ekzistojnë, se po të ekzistonin nuk do të kishte njerëz sikurse ai atje në rrugë!”

“Ah, berberët ekzistojnë vetëm se njerëzit nuk vijnë tek ne.”

“Ashtu është!”,  – tha besimtari.

“Kjo pra, është esenca, Zoti ekziston, porse njerëzit nuk e besojnë Atë, nuk  i  falen dhe luten Atij dhe për këtë arsye ka plot parregullsi në tokë!”

 

Përktheu: Arsim SYLA - Shembulli.com