Ajet Kuranor:
Allahu i Madhërishëm thotë:
Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” [Kuran 17:23,24]
Hadith
Një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe kërkoi leje prej tij për të shkuar në xhihad, ndërsa i Dërguari i tha atij: “I ke prindërit gjallë?”
“Po.” – u përgjigj njeriu.
Atëherë, i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, tha: “Me ta bëj xhihad (jepe mundin tënd në mirësjellje ndaj tyre).”
Gjurmë:
Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, pa një njeri që bënte tavaf rreth Qabesë, duke e mbajtur nënën e tij në shpinë. Ky njeri e pyeti atë: “O Ibën Omer, a mendon se ia kam dhënë hakun?” Ibën Omeri ia ktheu: “Jo, madje as edhe për një nga dhembjet e lindjes, mirëpo ke bërë punë të mirë, e Allahu shpërblen edhe për punë të vogla.”
Shkëndijë:
Kush bën mirë gjen mirë! Ashtu si sillesh ndaj prindërve, do të sillen ndaj teje fëmijët tu. Shpërblimet janë sipas veprave.
Shkëputur nga libri: “Jeumijat saimeh” (Hakibetu saimat) – të autorëve dr. Adil Esh-Shiddi dhe dr. Ahmed El-Mezjed
Përktheu: Jusuf H. Kastrati – Shembulli.com