Israja dhe Miraxhi një ngjarje e madhe, por jo edhe natë e madhe!

Aishja -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “Kur hynte dhjetë ditshi i fundit i Ramazanit, Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shtrëngonte izarin, falte namaz gjithë natën dhe për këtë zgjonte edhe pjesëtarët e familjes”.

Ne besojmë se nëna e besimtarëve nuk e ka fshehur dijen që ka pasur rreth veprave që ka bërë Muhamedi alejhi selam gjatë jetës së tij. Pra, nëse ajo na ka treguar se si ka qenë adhurimi i Muhamedit alejhi selam në dhjetë ditshin e fundit të Ramazanit, gjithsesi do të na tregonte se si ka qenë edhe adhurimi i të dërguarit tonë në natën e “Israsë dhe Miraxhit” etj, dhe për këtë nuk kemi asnjë dyshim. Përderisa nuk ka ardhur asnjë hadith se i dërguari i Allahut e ka veçuar këtë natë me ndonjë vepër prej veprave me të cilat afrohemi tek Allahu, atëherë pse ne të bëjmë diçka që nuk ka vepruar i dërguari ynë, si: agjërim, manifestim, ndezje të qirinjve, zierje të hallvës, tubim i lexuesve të Kuranit, përzierje e meshkujve dhe femrave, etj.

A thua ne jemi më të ditur për fenë e Allahut apo ai që Allahu e ka dërguar tek njerëzit për t’ia sqaruar dhe mësuar fenë e Tij?!

A do t’i bëjmë ne festë ngjarjet për të cilat ata që ishin para nesh (sahabët, tabiinët, etj) nuk i veçonin me adhurime specifike, duke qenë se në mesin e tyre ishte i zgjedhuri i njerëzimit, Muhamedi salaAllahu alejhi ue selem?

Kush ua mësoi atyre fikhun, usulin, sunetin që ata të mos e konsiderojnë natë të madhe, ngjarjen e Israsë dhe Miraxhit?

A nuk jemi ne pasues të mësuesit të tyre, të dërguarit të Allahut?

Le të na mjaftojë ajo me të cilën ka ardhur Muhamedi alejhi selam dhe të mos shpikim asgjë në këtë fe të pastër dhe të ruajtur nga Allahu. Isranë dhe Miraxhin nuk e kane festuar shokët e Muhamedit alejhi selam , tabi’inet e as dijetarët e parë të ndershëm, edhe pse ata ishin që kujdeseshin për punët e mira më shumë se sa ne. A nuk të mjaftojnë këto ajete dhe hadithe:

1) Allahu ka thënë: ”Sot ua kam përsosur fenë tuaj dhe e kam plotësuar dhuntinë time ndaj jush, dhe jam i kënaqur që feja Islame të jete feja juaj”. (Maide 3)

2) Allahu ka thënë: ”O besimtarë, nënshtrojuni Allahut dhe nënshtrojuni të dërguarit …”. (Nisa 59 )

3) Allahu ka thënë:” Thuaj: ”Nëse e doni Allahun, pasomëni mua…”. (Ali Imran: 31) . O ti që pretendon se e do Allahun, nëse vërtetë e do Atë, paso të dërguarin e Tij, Muhamedin alejhi selam dhe kjo të mjafton, e mos ji viktimë e atyre që shpikën në fenë e Allahut pa të drejtë, duke u shtirur se ata e duan dhe e madhërojnë me këtë Allahun, e ska dyshim se madhërimi i Allahut bëhet duke iu përmbajtur rrugës së Muhamedit alejhi selam.

4) Allahu ka thëne:” Lë te ruhen ata atë cilët veprojnë në kundërshtim me urdhrin e Tij, mos t’i godasë ndonjë ngatërresë apo mos t’i godasë ndonjë dënim i dhimbshëm”. (Nur: 63)

Muhamedi alejhi selam ka thënë: ”Kush shpikë në fenë tonë diçka që nuk është prej saj, ajo vepër është e refuzuar”. (Buhariu dhe Muslimi)

Muhamedi alejhi selam ka thënë: ”Fjalët më të mira janë fjalët e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit alejhi selam. Punët më të këqija janë shpikjet në fe dhe çdo shpikje është bidat (risi), çdo bidat është humbje dhe çdo humbje të çon në zjarr”. Transmeton Muslimi.

Siç edhe e dimë në këtë ngjarje, pra natën e Israsë dhe Miraxhit, Allahu e ngriti robin e Tij, Muhamedin alejhi selam, në një pjesë të natës për t’ia kumtuar obligimin që nuk kontestohet në fenë tonë, shtyllën e kësaj feje, pra faljen e pesë kohëve të namazit. Andaj, ai/ajo që akoma i mungon kjo shtyllë, si pretendon të ngritet tek Allahu me adhurime specifike në kohë e momente të paargumentuara me Kuran dhe Sunnet?

Përgatiti: Hoxhë Valdet Kamberi