Kur detyrohemi të bëjmë gusël?
Është detyrë të bëjmë gusël në këto raste:
1. Kur del sperma vrullshëm, me epsh përmes marrëdhënieve intime, përkëdheljes a përfytyrimit.
2. Kur ndodh ejakulimi në gjumë, gjegjësisht dalja e spermës nga i fjeturi, pa marrë parasysh a e ka vërejtur ai këtë gjë apo jo.
- Nëse ndokush sheh ndonjë ëndërr, mirëpo kur zgjohet nuk gjen gjurmë të spermës nuk detyrohet të bëjë gusël.
3. Kur bashkohen organet gjenitale. Me këtë nënkuptohet futja e kokës së organit të mashkullit në organin e femrës.
4. Kur ndërpritet gjaku i të përmuajshmeve.
5. Kur ndërpritet gjaku i lehonisë.
Kur është sunet të bëjmë gusël?
Është sunet të bëjmë gusël për gjërat në vijim:
- Për namaz të xhumasë.
- Për namaz të bajramit.
- Për ihram të haxhit a të umres.
Gjërat që i ndalohen atij që është me hadeth[1] të madh (papastërti kuptimore të madhe):
- Namazi i detyrueshëm a vullnetar, duke përfshirë edhe namazin e xhenazes.
- Tavafi rreth Qabesë.
- Prekja e Mus’hafit me dorë, pa ndonjë pengesë.
- Qëndrimi në xhami. Ndërsa, kalimi nëpër xhami për ndonjë nevojë, si p.sh. për të marrë a për të lënë ndonjë send nuk është i ndaluar.
- Leximi i Kuranit Fisnik. Nga kjo rregull përjashtohen: gruaja me të përmuajshme dhe lehona, meqë sipas mendimit më të saktë të dijetarëve atyre u lejohet të lexojnë Kuran pa e prekur Mus’hafin.
Normat e guslit
- Nëse një njeri është me hadeth të madh (papastërti të madhe), por harron dhe i fal në atë gjendje disa namaze, ky njeri detyrohet të bëjë gusël posa t’i kujtohet dhe t’i përsërisë të gjitha ato namaze pa i vonuar dhe sipas renditjes.
- Ai që gjen gjurmë të spermës në rrobat e tija detyrohet të bëjë gusël dhe t’i përsërisë menjëherë dhe sipas renditjes namazet që i ka falur pas fjetjes së tij të fundit, pa marrë parasysh a i kujtohet se ka ejakuluar a jo.
- Ai që është me hadeth të madh dhe bën gusël, ai gusël i mjafton edhe për abdes. Por, ai i cili bën gusël që është sunet, siç është gusli për namaz të xhumasë a për ihram, ose bën gusël mubah (të lejuar), ai gusël nuk i mjafton për abdes.
- Nëse ndokujt i del medhji[2] ai nuk detyrohet të bëjë gusël, por duhet ta lagë kokën e organit gjenital me ujë dhe t’i lagë me ujë edhe rrobat (pjesën që e ka prekur medhji). Mirëpo, sunet është të lahet i tërë organi, duke përfshirë edhe herdhet. Dalja e medhjit e prish abdesin.
Marrë nga libri "Et-tuhfe el-islamijje li talibi'l-hidaje er-rabbanijje" të autorëve Ibrahim El-Ued'an, Muhammed El-Ued'an dhe Abdurrahman El-Ued'an
Përktheu: Jusuf Kastrati
[1] Hadeth i madh quhet papastërtia kuptimore për të cilën jemi të detyruar të bëjmë gusël, ku hyjnë: xhunubllëku, lehonia dhe të përmuajshmet, kurse hadeth i vogël quhet papastërtia për të cilën jemi të detyruar të marrim abdes. Shënim i përkthyesit.
[2] Medhj quhet lëngu që del pa vrull nga organi gjenital i mashkullit për shkak të epshit. Shënim i përkthyesit.