Muhadithi, eksperti i dorëshkrimeve islame, Shejh Shuajb Muharrem Alushi, Arnauti Shqiptari, lindi në Damask në 1928/1346 h. nga prindër shqiptar me origjinë nga Shkodra.
Që në vegjëli shejh Shuajbi u rrit me edukatë të mirëfilltë fetare, ku ai mësoi parimet islame dhe memorizoi shumë pjesë nga Kurani fisnik. Qe pikërisht ndoshta dëshira e sinqertë e tij për të kuptuar dhe perceptuar sa më mirë librin e Allahut dhe të fshehtat e tij ajo që e shtyri shejhun që në fillimet e arsimit të tij t’i kushtonte rëndësi studimit të gjuhës arabe. Përmbi dhjetë vjet ai ndoqi rregullisht mësime për gjuhën arabe, për sintaksën, morfologjinë, letërsinë dhe retorikën e saj, sipas metodës tradicionale të kohës nëpër tubimet e ndryshme të xhamive të Damaskut.
Shejhu mori mësim nga disa prej dijetarëve të shquar të kohës dhe vendit ku jetoi si Salih el-Ferfur, Arif ed-Duxhi, të cilët kishin qenë nxënës të dijetarit të madh të Shamit të kohës Shejh Bedrudin el-Haseni.
Një nga dijetarët e kohës ku ai mori mësim qe edhe shejh Sulejman Gavoçi, i ati i shejh Vehbi Gavoçit, si dhe dijetar të tjerë të kohës. Pas mësimit të gjuhës arabe shejh Shuajbi u dha pas mësimit të fikhut islam dhe në veçanti fikhut hanefi, studim ky që zgjati rreth shtatë vjet, por pa lënë mënjanë këtu edhe studimin e usulit, tefsirit, mustalahut dhe librave të etikës islame, deri në moshën tridhjetë vjeçare.
Gjatë kësaj kohe shejhu vuri re se gjatë mësimeve që ai merrte në fikh haste në mangësi në klasifikimin e haditheve autentike nga to që nuk ishin të tilla, kështu që ai e pa të arsyeshme të specializohej në fushën e hadithit për t’i shërbyer Sunetit të Profetit, për të verifikuar hadithet e shumta që mbushin librat e trashëgimisë islame.
Kështu që nga viti 1958 ai filloi të punojë në seksionin e verifikimit dhe saktësimit të dorëshkrimeve islame pranë shtëpisë botuese “Mektebul Islami” ku ai drejtoi këtë seksion për njëzet vjet. Gjatë kësaj periudhe ai punoi drejtpërdrejtë ose mbikëqyri verifikimin dhe botimin e më se shtatëdhjetë volumeve nga trashëgimia e kulturës islame në disiplina të ndryshme.
Pas kësaj ai mori përsipër po njëjtën detyrë pranë fondacionit “Risale” me qendër në Aman të Jordanisë ku punoi që nga viti 1982 derisa ndërroi jetë. Kjo ishte dhe periudha më e begatshme e kontributit të tij në drejtim të botimit dhe daljes në dritë të trashëgimisë kulturore islame dhe arabe.
Disa nga veprat që ai verifikoi dhe nxori në botim qenë:
- Sherh es-Suneh, el-Bagui, 16 volume
- Reudatu et-Talibin, en-Nevevi, në bashkëpunim me shejh Abdulkadir Arnauti, 12 volume.
- Muhedheb el-Egani, Ibn Mendhur, 12 volume.
- el-Mubdi fi sherh el-Mukni, Ibn Muflih el-Hanbeli, 10 volume.
- Zaul mesir dil ilmul tefsir, Ibn el-xheuzi, në bashkëpunim me shejh Abdulkadir Arnauti, 9 volume.
- Sijer Alam en-Nubela, Dhehebi, 25 volume.
- Sunen Tirmidhi, 16 volume.
- Sunen Nesai, 12 volume.
- Sunen Darekutni, 5 volume.
- Musned imam Ahmed ibn Hanbel, 50 volume.
- Tarih el-Islami, Dhehebi, në bashkëpunim me Beshar Auad, etj...
Shejh Shuajbi ndërroi jetë ditën e enjte me datë 27/10/2016 në moshën 88 vjeçare, duke mbartur mbi supe një kontribut të vyer si rrallë kush, të cilin lusim Allahun ta gjejë si shpërblim tek Ai.
Lusim Allahun e madhërishëm ta mëshirojë, falë, nderojë dhe ta shpërblejë me Xhenet këtë dijetar të nderuar, që me punën e tij nderoi veten, shqiptarët si komb dhe i shërbeu dijes dhe kulturës islame. Amin!
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë