Ndalohet agjërimi i ditës së Bajramit.
Prej suneteve të të Dërguarit është madhërimi i Allahut (duke thënë Allahu ekber, etj.), dhe kjo gjë fillon nga perëndimi i diellit natën e Bajramit dhe vazhdon deri në namazin e Bajramit.
Madje, pëlqehet që burrat ta ngrehin zërin duke madhëruar Allahun në xhami, tregje, rrugë apo në shtëpi, për ta falënderuar Allahun e Lartësuar dhe për ta shfaqur gëzimin.
Nuk ka të keqe nëse besimtarët ua urojnë njëri-tjetrit Bajramin, ngase një gjë e tillë numërohet prej vetive të mira morale.
Prej punëve të pëlqyera gjatë Bajramit janë bujaria e shtuar ndaj familjes, ngjitja e lidhjeve farefisnore dhe vizitimi i familjarëve dhe shokëve.
Duhet të mos e lëmë pa e falur namazin e Bajramit.
Prej sunetit është ngrënia para namazit të Bajramit dhe dalja e vajzave dhe grave për ta përjetuar Bajramin bashkë me muslimanët tjerë.
Po ashtu, prej sunetit është që njeriu të shkojë në këmbë për ta falur namazin dhe ta ndërrojë rrugën nga e cila ka shkuar.
Nuk ka namaz vullnetar para apo pas namazit të Bajramit.
Namazi i Bajramit përbëhet nga dy rekate. Në rekatin e parë merren shtatë tekbire, përveç tekbirit fillestar, ndërsa në të dytin merren pesë tekbire, pos tekbirit të ngritjes. Pas kryerjes së namazit të Bajramit, imami ngrihet dhe i mban dy hutbe (ligjërata), duke u ulur ndërmjet tyre sikurse në ligjëratat e xhumasë.
Pëlqehet që namazi i Bajramit të falet jashtë qytetit (p.sh. në ndonjë fushë të gjerë sh.p.) dhe të mos falet në xhami, ngase kështu vepronte i Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.
Shkëputur nga: “Kejfe tesumine Ramadan” (Hakibetu saimatin) – të autorëve dr. Ahmed El-Mezjed dhe dr. Adil Esh-Shiddi.
Përktheu: Jusuf H. Kastrati – Shembulli.com