Zekati i fitrit

Përkufizimi: Zekati i fitrit është lëmosha e cila jepet në fund të Ramazanit, gjegjësisht natën ose ditën e Bajramit, para namazit të Bajramit.

Dispozita e tij: Është detyrë të jepet për çdo musliman, qoftë i vogël apo i madh, mashkull apo femër, rob apo i lirë. Muslimani duhet ta japë atë për veten e tij dhe për ata që i ka nën përkujdesje, siç janë gratë dhe fëmijët, mirëpo nëse ata kanë mundësi ta japin atë për veten e tyre, atëherë është më mirë që ata ta bëjnë një gjë të tillë.

Porse, nuk obligohemi ta nxjerrim atë për fëmijën që gjendet në barkun e nënës.

Gjithashtu, nuk detyrohet ta japë atë lëmoshë, përveç atij që i tepron ushqimi për natën dhe ditën e Bajramit.

Urtësia e dhënies së kësaj lëmoshe: Urtësinë e saj na shpjegon Ibën Abbasi, i cili thotë: “I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, e bëri obligim zekatin e fitrit që të jetë pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota e të këqija dhe ushqim për të varfrit.”[1]

Prej urtësive të saj, është gjithashtu falënderimi i Allahut për begatitë që ua dha agjëruesve, duke ua mundësuar atyre ta plotësojnë agjërimin, namazin dhe i bëri që të mos kenë nevojë për njerëzit.

Në të, po ashtu, gjendet përhapja e dashurisë dhe dhembshurisë në mesin e shoqërisë.

Lloji: Zekati i fitrit duhet të jepet nga llojet e ushqimeve që i konsumojnë njerëzit, siç janë orizi, gruri, misri hurmat apo rrushi i thatë, porse më së miri është të jepet ai lloj i ushqimit që është më i mirë dhe më i dobishëm për të varfrit.

Sasia: Zekati i fitrit duhet të jepet një sa’ë, (sasi matëse, që është e barabartë me katër grushte të të dyja duarve të bashkuara me ushqim), që i bie përafërsisht dy kilogramë e gjysmë[2], por për të qenë më të sigurt është mirë t’i japim tre kilogramë.

Koha e dhënies: Nxjerrja e zekatit të fitrit detyrohet të bëhet menjëherë pas perëndimit të diellit, natën e Bajramit, mirëpo më së miri është që kjo gjë të bëhet në mëngjes, para namazit të Bajramit, dhe nuk lejohet assesi të vonohet, përveçse me ndonjë arsye të pranueshme. Lejohet të bëhet nxjerrja e zekatit të fitrit një ditë apo dy para Bajramit.

Kujt i jepet zekati i fitrit: Zekati i fitrit jepet në vendin në të cilin gjendet personi që e jep atë, duke marrë parasysh se në atë vend ka njerëz të varfër. Ndërsa, njerëzit, të cilëve duhet t’u jepen fitrat janë ata njerëz që gëzojnë të drejtën e marrjes së zekatit.[3]

 


Shkëputur nga: “Kejfe tesumine Ramadan” (Hakibetu saimatin) – të autorëve dr. Ahmed El-Mezjed dhe dr. Adil Esh-Shiddi.

Përktheu: Jusuf H. Kastrati – Shembulli.com



[1] Hadithin e ka transmetuar Ebu Davudi, ndërsa Albani e cilësoi si hadith “hasen” (të mirë).

[2] Kjo nuk do të thotë se sa’u mund të zëvendësohet me kilogramë, sepse pesha e sa’ut dallon varësisht se çka masim me të, pasi që disa ushqime janë më të rënda se tjerat, por autori ka sjellë këtë shembull për të na lehtësuar kuptimin e sa’ut, meqë shumica e ushqimeve që maten me sa’ë, zakonisht nuk janë më të rënda se dy kilogramë e gjysmë. Sh.p.

[3] Njerëzit që e gëzojnë të drejtën e marrjes së zekatit janë ata që i përmendi Allahu në ajetin e 60-të të sures teube, ku thotë: Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.Sh.p.