Kaderi (caktimi i Allahut)

Kuptimi i kaderit

Kaderi është dija e Allahut të Lartësuar lidhur me të gjitha krijesat para krijimit të tyre. Ai krijoi të gjitha krijesat me vullnetin dhe fuqinë e Tij në pajtim me dijen e Tij. Besimi në kader përmban dy kushte:

Kushti i parë: Të besosh se Allahu i Lartmadhërishëm para se t'i krijonte robërit e dinte se çfarë veprash do t'i

bëjnë ata, qofshin të mira apo të këqija dhe këtë e shkroi tek Ai.

Kushti i dytë: Të besosh se Allahu ka krijuar të gjitha veprat e robërve me vullnetin e Tij.

Është vërtetuar në Kuran dhe në sunnet dhe i tërë ummeti pajtohet me atë se besimi në kader është njëra nga shtyllat e Imanit dhe se ajo që do Allahu të ekzistojë ekziston, e ajo që Ai nuk do që të ekzistojë nuk ekziston. Andaj detyrohemi ta besojmë kaderin, gjegjësisht caktimin e Allahut për të mirë dhe të keqe.

Mënyra e besimit në caktimin e Allahut

Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) sqaroi në një hadith mënyrën e të besuarit në caktimin e Allahut. Ajo është që robi ta dijë se ajo që e ka goditur nuk do të mund të mos e godiste dhe ajo që nuk e ka goditur nuk do të mund ta godiste. I Dërguari (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) ka thënë: "Nuk beson ndonjë njeri derisa ta besojë caktimin e Allahut për të mirë dhe të keqe dhe ta dijë se ajo që e ka goditur nuk do të mund të mos e godiste dhe ajo që nuk e ka goditur nuk do të mund ta godiste."[1]

Shkrimi i caktimeve

Allahu shkroi caktimet e gjërave para krijimit të krijesave. I Lartmadhërishmi thotë:

مَا أَصَابَ مِن مُّصِيبَةٍ فِي الْأَرْضِ وَلَا فِي أَنفُسِكُمْ إِلَّا فِي كِتَابٍ مِّن قَبْلِ أَن نَّبْرَأَهَا إِنَّ ذَلِكَ عَلَى اللَّهِ يَسِيرٌ

Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime (libër - Leuhi Mahfudh) para se të ngjajë ajo, e kjo për Allahun është e lehtë.[2]

Transmetohet se Ubade ibnu Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) duke thënë: "Gjëja e parë që e krijoi Allahu është lapsi. I tha atij: Shkruaj! Tha: Çfarë të shkruaj?! Tha: Shkruaj caktimet e të gjitha gjërave derisa të bëhet Kijamet."[3]

Ibnu Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në një hadith të shëndoshë transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) ka thënë: "Allahu shkroi caktimet e krijesave pesëdhjetëmijë vjet para se t'i krijonte qiejt e tokën, kurse arshi i Tij qëndronte mbi ujë."[4]

Pasuesit e sunnetit, siç janë sahabët dhe ata që i pasojnë ata në vepra të mira, besojnë se Allahu di çdo send dhe se Ai e ka shkruar atë që ka ndodhur dhe që do të ndodhë deri në Ditën e Kijametit, dhe besojnë se Ai është Zoti, Krijuesi dhe Sunduesi i çdo gjëje. Gjithashtu besojnë se veprat e robërve janë të krijuara nga Allahu dhe burojnë nga vullneti i Tij, porse janë veprat e tyre, të cilat i fitojnë nëpërmjet zgjedhjes së tyre të lirë. Për këtë shkak ekziston edhe dënimi dhe shpërblimi. Prej besimit të tyre është edhe se ata i shmangen thellimit në kader, sepse ai është një nga fshehtësitë e Allahut, të cilat nuk i dinë krijesat, e të cilin nuk e di as ndonjë melek i privilegjuar apo ndonjë pejgamber i dërguar.

Kur jobesimtarët kurejshitë kundërshtuan të Dërguarin e Allahut lidhur me kaderin, Allahu ia shpalli atij ajetin Kur’anor:

يَوْمَ يُسْحَبُونَ فِي النَّارِ عَلَى وُجُوهِهِمْ ذُوقُوا مَسَّ سَقَرَ إِنَّا كُلَّ شَيْءٍ خَلَقْنَاهُ بِقَدَرٍ

Ditën kur me fytyrat e tyre do të tërhiqen zvarrë në zjarr. "Vuani dënimin Sekar". (emër i një Xhehenemi). Ne çdo send e kemi krijuar me masë të caktuar.[5]

Abdullah ibnu Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thoshte: "Pasha Atë, në dorën e të Cilit është shpirti i Ibnu Omerit, sikur ndokush të kishte ar sa kodra e uhudit, e pastaj ta shpenzonte atë në rrugën e Allahut, Allahu nuk do t'ia pranonte atë pa besuar kaderin (caktimin) e Tij." Mandej, këtë e argumentoi me thënien e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!): "Iman domethënë t'i besosh Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Gjykimit, dhe ta besosh kaderin (që e mira dhe e keqja është caktuar nga Allahu)."

Pyetje

1. Ç'është kaderi?

2. Çka domethënë besimi në kader?

3. Kur i shkroi Allahu caktimet e gjërave?

4. Ku janë të shkruara këto caktime?

5. Cili është mendimi i Abdullah ibnu Omerit, lidhur me atë që e kundërshton kaderin?

6. Sqaro mendimin e pasuesve të sunnetit përkitazi me kaderin!

7. Pse pasuesit e sunnetit mendojnë se duhet të lihet të folurit e shumtë rreth kaderit?

 

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: “Et-Teuhid” - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.


[1] Sunenu et-Tirmidhij

[2] Suretul-Hadijd: 22

[3] Sunenu Ebi Davud

[4] Sahihu Muslim

[5] Suretul-Kamer: 48,49


Revista Shembulli