Nga Ebu Seijd el-Khudriu – Allahu qoftë i kënaqur me të – transmetohet se Pejgamberi – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të – ka thënë: "Ruajuni ndejave në rrugë!" Atëherë, njerëzit thanë: "O i Dërguar i Allahut, ndejat në rrugë na janë të domosdoshme, në to bisedojmë." Tha: "Po qe se s'keni zgjidhje tjetër, atëherë jepjani hakun rrugës."
Ata pyetën: "Cili është haku i rrugës, o i Dërguar i Allahut? I Dërguari tha: "Ulja e shikimit, largimi nga padrejtësia, kthimi i selamit dhe urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja." Hadithin e transmetojnë Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi, ndërsa ky term është i Buhariut.
Domethënia e hadithit
I Dërguari i Allahut Pejgamberi – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të – ndaloi shokët e tij nga ndejat në rrugë. Por, ata ia kujtuan atij se nuk kanë mundësi t'i braktisin ndejat në rrugë, sepse ato janë vendi ku ulen dhe bisedojnë. Atëherë, i Dërguari i Allahut Pejgamberi – paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të – i urdhëroi ata që t'ia japin hakun rrugës, në të cilin hyjnë:
1. Ulja e shikimit: Që personi i cili qëndron në rrugë të mos shikojë në gjëra, shikimi i të cilave është i ndaluar sipas sheriatit islam.
2. Largimi nga padrejtësia: Që personi i cili qëndron në rrugë të mos e lëndojë me fjalë apo me vepër atë që është duke ecur rrugës.
3. Kthimi i selamit: Nëse ndokush e përshëndet me selam atë që qëndron në rrugë, atëherë ai duhet t'ia kthejë selamin duke thënë: Ue alejkumusselam, ue rahmetullahi, ue berekatuh (paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin edhe mbi ju).
4. Urdhërimi për mirë: Personi i cili qëndron në rrugë duhet t'i urdhërojë kalimtarët e rrugës për vepra të mira, po qe se e kërkon nevoja.
5. Ndalimi nga e keqja: Nëse personi i cili qëndron në rrugë sheh ndokënd duke bërë gjëra që janë në kundërshtim me fenë islame, atëherë duhet ta këshillojë atë dhe ta ndalojë nga ajo vepër.
Dobitë e hadithit
1. Pëlqehet që njeriu t'i braktisë ndejat e rrugëve.
2. Ai që qëndron në rrugë detyrohet t’ia rrugës hakun që u përmend në hadith.
Përktheu: Jusuf Kastrati
Marrë nga libri “Hadithi”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” - Riad



















































