Allahu është i bukur dhe e do bukurinë

Nga Abdullah Ibn Mes'ud, radiallahu anhu, i cili transmeton nga Pejgamberi, sallallahu alejhi ue selam, të ketë thënë:"Kushdo që ka një çikë mendjemadhësie s'do të hyjë në parajsë." Një njeri tha:"Çka nëse njeriut i pëlqen që veshja dhe mbathja e tij të jenë të bukura?" "Allahu është i bukur dhe e do bukurinë. Mendjemadhësi është të mohosh të vërtetën të shikosh njerëzit me përçmim," – tha ai.[1]

Ibnul-Kajjim [v.751H] duke komentuar këtë hadith, tha: "Fraza 'Allahu është i bukur dhe e do bukurinë,' përfshin veshjen e bukur, për të cilën u shtrua pyetja në të njëjtin hadith. Kjo përfshihet me anë të përgjithsimit, domethënë këtu mendohet në bukurinë në të gjitha gjërat. Në Sahihun e Muslimit thuhet: "Allahu është i mirë dhe e pranon vetëm atë që është e mirë."[2]

Në Sunenut-Tirmidhi thuhet: "Allahu kaa dëshirë që t'i shohë rezultatet e bekimeve të Tija në robërit e Tij."[3] Është transmetuar nga Ebul-Ehues el-Xheshemi të ketë thënë: Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, pa se po mbartja veshje të vjetër, të leckosur, dhe më pyeti, "A ke ndonjë pasuri?" "Po," – i thashë. Ai tha, "Çfarë pasurie ke?" "Gjithë atë që Allahu më ka dhënë nga devetë dhe delet," – i thashë. Ai tha, "Atëherë, trego bekimet e bollshme që Ai t'i ka dhënë."[4]

Allahu, i lavdëruar qoftë, do që të shihen rezultatet e bekimeve të Tija në robin e Tij, ngase kjo është pjesa e bukurisë që Ai dëshiron të shohë, dhe kjo është pjesë e falënderimit, e cila formon një bukuri të brendshme [bukurinë e karakterit]. Allahu pëlqen të shohë bukurinë e jashtme të robërve të Tij, e cila pasqyron bekimet e Tija ndaj tyre, dhe bukurinë e brendshme të falënderimit të tyre ndaj Tij për këto gjëra. Për shkak se Ai e do bukurinë, Ai zbret në robërit e Tij veshje dhe zbukurime me të cilat ata e zbukurojnë paraqitjen e tyre të jashtme dhe Ai u jep atyre takua, gjë që i zbukuron karakteret e tyre të brendshme. Allahu thotë:

"O bijtë e Ademit! Ne ju kemi dhuruar veshje që të mbuloheni [të mbuloni pjesët e turpshme, etj] dhe si një zbukurim, kurse veshja e drejtësisë është më e mirë." [el-A'raf:26]

Dhe Ai thotë, kur flet lidhur me njerëzit e parajsës:

"… Dhe Ai u dha atyre nedretan [dritë bukurie] dhe hare. Shpërblimi i tyre do të jetë parajsa dhe veshja e mëndafshtë, nga që ishin të durueshëm." [el-Insan:11-12]

Fytyrat e tyre do të bëhen të bukura me nedreh [dritë bukurie], qenia e tyre më e thellë do të jetë e hareshme dhe trupat e tyre me veshje të mëndafshtë. Mu ashtu siç Allahu e do bukurinë në fjalë, vepra, veshje dhe paraqitje të jashtme, njëjtë Ai urren shëmtinë në fjalë, vepra, veshje dhe paraqitje të jashtme. Ai urren shëmtinë dhe njerëzit e saj, ndërsa e do bukurinë dhe njerëzit e saj. Mirëpo, dy grupe kanë qëndrime të gabuara në këtë çështje: njëri grup që thotë se gjithçka që Ai krijoi është e bukur, kështu që Ai e do tërë atë që ka krijuar dhe ne duhet ta duam tërë atë që Ai ka krijuar dhe të mos urrejmë ndonjë gjë. Ata thonë:kushdo që kupton se gjithçka që ekziston vjen nga Ai, do të shohë se ajo [gjë] është e bukur... këta njerëz nuk kanë ndjenjë xhelozie për hir të Allahut apo urrejtje dhe armiqësi për hir të Allahut, apo të dënojnë atë që është e keqe [munker], apo xhihad për hir të Allahut, apo respektim të kufijve të Tij. Ata e konsiderojnë bukurinë e imazhit, qoftë të femrës apo mashkullit, si pjesë të bukurisë që Allahu pëlqen, dhe kërkojnë ta adhurojnë Allahun nëpërmjet akteve imorale. Disa ndër ta mund të shkojnë aq larg, saqë të pohojnë se Ai që e adhurojnë manifestohet apo është i mishëruar në këto imazhe.

Grupi i dytë, në anën tjetër, thotë që Allahu e dënon bukurinë e imazheve, formave dhe paraqitjes së jashtme. Allahu thotë lidhur me hipokritët: "Dhe kur ti i sheh ata, trupat e tyre të mahnisin..." [el-Munafikun:4]

"Dhe sa shumë gjenerata kemi shkatërruar përpara tyre, të cilët ishin më të mirë në pasuri, prona dhe në paraqitjen e jashtme?" [Merjem:54]

Në Sahihun e Muslimi është regjistruar se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, ka thënë:"Allahu nuk shikon në paraqitjen tuaj të jashtme dhe në pasurinë tuaj, por Ai shikon në zemrat dhe veprat e juaja."[5]

Sipas një hadithi tjetër: "Mbartja e veshjes së vjetër është pjesë e fesë."[6] Allahu i dënon ata që janë ekstravagantë, gjë e cila i referohet teprimit në veshje, ushqim dhe pije.

Me qëllim që të zgjedhim këtë mospërputhje (sipërfaqësor), mund të themi që bukuria në veshje dhe paraqitjen e jashtme është tre llojesh, me ç'rast njëri është i rekomandueshëm, njëri i dënueshëm, kurse njëri nuk i takon asnjërës nga këto. Lloji i bukurisë që duhet lavdëruar është ai që bëhet për hir të Allahut, për të ndihmuar individin t'i bindet Allahut dhe t'i kryen urdhëratë e Tij, siç është kur Pejgamberi, salallahu alejhi ue selam, e zbukuronte veten kur takonte delegacione që i vinin atij. Kjo është sikur mbartja e parzmores apo veshjes luftarake në betejë, apo mbartja e mëndafshit dhe shfaqja sa për sy e faqe [përpara armikut]. Kjo është e lavdërueshme, nga që bëhet për ta bërë fjalën e Allahut më të lartën dhe për të përkrahur fenë e Tij dhe për të ngacmuar armiqtë e Tij.

Lloji i dënueshëm i bukurisë është ajo që bëhet për hir të kësaj bote, për arsye pushteti, krenarisë së rreme dhe paraqitjes sa për sy e faqe, apo për të përmbushur disa dëshira [vetanake]. Kjo po ashtu përfshin raste kur bukuria është një përfundim në vete për individin dhe është e tëra për çka ai përkujdeset. Shumë njerëz s'kanë të tjera halle në jetë. Për sa i përket llojit të bukurisë, i cili s'është as i lavdërueshëm as i dënueshëm, është ai që s'ka të bëjë asgjë me asnjërin nga dy qëllimet e përmendura më lart [dmth s'është as për hir të Allahut as për hir të qëllimeve të kësaj bote].

Hadithi që po diskutohet i referohet dy parimeve të rëndësishme: diturisë dhe sjelljes. Allahun duhet pranuar për bukuri, e cila s'është në ngjasim me ndonjë gjë tjetër, dhe Ai duhet të adhurohet me anë të bukurisë që Ai e do në fjalë, vepra dhe qëndrime. Ai do që robërit e Tij të zbukurojnë gjuhët e tyre me të vërtetën, të zbukurojnë zemrat e tyre me devotshmëri të sinqertë [ihlas], dashuri, pendim dhe besim në Të, të zbukurojnë aftësitë e tyre me bindje, dhe të zbukurojnë trupat e tyre duke treguar bekimet e Tij në ta në veshjen e tyre dhe duke i mbajtur ato të pastra nga ndyrësitë dhe pisllëku, duke hequr qimet që duhet hequr, duke u bërë sunet, dhe duke prerë thonjtë. Kështu ata e njohin Allahun nëpërmjet këtyre cilësive të bukurisë dhe kërkojnë të afrohen më afër Tij nëpërmjet fjalëve, veprave dhe qëndrimeve të mira. Ata e njohin Atë për bukurinë që është cilësi e Tij dhe e adhurojnë nëpërmjet bukurisë, të cilën Ai e ka parashkruar, dhe nëpërmjet fesë së Tij. Hadithi kombinon parimin e diturisë dhe sjelljes."[7]

 

Ibën Kajim el Xheuzije – Profetiislam.com



[1] Transmetuar nga Muslim [nr.131]

[2] Transmetuar nga Muslim [nr.1686]

[3] Hasan Sahi: Transmetuar nga et-Tirmidhi [nr.2963], i cili tha se është hasan sahi.

[4] Sahi:Transmetuar nga Ahmed [nr.15323], et-Tirmidhi [nr.1929] dhe en-Nesa'i [nr.5128]

[5] Transmetuar nga Muslim [nr.1356]

[6] Sahi: Transmetuar nga Ibn Maxheh [nr.4108], Ebu Daud [nr.3630]

[7] el-Feua'id [1/185]