Jemi në mes të muajit Muharrem që është dhe muaji i parë i vitit në kalendarin hënor dhe fetar. Mes ngjarjeve të shumta, në vitin 570 të e.s ka ndodhur ajo që quhet në historinë islame si ngjarja e betejës së elefantit ku në të vërtetë nuk ka pasur ndonjë betejë mes dy ushtrive njerëzore, por një ndëshkim nga ushtria qiellore ushtrisë së Ebrehasë ardhur nga Jemeni.
Ebrehaja që e shpalli veten perandor të Jemenit që në vitin 535 e.s kishte ambicie të fuste nën sundimin e tij të gjithë gadishullin arabik, andaj gjeti arsye të rëndomta për të marrë vendimin e gabuar për shembjen e Qabesë, pasi kishte ndërtuar në Jemen kishën më të madhe të rajonit dhe shpresonte që ta bënte atë kishë qendër të pelegrinazhit për të gjithë gadishullin.
Për t'ia arritur këtij qëllimi ai donte të shkatërronte fillimisht Qabenë e për t'i drejtuar zemrat dhe shpirtrat e arabëve nga Jemeni. Për këtë qëllim përgatiti një ushtri të fortë kryesuar nga elefantë të fuqishëm në ballë të të cilëve qëndronte dhe elefanti gjigant mbretëror që jemenasit e quanin Mahmud.
Gjatë rrugës për në Mekë, Ebrehaja theu njëra pas tjetrës dy ushtri arabe qe përbëheshin nga bashkimi i disa fiseve të cilët synonin mbrojtjen e Qabesë. Allahu me urtësinë e Tij bëri të mundur thyerjen e këtyre dy ushtrive arabe për dy arsye:
1) Për t'ia lënë në dorë tjetër kujt pastrimin e Qabesë më vonë (Muhamedit alejhis-selam)...
2) Për të mos lënë ndikim te idhujtarët arabë se feja e tyre ishte e drejtë nëse do të triumfonin mbi Ebrehanë dhe ushtrinë e tij të krishtere.
Gjatë rrugës Ebrehaja konfiskonte pasuritë e atyre që u dilnin përpara dhe në afërsi të Mekës konfiskon gjithashtu 200 deve të Abdul-Muttalibit.
Kur takohet me të, Ebrehaja çuditet kur shikon se Abdul-Muttalibi po kërkonte devetë e tij ndërkohë që kanosej tempulli shpirtëror...Mirëpo Abdul-Muttalibi gjyshi i Profetit tonë Muhammedit alejhis-selam iu drejtua Ebrehasë me këto fjalë: Unë jam i zoti i deveve ndërsa Qabeja ka Zotin e saj që do ta mbrojë, andaj m’i kthe devetë e mija. Ebrehaja ia ktheu devetë, ndërkohë filloi përgatitjet për t’u futur në Mekë, banorët e së cilës kishin dalë në male e lugina dhe kishin boshatisur qytetin. Elefanti i madh, Mahmudi, i nguli këmbët në tokë dhe nuk ecte përpara. E goditën me sende dhe çengela sipër kokës por ai nuk lëvizte vendit. Kur e drejtonin nga Shami (Siria) ikte menjëherë andej. Kur e drejtonin nga Jemeni po ashtu ikte me shpejtësi. Kur e drejtonin nga Meka ngulitej në Tokë.
Në këto momente Allahu dërgon tufa të njëpasnjëshme shpendësh që mbartnin tre gurë të vegjël të përbërë nga balta e thatë, një në sqep dhe dy në këmbë. Çdo gurë që binte në trupat e ushtarëve ishte shkatërrues. Vetë Ebrehaja u godit nga gurë të tillë dhe filloi t’i binte mishi copë-copë derisa kur arriti i tmerruar në Jemen ishte bërë si një zog i rrjepur dhe atje vdiq.
Për këtë ngjarje, Allahu i Madhëruar ka zbritur enkas një Sure nga Kurani.
Ky vit tek arabët që nuk ndiqnin kalendar të mirëfilltë u quajt “Viti i Elefantit” i cili u bë dhe fillimi i kalendarit të arabëve idhujtarë. Në këtë vit ka lindur dhe Profeti i fundit Muhammedi alejhis-selam.
Hoxhë Mustafa Tërniqi