Tregimi i njerëzve të elefantit

Arabët para Islamit vinin nga të gjitha vendet për ta vizituar Qaben.  Ebreha, guvernatori abisinas i Jemenit, deshi t’i largonte arabët nga Qabeja, kështu që e ndërtoi një kishë të madhe në Jemen, për ta vizituar atë në vend të Qabes. Ebreha u bëri thirrje njerëzve që ta bënin pelegrinazhin (haxhin) çdo vit në atë kishë, mirëpo njerëzit nuk e pranuan këtë gjë. Askush nuk e vizitoi atë, madje një beduin hyri tinëz në të, urinoi dhe më pas u largua.

 

Kur dëgjoi Ebreha për këtë gjë, u zemërua jashtëzakonisht shumë dhe u betua se do ta shkatërronte Qaben.

Ai mblodhi një ushtri të fuqishme dhe u drejtua kah Meka. Në krye të kësaj ushtrie marshonte një elefant i madh, të cilin e kishin marrë me vete për t’i frikësuar arabët dhe për ta rrënuar me të Qaben.

Kur ushtria u afrua pranë Mekes, Abdul-Muttalibi, prijësi i kurejshëve, me disa njerëz tjerë nga ky fis filluan ta lusin Zotin e tyre që ta ruajë shtëpinë e Tij, Qaben nga këta zullumqarë.

Derisa Ebreha mburrej me ushtrinë e tij të madhe dhe mendonte se do ta rrënojë shtëpinë e Allahut, një befasi po e priste!

Allahu ia dërgoi Ebrehasë dhe ushtrisë së tij një dënim të rëndë, për shkak të mendjemadhësisë së tyre dhe përçmimit që ia bënin shtëpisë së Allahut, të cilën Ai e bëri mëshirë për njerëzimin.  Allahu u dërgoi atyre tufa zogjsh të panumërta, të cilët i goditnin ata me gurë të vegjël nga zjarri, derisa i shkatërruan dhe i bënë si byk i ngrënë.

Ebreha e meritoi këtë ndëshkim, sepse u bë mendjemadh në tokë, deshi të bëjë shkatërrime në të dhe përdhosi shenjtëritë e Allahut. Kështu që, Allahu e mbërtheu atë, ashtu siç dënon i Plotfuqishmi dhe i Plotpushtetshmi.

Allahu i Lartësuar thotë:

1. Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit?

2. A nuk ua prishi atyre kurthin,

3. duke dërguar kundër atyre tufa zogjsh,

4. të cilët i gjuajtën me gurë prej baltës së pjekur?

5. Dhe kështu, i bëri si byk i ngrënë. Sureja el-fijl.

Në këtë vit, i cili u quajt viti i elefantit, lindi i Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të.

Përktheu: Jusuf Kastrati