Imani dhe shtyllat e tij

Përkufizimi gjuhësor i fjalës “Iman”:
Fjala “Iman” gjuhësisht domethënë: vërtetim dhe pranim.

Përkufizimi imanit sipas pasuesve të sunetit dhe xhematit është:
a. Besim me zemër,
b. shqiptim me gjuhë,
c. veprim me gjymtyrë,
d. shtohet me bindje ndaj Zotit, dhe
e. pakësohet me mëkate ndaj Tij.

Shtyllat e imanit

Shtyllat e imanit janë gjashtë:
1. Besimi në Allahun.
2. Besimi në melekë.
3. Besimi në Librat e Allahut.
4. Besimi në të dërguarit e Allahut.
5. Besimi në Ditën e Gjykimit.
6. Besimi në kader (caktimin e Allahut).

1. Besimi në Allahun përfshin katër çështje:
a. Besimi në ekzistimin e Allahut.
b. Besimi se Ai është Zoti dhe Sunduesi.
c. Besimi se vetëm Ai meriton adhurimin.
d. Besimi në emrat dhe cilësitë e Tij.

2. Besimi në melekë përfshin katër çështje:
a. Besimi në ekzistimin e melekëve.
b. Besimi në melekët që i njohim me emra, sikurse Xhibrili, dhe besimi në mënyrë të përgjithshme në melekët që nuk ua dimë emrat.
c. Besimi në cilësitë e tyre që i dimë.
d. Besimi në veprat e tyre që i dimë, të cilat i bëjnë me urdhrin e Allahut.

3. Besimi në Librat e zbritur përfshin katër çështje:
a. Besimi se ata janë vërtet të zbritur nga Allahu.
b. Besimi në emrat e librave që i njohim me emra, siç janë Kurani, Teurati dhe Inxhili.
c. Besimi i tregimeve që thuhen në këta libra, sikurse tregimet e Kuranit dhe tregimet e pashtrembëruara të Librave të mëparshëm, të cilat janë përcjellë në sheriatin tonë.
d. Besimi në normat e pashfuqizuara të këtyre Librave dhe po ashtu pajtimi me to dhe dorëzimi ndaj tyre, pa marrë parasysh a e dimë urtësinë a nuk e dimë atë dhe besimi se Kurani ka shfuqizuar të gjithë Librat e mëparshëm.

4. Besimi në të dërguarit e Allahut përfshin katër çështje:
a. Besimi se ata janë vërtet të dërguar nga Allahu dhe se kushdo që e mohon ndonjë të dërguar është sikur t’i mohonte të gjithë të dërguarit.
b. Besimi me emra në ata të dërguar që përmenden me emra, siç janë: Muhamedi, Ibrahimi, Musa, Isa, Nuhu e kështu me radhë (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta).
c. Besimi në lajmërimet e tyre autentike.
d.  Zbatimi i kushtetutës së pejgamberit të dërguar te ne, që është Muhamedi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), vula e pejgamberëve, i cili është i dërguar te të gjithë njerëzit.

5. Besimi në Ditën e Gjykimit përfshin tri çështje:
a. Besimi në ringjallje.
b. Besimi në llogaridhënie dhe shpërblim.
c. Besimi në Xhenet dhe Xhehenem.
Besimi në Ditën e Gjykimit përfshin gjithashtu besimin në çdo gjë që do të ndodhë pas vdekjes, ku bëjnë pjesë edhe sprova e varrit dhe ndëshkimi e shpërblimi në varr.

6. Besimi në kader përfshin katër çështje:
a. Besimi se Allahu e ka ditur çdo gjë në mënyrë të hollësishme.
b. Besimi se Allahu e ka shkruar këtë në “Pllakën e Ruajtur” që në arabisht quhet “El-Leuh el-Mahfudh”.
c. Besimi se asgjë nuk ekziston pa vullnetin e Allahut të Madhërishëm.
d. Besimi se çdo gjë që ekziston është krijuar nga Allahu, duke përfshirë qeniet, cilësitë dhe lëvizjet e tyre.

Argumenti për gjashtë shtyllat e imanit:

1. Thënia e Allahut: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët.” [Kuran: 2, 177]

2. Thënia e Allahut: “Vërtet, Ne çdo gjë e kemi krijuar me kader (masë të paracaktuar).” [Kuran: 54, 49]

3. Argument nga suneti kemi hadithin e Xhibrilit, alejhis-selam, kur e pyeti Xhibrili Pejgamberin, sal-lallahu alejhi ue sel-lem, duke thënë: “Më trego për imanin.” Ai tha: "Imani është të besosh Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Gjykimit dhe të besosh se Allahu ka caktuar çdo gjë, qoftë e mirë a e keqe." [Muslimi]

 

Marrë nga libri “Et-Teuhijd el-mujesser” i autorit Abdullah El-Huvejl
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com