Ajet Kuranor:
Allahu i Madhërishëm thotë:
Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë. [Kuran 2:186]
Hadith:
I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Atij që e agjëron ramazanin me besim dhe duke llogaritur në shpërblim, do t’i falen mëkatet e kaluara.”[1]
Shkreptimë:
A e dini se lutjet e agjëruesit nuk kthehen mbrapsht?!
I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Tre vetëve lutjet nuk u kthehen mbrapsht: agjëruesit deri sa të bëjë iftar, prijësit të drejtë dhe lutja e atij që i është bërë zullum (padrejtësi)”.[2]
I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, po ashtu ka thënë: “Vërtet, agjëruesi ka një lutje në kohën e iftarit e cila nuk kthehet mbrapsht”.[3]
Ide:
Caktoje një kohë në çdo ditë të ramazanit ku do t’i bësh lutje Zotit tënd Bujar.
Shtesë:
Ebu Abdil-lah El-Bunaxhi thoshte: “Është për t’u çuditur me atë njeri që e gjen gjënë për të cilën ka nevojë te zotëria i tij, ndërsa e kërkon atë nga robërit”.
Shkëputur nga libri: “Jeumijat saimeh” (Hakibetu saimat) – të autorëve dr. Adil Esh-Shiddi dhe dr. Ahmed El-Mezjed
Përktheu: Jusuf H. Kastrati – Shembulli.com