Es-selamu alejkum.
Allahu i Lartësuar na ruajt, se pasha Lartmadhërinë e Tij edhe po të shkatërroheshin toka dhe qiejt ne nuk guxojmë të tërhiqemi, pra me asnjë kusht dhe asnjë çmim, nga drita e Allahut të Mëshirshëm, e cila na është dhuruar nga Ai në zemrat tona, të cilat në qoftë se jemi të vendosur veçse do të forcohen.
Kështu që, bëj thirrje që të mos dorëzohemi, porse të qëndrojmë stoik e këmbëngulës në rrugën e Allahut të Gjithëdijshëm dhe mos të brengosemi pse jemi pakicë në këtë qëndrim, pasi që kështu ka qenë gjithmonë, që shumica duke shkuar verbërisht pas epsheve e dëshirave të tyre, e kanë pasuar kryeshejtanin e poshtër të quajtur Iblis. Allahu i Lartësuar na mbrojt prej tij!
Prandaj, le ta konsiderojmë këtë si sprovë nga Zoti ynë i Lartësuar e të jemi edhe më të vendosur në nënshtrim ndaj Allahut Bujar që na i ka dhënë të gjitha të mirat, dhe e mira e të mirave është besimi e devotshmëria, të cilën Ai na e ka mbjell në zemrat tona dhe për këtë duhet ta falënderojmë Atë natë e ditë dhe jo vetëm pesë herë por se 50 herë.
Mos të harrojmë se edhe Muhamedin alejhis-selam, të dërguarin dhe më të dashurin e Allahut të Lartësuar, e kanë quajtur fallxhi, vjershëtar e të çmendur (Kuran 52,29-30) e lëre më neve që nuk jemi kurrkushi.
Si gjithmonë edhe kësaj radhe ja edhe disa vargje Kur’anore përkitazi me këtë:
7,11-18: Ne ju krijuam pastaj ju dhamë formën, e mandej engjëjve u thamë: “Bëni sexhde për Ademin”. Ata i bënë sexhde pos Iblisit. Ai nuk qe prej atyre që bënë sexhde.; (Allahu) Tha: “Çka të pengoi ty të bësh sexhde, kur Unë të urdhërova?” Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i vlefshëm se ai, më krijove mua nga zjarri, e atë e krijove nga balta!”; (Allahu) Tha: “Zbrit nga ai (xheneti), nuk të takon të bësh kryelartësi në të, dil jashtë, s'ka dyshim ti je i poshtëruar”.; (Iblisi) Tha: “Më afatizo gjer ditën kur ringjallen (njerëzit)!”; (Allahu) Tha: “Ti je i afatizuar!”; (Iblisi) Tha: “Për shkak se më humbe mua, unë do t'u ulem atyre (do t'u zë pusi) në rrugën Tënde të drejtë; Mandej do t'iu sillem atyre para, prapa, nga e djathta dhe nga e majta e tyre, e shumicën e tyre nuk do ta gjesh që të falënderohen (të besojnë)!”; (Allahu) Tha: “Dil nga ai (xheneti), i urryer, i dëbuar. Kush prej tyre vjen pas teje, Unë kam për ta mbushur xhehenemin me të gjithë ju.
15,42: (Allahu i tha Iblisit): Ti ndaj robërve të Mi (të sinqertë) nuk ke kurrfarë force (as fizike as mendore), përveç atyre të humburve që vijnë pas teje.
34,20-21: Me të vërtetë, djalli realizoi mendimin e vet ndaj tyre, ata e pasuan atë, përpos një grupi besimtarësh të vërtetë.; E ai (djalli) nuk pati kurrfarë pushteti ndaj tyre ...
45,23: Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot; atë njeri të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin e zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh?
11,15-16: Kush ka për qëllim jetën e kësaj bote dhe të mirat e saj, Ne do t'ua plotësojmë atyre shpërblimin e veprave të tyre në të, dhe atyre nuk do t'u mungojë gjë.; Të këtillëve në botën tjetër u përket vetëm xhehenemi. Ajo që punuan dhe vepruan ata ka dështuar dhe është asgjësuar.
12,38+40: Ky (besim i drejtë) është dhuratë e madhe nga Allahu ndaj nesh dhe ndaj njerëzve të tjerë, por shumica e njerëzve nuk ia dinë vlerën.; Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
11,17: E ti (Muhamed) mos ki dyshim në te (Kuran), ai është e vërtetë nga Zoti yt, në të s'ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk e besojnë.
12,103: Po ti (Muhamed) edhe pse lakmon (për besimin e tyre), shumica e njerëzve nuk do të besojnë.
17,89: Ne u sqaruam njerëzve në këtë Kuran shembuj (argumente) të çdo lloji, e shumica e njerëzve nuk deshi tjetër, vetëm mohimin.
26,8: Vërtet, në këto ka fakte (të forta), por megjithatë, shumica e tyre nuk qenë besimtarë.
26,67: Vërtet, në këtë ka fakte, por megjithatë shumica nuk besuan.
2,99-100: Ne të kemi zbritur ty (Muhamed) shpallje e shenja të qarta të cilave vetëm njerëzit e këqij nuk duan t’u besojnë; A thua çdo herë që japin ndonjë premtim, disa prej tyre e flakin tej atë? Jo, por shumica e tyre nuk besojnë.
12,21: Allahu është mbizotërues i punës së vet, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
13,1: ... Këto vargje të kësaj kaptine dhe e tërë ajo që t'u shpall ty (Muhamed) nga Zoti yt janë realitet, por shumica e njerëzve nuk besojnë.
40,59: Kiameti gjithsesi do të vijë, aty nuk ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk besojnë.
Ka edhe shumë vargje tjera Kur’anore me të njëjtin përfundim, porse mendoj se për ata njerëz që duan ta shohin të vërtetën mjaftojnë këto.
Paqja, bekimi dhe mëshira e Allahut Madhështor qofshin me juve!
Burim Sogojeva