Besimi në melekë

Domethënia e besimit në melekë:

Kjo do të thotë të besosh se Allahu ka melekë të cilët ekzistojnë dhe janë të krijuar nga drita. Ai i ngarkoi ata me çështjet e krijesave të Tij dhe i përshkroi duke thënë:

لَا يَعْصُونَ اللَّهَ مَا أَمَرَهُمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ

Ata nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë, për të cilën janë të urdhëruar. [1]

Dhe:

يُسَبِّحُونَ اللَّيْلَ وَالنَّهَارَ لَا يَفْتُرُونَ

Ata lartësojnë (Allahun) natë e ditë dhe nuk mërziten.[2]


Pozita e lartë e melekëve

Allahu, për shkak të rëndësisë së tyre të madhe dhe pozitës së tyre të lartë tek Ai, bashkoi emrin e Tij me ta, kur foli për dërgimin e salavateve Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!), duke thënë:

إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ

Vërtet, Allahu dhe melekët e Tij dërgojnë salavate mbi Pejgamberin.[3]

Po ashtu, Allahu u betua në ta në disa sure të Kur'anit, si në suret: es-saffat, el-murselat dhe en-naziat dhe i nderoi ata, sepse ata adhurojnë Allahun në mënyrë madhështore dhe i frikësohen Atij, me një frikë të madhe. Allahu, përkitazi me ta, gjithashtu thotë:

وَهُم مِّنْ خَشْيَتِهِ مُشْفِقُونَ

Ata, prej frikës së Tij qëndrojnë me nderim dhe frikë (se mos i ndëshkon).[4]


Llojet e melekëve dhe gradat e tyre

Kur'ani famëlartë është përplot i mbushur me përmendjen e melekëve, prej të cilëve janë Xhibrili, Mikaili dhe Israfili, të cilët janë të ngarkuar me jetën. Xhibrili është i ngarkuar me shpallje, ku bën pjesë jeta e zemrave dhe shpirtrave. Mikaili është i ngarkuar me zbritjen e shiut, ku bën pjesë jeta e tokës, bimëve dhe kafshëve. Ndërsa, Israfili është i ngarkuar me fryrjen në sur (bri), ku bën pjesë jeta e krijesave pas vdekjes së tyre. Prej melekëve janë edhe bartësit e arshit, ruajtësit, shkruesit e ndershëm (el-Kiram el-Katibun), Maliku – rojtari i xhehenemit, Ridvani – rojtari i xhenetit, meleku i vdekjes dhe Munkeri e Nekiri, të cilët janë të ngarkuar me marrjen në pyetje të vdekurin lidhur me Zotin, fenë dhe Pejgamberin e tij.


Domosdoshmëria e të besuarit në melekë

Është obligim të besojmë në melekë në mënyrë të përgjithshme dhe në mënyrë të hollësishme. Atij që i përmendet emri ose puna e tij besojmë në të në mënyrë të hollësishme, ndërsa, atij që nuk i përmendet emri ose puna e tij besojmë në të në mënyrë të përgjithshme.

Numrin e melekëve nuk e di askush pos Allahut. Ai thotë:

وَمَا يَعْلَمُ جُنُودَ رَبِّكَ إِلَّا هُوَ

Ushtrinë e Zotit tënd nuk e di kush pos Tij.[5]


Pyetje

1. Çka domethënë besimi në melekë?

2. Si i përshkroi Allahu melekët në Librin e Tij famëlartë?

3. Përse Allahu bashkoi melekët me emrin e Tij në thënien e Tij: "Vërtet, Allahu dhe melekët e Tij dërgojnë salavate mbi Pejgamberin"?

4. Cilët melekë i ngarkoi Allahu me shkaqet e jetës?

5. Ç'do të thotë thënia e të Lartmadhërishmit: "Ushtrinë e Zotit tënd nuk e di kush pos Tij"?


Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: “Et-Teuhid” - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.



[1] Suretu et-Tahrijm: 6

[2] Suretul-Enbija: 20

[3] Suretul-Ahzab: 56

[4] Suretul-Enbija: 28

[5] Suretul-Muddeththir: 31