Degët e imanit (besimit)

Besimi është lidhja më madhështore që ekziston ndërmjet njeriut dhe Zotit të tij, sepse njeriu është krijesa më fisnike që gjendet në tokë. Gjëja më fisnike që ndodhet në të është zemra dhe mendja e tij. Kurse, gjëja më fisnike në zemër është besimi, ndërsa, në mendje meditimi. Besimi është dhuntia më e madhe që Allahu ia ka dhënë njeriut.

Imani, gjegjësisht besimi ka shumë degë, madje të gjitha veprat që bëhen në bindje ndaj Allahut hyjnë nën degët e imanit. I Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) ka thënë: "Imani ka shtatëdhjetë e ca degë, më e larta prej tyre është thënia "la ilahe il-lall-llah"[1], ndërsa më e ulëta është heqja e pengesës nga rruga. E, edhe turpi është degë e imanit."[2]

Të kuptuarit e imanit

Iman domethënë besim me zemër, shqiptim me gjuhë dhe veprim me gjymtyrë. Kjo nënkupton vërtetim të plotë për tërë atë që ka ardhur prej Allahut dhe të Dërguarit të Tij, duke u kujdesur mirë për kryerjen e obligimeve dhe lënien e gjërave të ndaluara. Njëherë, pasi i Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) u pyet për imanin, tha: "T'i besosh Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Gjykimit dhe ta besosh caktimin e Allahut për të mirë dhe të keqe."[3]

Ndikimi i mëkateve në iman

Mëkatet janë dalje nga bindja e Allahut. Çdokush që bën mëkate të mëdha apo këmbëngul në mëkate të vogla quhet mëkatar. Veçse, mëkatari nuk del nga imani (besimi), duke bërë mëkate, por konsiderohet besimtar mëkatar, mirëpo imani i tij dobësohet për shkak të mëkateve, sepse ato pamundësojnë plotësimin e imanit.

Llojet e mëkateve

Mëkatet ndahen në dy grupe: të mëdha dhe të vogla.

Mëkate të mëdha quhen ato mëkate që janë përcaktuar si të tilla në këtë botë dhe për të cilat ka ndëshkim në botën tjetër, si p.sh.: ta kërcënojë Allahu vepruesin e tyre me zjarr, ta mallkojë atë, të hidhërohet prej tij apo t'ia mohojë imanin. Këto mëkate janë të shumta, ndërsa më të mëdhatë prej tyre janë: shirku, gjegjësisht të shoqëruarit Allahut dikë në adhurim, i cili shkatërron imanin, pastaj vrasja, amoraliteti, magjia, ikja nga beteja, ngrënia e pasurisë së jetimit, ngrënia e kamatës, mosrespektimi i prindërve, betimi i rrejshëm, dëshmia e rreme, gënjeshtra, vjedhja, etj.

Kurse, mëkate të vogla quhen ato mëkate, për të cilat nuk ka dënim në këtë botë e as kërcënim për botën tjetër. Por, muslimani duhet të largohet nga to, sepse vazhdimësia në to i shndërron ato në të mëdha.

Allahu i Lartmadhërishëm thotë:

إِن تَجْتَنِبُواْ كَبَآئِرَ مَا تُنْهَوْنَ عَنْهُ نُكَفِّرْ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَنُدْخِلْكُم مُّدْخَلاً كَرِيمًا

“Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat ju janë të ndaluara, Ne jua shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm.”[4]

 

Pyetje

1. Cila është gjëja më fisnike që gjendet në njeriun?

2. Cila është gjëja më fisnike që gjendet në zemër?

3. Cila është dhuntia më e madhe që Allahu ia ka dhënë njeriut?

4. Cila është dega më e lartë e imanit?

5. Cila është dega më e ulët e imanit?

6. Si u përgjigj Pejgamberi (alejhis-salatu ues-selam!) kur u pyet për imanin?

7. Çka domethënë iman?

8. Ç'janë mëkatet?

9. Cili është dallimi ndërmjet mushrikut (atij që bën shirk) dhe mëkatarit?

10. Cili është dënimi për mëkate të mëdha?

11. Cili është dallimi ndërmjet mëkateve të mëdha dhe atyre të vogla?

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: “Et-Teuhid” - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.



[1] La ilahe il-lall-llah: Nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut. Sh.p.

[2] Sahihu Muslim

[3] Sahihu Muslim

[4] Suretu En-Nisa: 31


Revista Shembulli