Mënyra e besimit në emrat dhe cilësitë e Allahut
Muslimani ia përshkruan Allahut dhe Krijuesit të tij vetëm ata emra dhe ato cilësi që kanë ardhur në Kur'an dhe në hadithe të shëndosha; nuk e krahason Allahun me krijesat e Tij e as nuk ia mohon emrat dhe cilësitë që i ka pohuar për Veten e Tij.
Ajo që thuhet për cilësitë e Allahut thuhet po ashtu edhe për qenien e Tij të shenjtë; pohojmë se Allahu ka qenie që nuk i ngjan qenieve tona dhe cilësi që nuk i ngjajnë cilësive tona. Dëshmi për këtë është vetë thënia e Tij:
لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ
Asnjë send nuk është si Ai; Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.[1]
Është e ditur se dëgjimi dhe shikimi i Allahut nuk është sikurse dëgjimi dhe shikimi ynë. Ai ka dëgjim dhe shikim ashtu si i takon Lartmadhërisë së Tij, ndërsa krijesat kanë dëgjim dhe shikim ashtu si u takon atyre.
Nga fjalët që i kanë thënë imamët e fesë përkitazi me cilësitë e Allahut të Lartësuar është edhe thënia e Imam Ebu Hanifes (Allahu e mëshiroftë!), ku thotë: "Allahu nuk i ngjan asnjë krijese." Mandej thotë: "Të gjitha cilësitë e Tij ndryshojnë nga cilësitë e krijesave; Ai di, por dija e Tij nuk është sikurse jona, ka fuqi, por fuqia e Tij nuk është sikurse jona dhe sheh, por të parit e Tij ndryshon nga të parit tonë."[2]
Ndërsa, mësuesi i Imam Buhariut, Ne'ijm ibnu Hamadi, ka thënë: "Ai që shëmbëllen Allahun me ndonjë krijesë ka bërë kufër (ka mohuar), ai që mohon atë me të cilën Allahu e ka përshkruar veten e Tij ka bërë kufër dhe, në atë që Allahu e ka përshkruar për veten e Tij apo që e ka përshkruar për Të i Dërguari i Tij, Muhamedi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) nuk mund të ketë shëmbëllim."[3]
Po ashtu, Is'hak ibnu Rahavejhi ka thënë: "Ai që i përshkruan Allahut diç, duke krahasuar cilësitë e Allahut me cilësitë e ndonjë prej krijesave të Tij ka mohuar Allahun e Madhërishëm."
Allahu i Lartmadhërishëm ua ka bërë të ligjshme robërve të Tij ta thërrasin Atë me emrat e Tij të bukur, duke thënë:
وَلِلّهِ الأَسْمَاء الْحُسْنَى فَادْعُوهُ بِهَا
Allahu ka emrat më të mirë, andaj thirreni me ta...[4]
Njëkohësisht, i ka urdhëruar ata të mos i shtrembërojnë emrat e Tij, duke thënë:
وَذَرُواْ الَّذِينَ يُلْحِدُونَ فِي أَسْمَآئِهِ سَيُجْزَوْنَ مَا كَانُواْ يَعْمَلُونَ
Hiquni nga ata që bëjnë shtrembërime me emrat e Tij. Ata kanë për t'u shpërblyer (me dënim) për veprimet e tyre.[5]
Po ashtu, i urdhëroi ata ta lavdërojnë Atë me cilësitë e Tij të përsosura, duke thënë:
الْحَمْدُ للّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ , الرَّحْمـنِ الرَّحِيمِ , مَـالِكِ يَوْمِ الدِّينِ
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit.[6]
Gjithashtu nxiti ata ta lartësojnë Atë nga çdo mangësi dhe e metë, duke thënë:
سُبْحَانَ رَبِّكَ رَبِّ الْعِزَّةِ عَمَّا يَصِفُونَ , وَسَلَامٌ عَلَى الْمُرْسَلِينَ , وَالْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ
I Lartësuar është Zoti yt, Zot i fuqisë nga ajo që ia përshkruajnë. Paqja qoftë mbi të Dërguarit. Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve![7]
Pyetje
1. Cilat cilësi ia pohon muslimani Allahut të Lartësuar?
2. Çka domethënë thënia e Allahut: "Asnjë send nuk është si Ai; Ai është Dëgjuesi, Shikuesi"?
3. Cila është detyra e muslimanit përkitazi me emrat dhe cilësitë e Allahut që janë transmetuar në Kur'an dhe në sunnet?
4. Cili është gjykimi për atë që e krahason Allahun me ndonjë nga krijesat e Tij?
5. Cili është gjykimi për atë që mohon atë me të cilën Allahu e ka përshkruar Veten e Tij?
6. Çfarë thotë Imam Ebu Hanifeja lidhur me cilësitë e Allahut?
7. Cili është mendimi i mësuesit të Buhariut për atë që e shëmbëllen (krahason) Allahun me ndonjë krijesë?
Përktheu: Jusuf Kastrati
Marrë nga libri: "Et-Teuhid" - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.