Kërkimi i bereqetit prej të vdekurve

Teberruku: Kërkimi i bereqetit me shpresë se do ta arrijë atë.

Ai që i drejtohet të vdekurve, duke kërkuar prej tyre dobi apo bereqet, veçse i ka marrë ata për zota tjerë pos Allahut. Kjo i ngjan tërësisht shirkut që bënin populli i Nuhut dhe që e bëjnë idhujtarët tjerë.

 

Prej shirkut të madh është edhe parashtrimi i nevojave të vdekurve dhe shkrimi i letrave atyre, ku hyjnë thëniet si "o zotëria im, bëje këtë dhe këtë!", mandej vendosja e aromave në varre, marrja e dheut të tyre duke shpresuar në bereqet dhe gjëra të tjera të ndaluara, të cilat janë përhapur me të madhe në shoqërinë islame. Ka njerëz të atillë, që mendojnë se i vdekuri dëgjon fjalët e tyre dhe u përgjigjet atyre, gjë që është në kundërshtim të plotë me atë që ka ardhur në Kur'anin famëlartë. Allahu i Lartmadhërishëm, në Librin e tij na ka lajmëruar se Isai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

مَا قُلْتُ لَهُمْ إِلاَّ مَا أَمَرْتَنِي بِهِ أَنِ اعْبُدُواْ اللّهَ رَبِّي وَرَبَّكُمْ وَكُنتُ عَلَيْهِمْ شَهِيدًا مَّا دُمْتُ فِيهِمْ فَلَمَّا تَوَفَّيْتَنِي كُنتَ أَنتَ الرَّقِيبَ عَلَيْهِمْ وَأَنتَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ شَهِيدٌ

Unë nuk u kam thënë tjetër atyre, pos asaj që Ti më urdhërove; ta adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, dhe sa isha ndër ta, kam qenë përcjellës i tyre, e pasi që më more mua, Ti ishe roje (dhe dëshmues) i tyre. Ti je dëshmitar për çdo send!"[1]

Në këtë ajet kur'anor ka argument të qartë se ai që vdes nuk sheh se çfarë veprojnë të gjallët, e as nuk di për ta. Vallë, si mund ta lusë njeriu të vdekurin, kur ai nuk e di gjendjen e tij, e as nuk e di çfarë bën apo thotë ai?! Allahu i Lartmadhërishëm, në një ajet tjetër, thotë:

وَمَنْ أَضَلُّ مِمَّن يَدْعُو مِن دُونِ اللَّهِ مَن لَّا يَسْتَجِيبُ لَهُ إِلَى يَومِ الْقِيَامَةِ وَهُمْ عَن دُعَائِهِمْ غَافِلُونَ

وَإِذَا حُشِرَ النَّاسُ كَانُوا لَهُمْ أَعْدَاء وَكَانُوا بِعِبَادَتِهِمْ كَافِرِينَ

Kush është më i humbur se ai që pos Allahut lut të atillë që nuk i përgjigjen atij deri në Kijamet, ngase ata (që luten) janë gafilë ndaj lutjes së tyre. E kur të tubohen njerëzit, ata (zotat e tyre) do të jenë armiq të tyre (të adhuruesve) dhe do ta mohojnë adhurimin e tyre.[2]

Allahu, në këtë ajet, na lajmëroi për çështjet në vijim:

1. I vdekuri nuk i përgjigjet atij që e thërret.

2. I vdekuri është gafil ndaj thirrësit dhe lutjes së tij, nuk di asgjë për të, dhe

3. I vdekuri, Ditën e Gjykimit do të jetë armik i të gjallit që e lutë atë. Ithtarët e teuhidit janë armiq të atyre të shirkut në këtë dhe botën tjetër.

Pa dyshim që gjërat, si kërkimi i bereqetit prej të vdekurve dhe parashtrimi i nevojave atyre, filluan të shfaqen te muslimanët vetëm atëherë, kur ata u larguan nga Libri i Zotit të tyre dhe sunneti i të Dërguarit të tyre (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) dhe u lidhën me pallavra e fjalë të rreme, të pabaza.

Prandaj, detyrë e thirrësve në rrugën e Allahut është që t'i thërrasin njerëzit në fenë e pastër, kështu që të shpëtojnë prej shirkut dhe risive, derisa ummeti islam të drejtohet në rrugën e vërtetë, të cilën e përshkroi i Dërguari i Allahut dhe e la ummetin e tij në të.

Pyetje

1. Ç’është teberruku?

2. Çfarë dispozite ka afrimi tek të vdekurit për të fituar bereqet?

3. Cila është dispozita e marrjes së dheut nga varret, duke kërkuar bereqet nëpërmjet tij?

4. A i dëgjojnë të vdekurit fjalët e atyre që afrohen te ta (bëjnë teuessul)? Sill argumentin!

 

 

Përktheu: Jusuf Kastrati
Marrë nga libri: "Et-Teuhid" - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.



[1] Suretul-Maideh: 117

[2] Suretul-Ahkaf: 5, 6

 


Revista Shembulli