Therja e kurbanit për dikë tjetër pos Allahut

1. Therja e kurbanit për hir të dikujt tjetër pos Allahut është shirk

Prerja e kurbanit është ibadet (adhurim), kurse t'ia kushtosh atë dikujt tjetër pos Allahut konsiderohet shirk i madh. Madje, Allahu i Lartmadhërishëm, në disa vende të Librit të Tij, e ka bashkuar atë me namazin. Ai thotë:

 

فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ

Andaj, ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd![1]

Namazi është prej ibadeteve apo adhurimeve më të mira fizike, ndërsa prerja e kurbanit është prej adhurimeve më të mira materiale. Sikurse që namazi nuk lejohet t'i kushtohet askujt tjetër pos Allahut, ashtu edhe therja e kurbanit nuk lejohet t'i kushtohet askujt tjetër pos Tij. Andaj, kush i kushton diç nga llojet e adhurimeve dikujt tjetër pos Allahut është mushrik (idhujtar).

Padyshim që bërja kurban për hir të dikujt tjetër pos Allahut konsiderohet prej mëkateve më të mëdha. I Dërguari i Allahut, Muhamedi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) përkitazi me këtë thotë: "Allahu e ka mallkuar atë që ther kurban për hir të dikujt tjetër pos Tij"[2]


2. Udhëtimi për të vizituar varret e evliave (të dashurve të Allahut)

Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) ka thënë: "Mos i shndërroni shtëpitë tuaja në varre, e as varrin tim mos e shndërroni në vend feste dhe më dërgoni salavate, ngase salavatet tuaja më arrijnë mua, kudo qofshit ju."[3]

Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) ndaloi njerëzit ta shndërrojnë varrin e tij në vend feste nga kujdesi që kishte për ta ruajtur ummetin e tij nga shirku. Ndërsa, Imam Maliku urrente që banorët e Medines të vinin te varri i Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) në mënyrë që kjo të mos shndërrohet në traditë. Pos kësaj, thoshte: "Këtë ummet mund ta përmirësojë vetëm ajo që i përmirësoi të parët e tij."

Veprat që i bëjnë njerëzit gjatë vizitës së varreve

Ato janë dy llojesh: Të ligjëruara dhe të ndaluara.

Veprat e ligjëruara janë ato që i ligjësoi Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) përkitazi me vizitën e varreve, të cilat muslimani i viziton, duke zbatuar sunnetin, si p.sh.: të lutet për banorët e tyre në përgjithësi, ndërsa për të afërmit në veçanti; të tregohet bujar ndaj tyre, duke u lutur dhe duke kërkuar mëshirë e falje për ta dhe njëkohësisht të tregohet bujar ndaj vetvetes duke praktikuar sunnetin dhe duke kujtuar ahiretin (botën e amshuar).

Kurse, Veprat e ndaluara ndahen në dy lloje:

Lloji i parë: Veprat që janë mjete që shpien në shirk, si p.sh.: Afrimi (et-teuessul) nëpërmjet varreve apo banorëve të tyre, namazi në varreza, ndezja e qirinjve në to, teprimi me to apo me banorët e tyre, etj. Pra, kjo është e ndaluar, sepse është mjet që çon në shirk.

Lloji i dytë: Veprat që janë kufër (mosbesim), si p.sh.: Lutja drejtuar banorëve të varreve, kërkimi i ndihmës nga ta, besimi se ata mund të bëjnë dëm apo dobi dhe kërkimi i nevojave të kësaj bote dhe botës tjetër prej tyre. Këto vepra konsiderohen shirk i madh dhe janë të ngjashme me atë që e bëjnë idhujtarët me idhujt e tyre.

 

Pyetje

1. Çfarë dispozite ka therja e kurbanit për hir të dikujt tjetër pos Allahut?

2. Sill argument se therja e kurbanit për hir të dikujt tjetër pos Allahut është prej mëkateve më të mëdha!

3. Përse Allahu në fjalën e Tij ("Andaj, ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!") bashkoi prerjen e kurbanit me namazin?

4. Përse Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) ndaloi ummetin e tij nga udhëtimi për të vizituar varret?

5. Cilat janë veprat e ligjëruara gjatë vizitës së varreve?

6. Cilat vepra ndalohen gjatë vizitës së varreve?

 

Marrë nga libri: "Et-Teuhid" - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.

Përktheu: Jusuf Kastrati


[1] Suretul-Keuther: 2

[2] Sahihu Muslim

[3] Sunen Ebi Davud