Argumenti i kësaj dëshmie:
Fjala e Allahut:
“Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit.”1
Po ashtu fjala e Allahut:
“Dije se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut.”2
Domethënia e saj:
“Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.”3
Kuptime të gabuara të kësaj dëshmie:
1. “Nuk ka të adhuruar përveç Allahut.”
Ky kuptim është i gabuar, sepse domethënë që gjithçka që adhurohet, qoftë me të drejtë a pa të drejtë, është vetë Allahu.
2. “Nuk ka krijues përveç Allahut.”
Kjo është vetëm një pjesë e kuptimit të dëshmisë, sepse sikur të ishte kjo domethënia e dëshmisë “la ilahe il-lallah” nuk do të kishte mospajtim ndërmjet Pejgamberit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe popullit të vet, ngase ata e pranonin këtë gjë.
3. “Gjykimi i takon vetëm Allahut”.
Edhe kjo është një pjesë e kuptimit të kësaj dëshmie, mirëpo nuk është e mjaftueshme dhe kjo nuk është për qëllim, sepse në qoftë se ia kushtojmë tërë gjykimin vetëm Allahut, kurse në anën tjetër e adhurojmë dikë tjetër pos Tij, atëherë nuk e kemi jetësuar teuhidin.
Shtyllat e kësaj dëshmie:
1. Mohimi “la ilahe” (Nuk ka të adhuruar).
Domethënë: Ta mohosh adhurimin e çdo gjëje që adhurohet në vend të Allahut.
2. Pohimi ose vërtetimi “il-lallah” (përveç Allahut)
Domethënë: T’ia pohosh adhurimin vetëm Allahut, i Cili nuk ka rival.
Argument për këtë është fjala e Allahut:
“Ai që e mohon tagutin (gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë.”4
Fjala “Ai që e mohon tagutin (gjithçka që adhurohet në vend të Allahut)” është mohim, ndërsa fjala “dhe beson në Allahun” është pohim.
Këtë e argumenton edhe fjala e Allahut:
“(Kujto) Kur Ibrahimi i tha babait dhe popullit të vet: "Unë jam i larguar prej asaj që adhuroni ju, përveç Atij që më ka krijuar dhe i Cili do të më udhëzojë në rrugën e drejtë”.”5
Fjala “Kur Ibrahimi i tha babait dhe popullit të vet: "Unë jam i larguar prej asaj që adhuroni ju” është mohim, kurse fjala “përveç Atij që më ka krijuar” është pohim.
Kur i bën dobi njeriut fjala “la ilahe il-lallah”?
1. Në qoftë se e di domethënien e saj.
2. Dhe njëherazi punon me atë që e kërkon kjo fjalë (e adhuron vetëm Allahun dhe askënd tjetër).
Marrë nga libri “Et-Teuhijd el-mujesser” i autorit Abdullah El-Huvejl
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com
- Sureja Ali-‘Imran 18.
- Sureja Muhammed 19.
- Domethënë askush dhe asgjë përveç Allahut nuk adhurohet me të drejtë. Sh.p.
- Sureja El-bekare 256.
- Sureja Zuhruf 26, 27.