1. Teuhidi shtylla më madhështore islame
Teuhidi është shtylla kryesore e Islamit dhe njeriu nuk mund të hyjë në fenë islame pa e dëshmuar atë, gjegjësisht pa ia kushtuar tërë adhurimin vetëm Allahut dhe askujt tjetër.
I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: "Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se askush dhe asgjë përveç Allahut nuk meriton të adhurohet dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, pastaj falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe kryerja e haxhit." 1
2. Teuhidi gjëja më e rëndësishme dhe obligimi i parë
Për shkak të rëndësisë së tij, teuhidit duhet t’i jepet përparësi ndaj të gjitha çështjeve tjera të rëndësishme.
Teuhidi është çështja e parë në të cilën duhet ftuar njerëzit, siç i tha i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, Muadhit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur e dërgoi për në Jemen: “Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të librit, prandaj le të jetë gjëja e parë në të cilën do t’i thërrasësh dëshmia se askush dhe asgjë përveç Allahut nuk meriton të adhurohet”, ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “që ta veçojnë Allahun në adhurim”2 .
3. Pa teuhid nuk pranohen ibadetet
Teuhidi është kusht për vlefshmërinë e ibadeteve dhe bazë për pranimin e tyre. Ibadetet nuk mund të quhen ibadete pa teuhid, sikundërqë namazi nuk mund të quhet namaz pa pasur abdes. Pra, shirku3 , që është e kundërta e teuhidit, shkatërron çdo ibadet që e shoqëron ai, sikurse hadethi4 që e prish abdesin. Ibadeti që bëhet pa teuhid shndërrohet në shirk, i cili i shkatërron të gjitha veprat, madje atë që bie në shirk e bën prej banorëve të përhershëm të zjarrit të xhehenemit.
4. Teuhidi shkak për siguri dhe udhëzim në këtë dhe botën tjetër
Argument për këtë është fjala e Allahut: “Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (zullum), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.”5
Fjala padrejtësia që përmendet në këtë ajet nënkupton shirkun, siç na e ka sqaruar këtë i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.
Ibën Kethiri, në komentimin e këtij ajeti, thotë: “Domethënë ata që ia kushtojnë tërë adhurimin vetëm Allahut, i Cili është i Vetëm dhe s’ka rival, duke mos i shoqëruar Atij asgjë në adhurim do të jenë të sigurt në Ditën e Kijametit dhe të udhëzuar në dunja dhe ahiret. Ai që e jetëson teuhidin në mënyrë të plotë do të ketë siguri dhe udhëzim të plotë dhe do të hyjë në xhenet pa u ndëshkuar.”
Shirku pra është padrejtësia më e madhe, kurse teuhidi është kulmi i drejtësisë.
5. Teuhidi shkak për të hyrë në xhenet dhe për të shpëtuar nga zjarri
I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush dëshmon se askush dhe asgjë përveç Allahut nuk meriton të adhurohet, i Cili është i Vetëm, pa rival dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, dhe njëherazi dëshmon se Isa është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij, se është fjala e Allahut që ia dërgoi Merjemes dhe një prej shpirtrave që i krijoi Ai dhe dëshmon gjithashtu se xheneti është i vërtetë dhe se xhehenemi është i vërtetë do ta fusë Allahu në xhenet me aq vepra që ai i ka bërë.”6
I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, po ashtu ka thënë: “Allahu ia ka ndaluar zjarrit ta djegë atë që thotë “la ilahe il-lallah” duke kërkuar kënaqësinë e Allahut.”7
6. Teuhidi shpëtim nga brengat e dunjasë dhe ahiretit
Ibën Kajjimi ka thënë: “Teuhidi është strehimi i miqve dhe armiqve të vet”.
a. Është strehim për armiqtë e vet, sepse i shpëton ata nga brengat dhe vështirësitë e kësaj dunjaje, siç thotë Allahu në Kuran:
“Kur hipin në anije, ata i luten Allahut me devotshmëri të sinqertë, por kur Ai i sjell në tokë shëndoshë e mirë, menjëherë ata i veshin Atij ortakë (në adhurim).”8
b. Ndërsa miqtë e vet i shpëton nga brengat dhe vështirësitë e kësaj bote dhe të botës së amshueshme. Ky është ligj i Allahut për robërit e Tij. Asgjë nuk i largon vështirësitë e dunjasë sikurse teuhidi, për këtë arsye duaja e vështirësisë është e lidhur drejtpërdrejt me teuhid dhe po ashtu duaja e Junusit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, me të cilën kushdo që lutet kur gjendet në vështirësi Allahu do t’ia largojë vështirësinë.9
Asgjë nuk e çon njeri në vështirësi të mëdha përveç shirkut dhe asgjë nuk e shpëton atë nga to përveç teuhidit, ngase teuhidi është strehimi, mburoja dhe shpëtimi i të gjitha krijesave.
7. Teuhidi urtësia e krijimit të njerëzve dhe xhinëve
Allahu i Madhërishëm thotë:
“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.”10
Domethënë për të Më veçuar në adhurim.
Nuk u dërguan pejgamberët, as nuk zbritën librat, as nuk u bënë kushtetutat e as nuk u krijuan krijesat për tjetër përveçse për ta veçuar Allahun në adhurim, duke mos adhuruar askënd tjetër.
Marrë nga libri “Et-Teuhijd el-mujesser” i autorit Abdullah El-Huvejl
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com
- Muttefekun alejhi.
- Muttefekun alejhi.
- Shirk domethënë: T’i shoqërosh Allahut dikë a diçka në adhurim. Sh.p.
- Hadethi është papastërti kuptimore dhe ndahet në hadeth të madh dhe të vogël. Hadeth i madh quhet papastërtia për të cilën jemi të detyruar të bëjmë gusël, ku hyjnë: xhunubllëku, lehonia dhe të përmuajshmet, kurse hadeth i vogël quhet papastërtia për të cilën jemi të detyruar të marrim abdes. Shënim i përkthyesit.
- Sureja el-en’am 82.
- Muttefekun alejhi.
- Muttefekun alejhi.
- Sureja el-ankebut 65.
- Duaja e vështirësisë është kjo: “La ilahe il-lallahu el-‘adhijmul-halijm, la ilahe il-lallahu rabbus-semauati ue rabbul-erdi ue rabbul-‘arshil-kerijm” [muttefekun alejhi], e cila në shqip domethënë: “Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Madhështorit dhe të Butit, nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Zotit të qiejve, Zotit të Tokës dhe Zotit të arshit fisnik. Kurse, duaja e Junusit, alejhis-selam, të cilën e bëri sa ishte në barkun e balenës është: “La ilahe il-la ente, subhaneke, innij kuntu minedh-dhalimijn” [Tirmidhiu] që në shqip domethënë: “S’ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje, Ti je i patëmeta, ndërsa unë i bëra zullum vetvetes”. Shënim i përkthyesit.
- Sureja edh-dharijat 56.