Mirësia ndaj prindërve

Nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet të ketë thënë: Një njeri erdhi te i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe tha:

“O i Dërguari i Allahut, kush ka më shumë të drejtë në shoqërimin tim të mirë?”

I Dërguari tha: “Nëna jote.”

“Pastaj kush?” – pyeti njeriu.

I Dërguari tha: “Nëna jote.”

“Pastaj kush?” – pyeti sërish njeriu.

Ai tha: “Nëna jote.”

“Po pastaj kush?” – pyeti sërish ai.

“Pastaj babai yt.” – ia ktheu i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.

Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi


Domethënia e hadithit

Obligimi i fëmijës ndaj prindërve është shumë i madh, sepse ata janë shkaktarë për ardhjen e tij në këtë botë dhe njëherazi ballafaqohen me sprova dhe vështirësi të shumta në rrugën e edukimit dhe përkujdesjes ndaj tij që nga lindja e derisa të rritet.

Allahu lidhi hakun e tyre me atë të Tij kur tha:

“Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij dhe të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve.” (Kuran 17:23)

Prandaj, kur e pyeti njeriu të Dërguarin e Allahut, Muhamedin, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, se kush meriton më shumë shoqërimin dhe mirësjelljen e tij, ai u përgjigj “nëna jote”, madje e përsëriti këtë tri herë, për t’ua bërë me dije njerëzve se haku i nënës është shumë i madh. Ndërsa, herën e katërt tha: "Babai yt." Kjo tregon se detyra e fëmijës ndaj prindërve është shumë e madhe.


Dobitë e hadithit

1. Njeriu që ka më së shumti hak në mirësi dhe mirësjellje është nëna, pastaj babai.

2. Nxitja për mirësjellje ndaj të afërmve.

3. Dhënia çdo njeriu hakun që i takon dhe nderimi i tij sipas shkallës së afërsisë.


Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com

Marrë nga libri “Hadithi”, Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe, Universiteti “Imam” - Riad