Zhdukju sysh atyre që u bezdisesh!

… po atyre që u bezdisemi?

Ah! Thjesht. Kjo ndodh kur njerëzve u vardisemi…
Ne jemi fajtorët gjithmonë!
Gjithnjë ai që vjen shumë herët në takim tjetrit i thotë se ka ardhur vonë.
E në raportet njerëzore kur dashuria ndaj tyre na gufon.

Vazhdimisht harrojmë se njerëzit bën t’i duam shumë, po kurrë tepër.
Tepër nuk bën, se edhe vetes, edhe atyre u bëjmë keq me këtë vepër.
Vetes se e zhvatim dinjitetin, kurse atyre se i sfidojmë të mendojnë se e meritojnë.
Dhe nuk e dua të përmendur sinqeritetin, se ata që duan veç me zemër gabojnë!

Gabova. Tash çfarë të bëj?

Kur gabimi bëhet me mosveprim, vepër duhet bërë.
Kur gabojmë me veprim, duhet ikur me kilometra të tërë.

Më shumë sesa ndaj zjarrit ik prej njerëzve që u je bezdisur.
Vlera falas u refuzohet vetëm njerëzve të çakërdisur.
Vetëm atyre që nuk dinë të konstatojnë shëmtinë që i karakterizon.
Vetëm atyre që dinë të numërojnë sa u jep zemra, po jo sa u pranon…

Bezdisja vjen veç nga molisja.
Bezdisja është ana e pashfaqur e mallëngjimit.
Ik sa të mundesh deri sa t’u dalë përpara dera e pikëllimit!
Ik pa u lodhur me anë të dorës, kur të lodhesh me anë të thembrës!
A nuk e ke dëgjuar thënien “larg syve – larg zemrës!”

Ik e shërojua bezdinë e  la të shijojnë lumturinë!
Ik se veç me ikje shumë njerëz ta vlerësojnë praninë!

Nëse do t’u shfaqesh në mendje, zhdukju disave sysh.
Nëse të kanë dashur ndonjëherë, të presin të vish.
Nëse nuk të kanë dashur kurrë, gjithmonë ti i ke pritur.
Nuk dënohet ai që nuk do, po ai që nuk është dashur e nuk e ka ditur.

Pse nuk të do dikush, kurrë në jetë nuk duhet ta kesh gjykuar.
Dhe faljua githmonë edhe njerëzve që të kanë dashur, po që kanë pushuar.

Dije që nëse ndokush largohet nga jeta jote, s’e ke pasur kurrë.
Sepse dashuria që këputet është leckë e hedhur në gurë.
Dashuria që është këputur s’ka qenë kurrë aty, po ashtu na është dukur.
Së këndejmi, çastit kur e kemi kuptuar i duhet buzëqeshur, jo qarë e sharë.
Nëse dëshiron të kesh të tashme të mirë, rri me atë që e do.
Po nëse dëshiron të kesh të ardhme më të mirë, mos rri me atë që të thotë jo!

 

Arsim Jonuzi (ajoni.net)
29 qershor 2015


Revista Shembulli