Ajet kuranor
Allahu i Madhërishëm thotë:
﴿إِنَّ الَّذِينَ يَتْلُونَ كِتَابَ اللَّهِ وَأَقَامُوا الصَّلَاةَ وَأَنْفَقُوا مِمَّا رَزَقْنَاهُمْ سِرًّا وَعَلَانِيَةً يَرْجُونَ تِجَارَةً لَنْ تَبُورَ٢٩﴾
"Pa dyshim, ata që lexojnë Librin e Allahut, falin namazin dhe japin fshehtazi apo haptazi nga ajo që u kemi dhënë Ne, mund të shpresojnë në një fitim që nuk do të humbasë." (Kurani, 35:29)
Thënie profetike
I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ, ka thënë:
“Atij që Natën e Kadrit falet me besim dhe duke llogaritur në shpërblim, do t’i falen mëkatet e kaluara.”
[E shënojnë Buhariu dhe Muslimi.]
Urtësi
Abdurrahman es Sadi ka thënë: "Namazi është shtylla e fesë, nuri i muslimanëve, peshorja e imanit dhe shenja e vërtetësisë së Islamit."
Unë e fal gjithmonë xhumanë, kjo mjafton (!)
Allahu na ka urdhëruar që t'i falim pesë namazet ditore e jo vetëm një namaz në javë. Së këndejmi, t'i përgjigjemi urdhrit të Zotit, sepse, fundja, Allahu nuk ka nevojë për namazin tonë, por ne kemi nevojë për të.
Këshillë
Përpiqu ta zësh Natën e Kadrit duke falur namaz vullnetar, duke lexuar Kuran dhe duke e lutur Atë për çfarëdo që dëshiron, sepse kjo natë vlen më shumë se një mijë muaj. Kërkoje atë në dhjetë netët e fundit të Ramazanit.
Përgatiti: Hoxhë Jusuf Kastrati