Me qëllim të ngritjes së vlerave të mirëfillta morale, fetare e kombëtare dhe njëherësh përhapjen e diturisë islame në mesin e myslimanëve shqiptarë, duke u bazuar në besimin dhe metodologjinë e ehli-sunetit dhe xhematit, para një viti vendosëm të hapim portalin Shembulli.com.
Gjatë këtij viti keni pasur mundësinë, që në këtë portal, të lexoni artikuj të shumtë e të llojllojshëm islamë, lajme të ndryshme si dhe shkrime tjera nga fusha të ndryshme si shkenca, teknologjia, shëndetësia, kuriozitete të ndryshme e shumë të tjera.
Rubrika kryesore e këtij portali, pa dyshim se ka qenë rubrika e temave islame, ku janë postuar qindra artikuj të ndryshëm. Vëmendje të veçantë jemi munduar t’i kushtojmë edhe rubrikës “Familja”. Përveç këtyre që u përmendën, gjatë kësaj kohe jemi orvatur t’ju informojmë me lajme dhe informacione të ndryshme nga vendi dhe bota, përmes rubrikës “Lajme”. Lajmet e publikuara në këtë rubrikë zakonisht kanë qenë të huazuara nga agjenci të ndryshme informative. Po ashtu, kemi qenë mjaft të hapur edhe në publikimin e shkrimeve të ndryshme autoriale të cilat kanë qenë pjesë e rubrikës “Opinione”.
Duke e konsideruar bashkëpunimin si diçka shumë të mirë, ne u përpoqëm të bashkëpunojmë me individë dhe faqe të ndryshme. Këtu patjetër duhet të përmendim bashkëpunimin që patëm me faqen “ISLAMI, feja e Vërtetë!”, të cilët i falënderojmë sinqerisht për një bashkëpunim shumë të mirë dhe korrekt. Njëherazi i falënderojmë të gjithë ata individë, hoxhallarë dhe autorë të ndryshëm, shkrimet e të cilëve u publikuan në portalin Shembulli gjatë kësaj kohe.
Përgjatë këtij viti edhe për nga aspekti statistikor, portali Shembulli arriti një sukses mjaft të kënaqshëm. U publikuan afro 1550 artikuj, lajme dhe shkrime të ndryshme, ndërsa arritëm të rangohemi në mesin e faqeve të para islame.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ju të nderuar vizitorë të portalit tonë, shpresojmë se keni qenë të kënaqur me ne. Jemi gjithnjë të hapur për kritikat dhe sugjerimet tuaja.
Falënderimi ynë më i madh i takon Allahut të Lartësuar!
Lusim Zotin të na mundësojë që vërtet të jemi shembull i së mirës!