Kjo është letra e një të riu francez, i cili u trajtua në një nga spitalet islame në Endelus (Andaluzi), të cilën ia dërgoi babait të tij në Paris rreth një mijë vjet më parë. Ky djalosh shkroi:
"Babai im i dashur! Në letrën që e mora nga ti e paske përmendur se do të m’i dërgosh disa të holla për trajtimin tim, por unë nuk kam nevojë fare për para, pasi që trajtimi në këtë spital islam bëhet falas. Dhe jo vetëm kaq, por çdo pacienti spitali i jep nga pesë dinarë ari dhe rroba të reja kur largohen nga spitali, në mënyrë që të mos detyrohen të punojnë gjatë kohës së rehabilitimit.
I dashur baba! Nëse dëshiron të më vizitosh, do të më gjesh në Departamentin e Kirurgjisë dhe Trajtimit të Inflamacionit Reumatik të Nyejve. Afër dhomës sime ka një bibliotekë dhe një sallë leximi ku mjekët takohen çdo ditë dhe dëgjojnë ligjërata nga profesorët e shkencave mjekësore.
Departamenti i Gjinekologjisë dhe Sëmundjeve të Grave ndodhet në anën tjetër të oborrit të spitalit, burrave nuk u lejohet të hyjnë në të.
Në anën e djathtë të oborrit të spitalit është një sallë pritjeje e madhe (ku gjenden disa pajisje për shërbim intensiv), ku pacientët kalojnë kohën gjatë mjekimit të tyre, dhe një sallë pritjeje në të cilën gjendet një bibliotekë e pasuruar me pajisje këndimi.
Babai im i dashur! Çdo pikë dhe çdo vend në këtë spital është shumë i pastër, shtrati dhe jastëkët në të cilët flemë janë të mbështjellë me garzë pambuku nga Damasku, ndërsa mbulesat janë prej kadife druri të butë.
Të gjitha dhomat e spitalit janë të pajisura me ujë të pastër, i cili realizohet me tuba të veçanta dhe në çdo dhomë ka nga një stufë zjarri për ditët e dimrit.
Sa i përket ushqimit, ne hamë kryesisht mish pule dhe lloje të ndryshme të perimeve, për këtë arsye disa pacientë nuk duan të largohen nga spitali për shkak të ushqimit të shijshëm.”
(Burimi: Amir Xhafer Arshadi, Et-Tefevvuk el-ilmi fi’l-Islam, Muessese Al-Risala, Bejrut, 1990, fq. 52)
Përktheu nga boshnjakishtja: Naim Berisha