Dynjaja është për katër persona

Transmetohet nga Ebu Kebshe Umer bin Sa’d el-Enmarij r.a. se ai ka dëgjuar të Dërguarin e Allahun s.a.v.s. duke thënë: “Për tri gjëra betohem dhe ju flas për to, andaj mbajini mend ato (që të keni kujdes):

Pasuria e robit asnjëherë nuk pakësohet nga sadakaja;

Një robi që iu është bërë e padrejta (zullumi) dhe ai bën sabër (e përballon atë), Allahu do t’i shtojë atij famë (krenari e fuqi);

Një rob që hap derën e lypjes, Allahu do t’ia hap atij derën e skamjes, apo fjalë të ngjashme.

Po ju flas, andaj mbajeni mend (që të keni kujdes), e tha:

Dynjaja është për katër veta:

Një rob që Allahu e ka furnizuar me pasuri dhe me dituri. Ai i shfrytëzon ato dhe ka frikërespekt ndaj Zotit të tij në to. Me to mban lidhjet farefisnore, e mëson të drejtën (hakun) e Zotit në to. Kjo është pozita më e vlefshme (në Xhenet).

Një rob që Allahu i ka dhënë dituri, por nuk e ka furnizuar me pasuri. Ai është i sinqertë në synimin e tij dhe thotë: Po të kisha pasuri do të veproja sikur filani. Përderisa ai është (vazhdimisht) me synimin e tij, shpërblimi i atyre dyve është i barabartë.

Një rob që Allahu e ka furnizuar me pasuri, por nuk i ka dhënë dituri. Ai ngatërrohet me të dhe vepron pa dije, nuk ka frikërespekt ndaj Zotit të tij në të, e as nuk mban me të lidhjet farefisnore, e as nuk e mëson të drejtën (hakun) e Zotit në të. Kjo është pozita më e keqe.

Dhe një rob që Allahu nuk i ka dhënë as pasuri, e as dituri. Dhe ai thotë: Po të kisha pasuri do të veproja sikur filani. Përderisa ai është (vazhdimisht) me synimin e tij, mëkati i atyre dyve është i barabartë.” (Transmeton Tirmidhiu dhe thotë: Hadithi është hasen sahih. Transmeton dhe Ahmedi dhe thotë: Hadithi është sahih)

Përgatiti: Bahri CURRI


Revista Shembulli