Këshillo aty ku këshilla bën dobi

Kurani erdhi këshillë për njeriun, t’ia kujtoj Krijuesin dhe Furnizuesin e tij, fillimin dhe mbarimin e tij, çka është për dhe kundër tij.

Misioni i pejgamberëve në përgjithësi ishte këshillimi dhe komunikimi, përgëzimi dhe qortimi. Kështu pas tyre këtë flamur e bartën thirrësit, duke ecur rrugës së tyre e duke ftuar në udhëzim. Në Kuran kemi një mori ajete që ftojnë në përkushtim të dinit (fesë), në lidhje më këtë çështje kujtojmë fjalën e Allahut të Lartësuar:

فَذَكِّرْ إِنْ نَفَعَتْ الذِّكْرَى

“prandaj këshillo, nëse këshilla do të jetë e dobishme!” (Ala, 9)

Ky ajet urdhëron Muhamedin salAllahu alejhi ve selem, gjithashtu thirrësat pas tij duke i këshilluar të gjithë, dhe duke i ftuar në dinin e vërtetë.

Të qëndrojmë edhe për pak kohë ma ajetin në fjalë. Fjala e Allahut: (إِنْ نَفَعَتْ الذِّكْرَى) “nëse këshilla do të jetë e dobishme!”

Shtrohet pyetja: Ajeti këshillën e ndërlidhi me dobinë, pra, aty ku këshilla bën dobi, këshillo. Çka mundë të kuptohet se këshilluesi nëse e din se këshilla nuk ka dobi, nuk është i detyruar të këshilloj, ndërsa ky kuptim ndeshet me tekstet tjera të përgjithshme, të cilat detyrojnë këshillën pa marr parasysh rezultatin, si në fjalën e Allahut: (فَذَكِّرْ إِنَّمَا أَنْتَ مُذَكِّرٌ) “Prandaj këshilloji (njerëzit o Muhamed), se ti je vetëm këshillues” (Gashije, 21)?!!

Kjo pyetje tërhoqi vëmendjen e mufesirave, ata dhanë këto shpjegime:

Shpjegimi i parë:

Ajeti në fjalë kësaj radhe mjaftoi vetëm me njërën prej dy gjërave, pra përmendja e njërës të dëfton edhe për tjetrën. Ndërsa “takdiri-elipsa” (mos përmendja e një fjale duke nënkuptuar atë) në ajet është: “prandaj këshillo, nëse këshilla do të jetë e dobishme (apo nuk do të jetë e dobishme)!”
Ja pra një shembull tjetër të ngjashëm: (
وَجَعَلَ لَكُمْ سَرَابِيلَ تَقِيكُمْ الْحَرَّ) “ka bërë për ju rroba që t’ju mbrojnë nga nxehtësia;”(Nahël, 81) kuptimi vjen: “t’ju mbrojnë edhe nga të ftohtit”; por “të ftohtit” është fshirë sepse dëgjuesi këtë e dinë dhe e kupton. Kështu thotë: Xhorxhaniu, Vahidiu dhe këtë e mbështetë Shevkaniu. Xhorxhani thotë: këshilla është detyrimi edhe nëse nuk bën dobi.

Shpjegimi i dytë:

Kushti në ajet ka mbetur në thelbin e tij, por ajeti paraqet shembullin e lehtësimit për Muhamedin salAllahu alejhi ve selem, sepse ai e mbingarkonte veten saqë këtë edhe e vuante shpirtërisht, në thirrjen e disa personave, kurse ata edhe më tepër egërsoheshin. Ndërsa Allahu i Lartësuar e urdhëroi që t’i këshillon ata njerëz, në të cilin shpresohet diçka, dhe mos ta lodhe veten me arrogantët e egër. Ashtu siç thotë Allahu: (فَذَكِّرْ بِالْقُرْآنِ مَنْ يَخَافُ وَعِيدِ) “Prandaj këshillo me Kuranin këdo që ka frikë paralajmërimin Tim!” (Kaf, 45)

Në këtë shpjegim anon Alusiu, që do të thotë: Këshilla të jetë për atë që mendohet se ka pranim dhe përgjigje.

Për fund rrumbullakojmë këtë fjali:

Në tërësi dhe hollësi fjala e Allahut (إِنْ نَفَعَتْ الذِّكْرَى) “nëse këshilla do të jetë e dobishme!” nuk ka për qëllim kufizimin, por vërtetimin e rëndësisë së komunikimit dhe këshillimit.

Përgatiti: Ulvi Fejzullahu


Revista Shembulli