Për agjëruesin (10)

Ajet Kuranor:

Allahu i Madhërishëm thotë:

Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh. [Kuran 17:9]

Hadith

I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: Zoti im, unë e kam privuar atë nga ushqimi dhe epshet gjatë ditës, kështu që ma mundëso të ndërmjetësoj për të. Kurse, Kurani do të thotë: Unë e kam privuar atë nga gjumi natën, kështu që ma mundëso të ndërmjetësoj për të. Atëherë, do të ju lejohet të ndërmjetësojnë.”[1]

Gjurmë:

Kur vinte muaji i ramazanit Zuhriu thoshte: “Vërtet, ramazani është lexim Kurani dhe dhënie e ushqimit.”

Këshillë:

Ibën Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thoshte: “Mbajtësi (hafëzi) i Kuranit duhet të njihet me natën e tij kur njerëzit flenë, me ditën e tij kur njerëzit hanë, me të qarit e tij kur njerëzit qeshen, me devotshmërinë e tij kur njerëzit zhyten në mëkate, me heshtjen e tij kur njerëzit thellohen në biseda të kota, me përulësinë e tij kur njerëzit shkujdesen dhe me pikëllim kur njerëzit gëzohen.”

 

Shkëputur nga libri: “Jeumijat saimeh” (Hakibetu saimat) – të autorëve dr. Adil Esh-Shiddi dhe dr. Ahmed El-Mezjed

Përktheu: Jusuf H. Kastrati – Shembulli.com



[1] Këtë hadith e shënon Ahmedi.


Revista Shembulli