Parimet e sheriatit islam në Kuran

1. Parimi i teuhidit, pra se Allahu është i Vetmi që duhet adhuruar:

Allahu i Lartësuar i thirri të gjithë ithtarët e Librit që ta adhurojnë vetëm Atë, duke mos i shoqëruar asgjë në adhurim. Ai, i Lartmadhërishmi thotë:

Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!”[1]

 

2. Parimi i lidhjes së drejtëpërdrejtë me Allahun, pa ndërmjetës:

Allahu i Lartmadhërishëm thotë:

Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem![2]

Gjithashtu thotë:

Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.[3]

 

3. Parimi i thirrjes për të menduar dhe përsiatur:

Ai, i Lartmadhërishmi thotë:

Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët.[4]

Gjithashtu thotë:

Si mëshirë prej Nesh dhe këshillim për mendarët.[5]

Gjithashtu thotë:

Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!”[6]

Gjithashtu thotë:

Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë mendarët..[7]

Gjithashtu thotë:

A nuk e sheh se si Allahu e zbret ujin nga qielli dhe e bën atë të burojë nga toka? Nëpërmjet tij Ai nxjerr bimë të llojllojshme, ngjyrash të ndryshme, të cilat, më pas thahen e zverdhen dhe pastaj Ai i thërrmon. Me të vërtetë, në të gjitha këto ka këshilla për ata që janë të mençur.[8]

Gjithashtu thotë:

S i udhërrëfyes dhe këshillë për mendarët.[9]

Gjithashtu thotë:

Frikësojuni Allahut, o njerëz të mençur, që keni besuar! Allahu ju ka dërguar udhërrëfyesin:[10]

 

4. Parimi i pajisjes me vlera të larta morale:

Allahu i Madhërishëm thotë:

Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”;[11]

 

5. Parimi i të punuarit për dunja dhe ahiret:

Allahu i Lartësuar i thirri njerëzit të përpiqen ta fitojnë botën e amshueshme dhe njëkohësisht të mos e harrojnë pjesën e tyre në këtë botë. Allahu i Madhërishëm kur flet për Karunin në një ajet, i cili është i përgjithshëm, pra vlen për të gjithë, thotë:

Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.”[12]

 

6. Parimi i drejtësisë dhe barazisë mes njerëzve:

Tek Allahu i Madhërishëm njerëzit dallojnë në bazë të devotshmërisë, ai që është më i devotshëm është më i nderuari. I Lartësuari thotë:

O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri- tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.[13]

 

7. Parimi i urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja:

Në urdhërim për mirë dhe ndalim nga e keqja qëndron përmirësimi i vendeve dhe robërve, prandaj Allahu i Lartësuar thotë:

Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.[14]

Gjithashtu thotë:

Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun. Sikur ithtarët e Librit të besonin, do të ishte më mirë për ata; ka prej tyre besimtarë të vërtetë, por shumica e tyre janë larg udhës së drejtë.[15]

Po ashtu thotë:

(Megjithatë) ata nuk janë të gjithë njëlloj. Disa nga ithtarët e Librit janë në të drejtën: në orët e natës lexojnë vargjet e Librit të Allahut dhe falin namaz. 114. Ata besojnë Allahun dhe Ditën e Kiametit, e urdhërojnë të mirën, e ndalojnë të keqen dhe nxitojnë për të bërë punë të mira. Këta janë ndër të drejtët.[16]

Njëkohësisht thotë:

Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë.[17]

 

8. Parimi i këshillimit të ndërsjellë:

Allahu i Madhërishëm thotë:

Për ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre, e falin namazin rregullisht dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin; për ata që ndajnë lëmoshë prej asaj që u kemi dhënë Ne;[18]

 

9. Parimi i mëshirës, butësisë, dhembshurisë dhe faljes:

Allahu i Madhërishëm thotë:

Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ata dhe këshillohu me ata për çështje të ndryshme. Kur të vendosësh për diçka, mbështetu tek Allahu. Vërtet, Allahu i do ata që mbështeten tek Ai.[19]

Allahu i Lartësuar thotë gjithashtu:

O besimtarë! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan; të përulur me besimtarët dhe të ashpër me femohuesit; që luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Bujar i madh dhe i Gjithëditur.[20]

Gjithashtu thotë:

Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.[21]

Gjithashtu thotë:

Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe të mërguarve në rrugën e Allahut; le t’i falin ata dhe të mos ua marrin për keq! Vallë, a nuk doni ju që t’ju falë Allahu? Allahu është Falës e Mëshirëplotë.[22]

Gjithashtu thotë:

O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre! Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.[23]

 

10. Parimi i lirisë:

Allahu i Lartësuar thotë:

S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.[24]

Po ashtu thotë:

Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë” Ne kemi përgatitur për mohuesit keqbërës një zjarr, që do t’i rrethojë nga të gjitha anët (si çadra). Nëse do të kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme është ajo e sa strehim i keq është ai (zjarri)![25]

 

11. Parimi i asistencës sociale:

Allahu i Madhërishëm i ka caktuar të varfrit të drejtë në pasurinë e të pasurit, duke mos e bërë atë mirësi të të pasurve ndaj të varfërve. Ai, i Lartmadhërishmi thotë:

Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.[26]

 

 

Marrë nga libri: “El-meusu’atu edh-dhehebijje fi i’ëxhazi ‘l-Kurani ‘l-kerijm ue’s-sunneti en-nebeuijje” – Dr. Ahmed Mustafa Muteuel-li.

Përktheu: J. Kastrati

 


[1] Sureja Al-‘imran 64.

[2] Sureja Gafir 60.

[3] Sureja El-Bekare 186.

[4] Sureja Sad 29.

[5] Sureja Sad 43.

[6] Sureja Ez-Zumer 9.

[7] Sureja Ez-Zumer 18.

[8] Sureja Ez-Zumer 21.

[9] Sureja Gafir 54.

[10] Sureja Et-Talak 10.

[11] Sureja El-Furkan 63.

[12] Sureja El-Kasas 77.

[13] Sureja El-Huxhurat 13.

[14] Sureja Al-‘Imran 104.

[15] Sureja Al-‘Imran 110.

[16] Sureja Al-‘Imran 113, 114.

[17] Sureja En-Nahël 125.

[18] Sureja Esh-Shura 38.

[19] Sureja Al-‘Imran 159.

[20] Sureja El-Maide 54.

[21] Sureja Et-Teube 128.

[22] Sureja En-Nurë 22.

[23] Sureja Et-tegabun 14.

[24] Sureja El-Bekare 256.

[25] Sureja El-Kehf 29.

[26] Sureja Et-Teube 103.