Kurani fisnik është mjeti i parë i qëndrueshmërisë në fe. Ai është litari i fortë dhe nuri i qartë i Allahut. Allahu do ta mbrojë atë që kapet pas tij, do ta shpëtojë atë që e ndjek Kuranin dhe do ta udhëzojë në rrugë të drejtë atë që i fton njerëzit tek ai.
Allahu tregoi qartazi se qëllimi i zbritjes së Kuranit pjesë-pjesë qe forcimi, ndaj, kur iu kundërpërgjigj jobesimtarëve lidhur me dyshimet e tyre, tha:
“Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu. Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë.”[1]
Përse Kurani është burim përforcimi?
- Sepse Kurani mbjell imanin dhe pastron shpirtin duke e lidhur atë me Allahun.
- Sepse këto ajete zbresin si freski e paqe për zemrën e besimtarit, rrjedhimisht nuk mund ta lëkundin erërat e sprovave, ngase me përmendjen e Allahut i qetësohet zemra.
- Sepse Kurani ia dhuron muslimanit përfytyrimet dhe vlerat e vërteta, përmes të cilave i përballon të gjitha rrethanat, njëherazi ia dhuron edhe kriteret, me të cilat i gjykon gjërat, ngase gjykimi që del nga Kurani është i palëkundshëm dhe asnjëherë nuk mund të ketë kundërshti në fjalët e tij, pa marrë parasysh personat a ndodhitë.
- Sepse Kurani u kundërpërgjigjet dyshimeve që i hedhin jobesimtarët dhe mynafikët (hipokritët), siç janë shembujt e gjallë që i përjetoi gjenerata e parë e muslimanëve. Në vijim po sjellim disa shembuj:
1. Si ndikoi në shpirtin e të Dërguarit ﷺ thënia e Allahut të Lartësuar: “Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të urren (o Muhamed)!”[2] kur idhujtarët thanë: “Muhamedin e la...”?![3]
2. Si ndikoi thënia e Allahut:
“Ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve, kurse ky (Kurani) është në gjuhën e qartë arabe.”[4] kur jobesimtarët pretenduan se Muhamedin e mësuakësh një njeri, kinse e marrkësh Kuranin nga një zdrukthëtar romak, i cili ishte në Mekë?!
3. Si ndikoi thënia e Allahut: “Ja, ata ranë pikërisht në sprovë.”[5] në zemrat e besimtarëve kur një mynafik tha: “Më liro, e mos më vër në sprovë?!”
A nuk ishin këto përforcime të njëpasnjëshme?! A nuk ishin forcim për zemrat besimtare, kundërpërgjigje kundrejt dyshimeve dhe stepje për jobesimtarët?!
Po, për Zotin!
Është interesante çështja kur besimtarët ishin duke u kthyer nga Hudejbija, ndërkohë Allahu u pat premtuar atyre se do të merrnin një plaçkë të madhe lufte (atë të Hajberit), gjë të cilën do ta gëzonin së shpejti vetëm ata (që ishin në Hudejbijë). Allahu i lajmëroi gjithashtu se mynafikët do të kërkojnë të shkojnë pas tyre dhe se muslimanët do t'u thonë: 'Kurrsesi nuk do të vini pas nesh', kurse ata do të këmbëngulin dhe do të donin t’i ndërronin fjalët e Allahut e do t'u thonë besimtarëve: 'Ju na e keni zili.' Ndërkaq, Allahu u përgjigjet atyre duke thënë: "Jo, por ata nuk kuptojnë, përveçse pak."[6]
Më pas e tërë kjo bëhet realitet para syve të besimtarëve, fjalë për fjalë e hap pas hapi.
Nga kjo mund ta kuptojmë dallimin mes atyre që jetën e vet e lidhën me Kuranin dhe iu kthyen atij me lexim, mësim përmendsh, shpjegim e përsiatje, të cilët e kanë pikënisje e pikarritje dhe mes atyre që brengë kryesore i bënë fjalët e njerëzve, me të cilat merren pandërprerë.
Ah sikur ata që kërkojnë dituri t’ia kushtonin pjesën më të madhe të kohës mësimit dhe shpjegimit të Kuranit!
Marrë nga libri: "Mjetet e qëndrueshmërisë në Fenë e Allahut", Muhamed El Munexhid
Përkthyer nga: Jusuf Kastrati
______________________________
[1] Surja El Furkan, 32-33.
[2] Surja Ed Duha, 3.
[3] Shih Sahih Muslim, komenti i Neveviut, 12/156.
[4] Surja En Nahl, 103.
[5] Surja Et Teube, 49.
[6] Autori ka për qëllim ajetin vijues:
“Ata që ngelën pas jush, do t’ju thonë, kur të niseni për të marrë plaçkën e luftës: “Na lejoni edhe ne që të vijmë pas jush!” Ata do të donin t’i ndërronin fjalët e Allahut. Thuaju: “Ju kurrsesi nuk do të vini pas nesh, këtë e ka thënë Allahu qysh më parë!” E ata do të thonë: “Nuk është ashtu, por ju na keni zili.” Ah, sa pak që kuptojnë!” Surja El Fet’h, 15 (Shënim i përkthyesit)