Kriteret e fesë së vërtetë

Çdo ithtar feje beson se feja e tij është e vërtetë dhe se pikërisht ajo është feja më ideale dhe rruga më e drejtë. Nëse i pyet pasuesit e feve të devijuara dhe ithtarët e feve të fabrikuara nga dora njerëzore se çfarë argumente keni për besimin tuaj, ata kanë një përgjigje: “Në këtë rrugë i kemi gjetur prindërit tanë dhe ne ecim gjurmëve të tyre!” Pastaj të sjellin rrëfime e lajme, të cilat as nuk janë autentike e as që përmbajtja e tyre është pa mangësi e defekte. Ata mbështeten në libra të trashëguar, për të cilët nuk kanë kurrfarë informacioni se kush i ka thënë e kush i ka shkruar. Madje nuk kanë dijeni se në cilën gjuhë janë shkruar e as se në cilin vend janë gjetur. Ndaj, thjesht janë gjëra të madhëruara kot e të trashëguara brez pas brezi, pa ndonjë shqyrtim e analizë të denjë.

Këta libra të panjohur e anonimë, e këto rrëfime e pasime qorre nuk kanë kurrfarë vlere kur kemi të bëjmë me fenë e besimin. Prandaj, vetvetiu vjen pyetja se sa kanë të bëjnë këto fe me të vërtetën?!

Parimisht, është e pamundur që të gjitha të jenë të vërteta, ngase e vërteta është një dhe nuk është e shumtë dhe e shumëllojshme. Assesi këto fe të devijuara e të sajuara nga njeriu nuk mund të jenë të vërteta dhe nga Zoti. E nëse e vërteta nuk qenka e shumëtrajtshme dhe u konsideruaka vetëm një, cila pra është ajo?!

Atëherë, gjithsesi duhet të ekzistojë një kriter dhe tërësi parimesh, nëpërmjet të cilave mund ta identifikojmë fenë e vërtetë dhe të mos e përziejmë me të kotën. Nëse një fe i përmbush ato parime, atëherë e konstatojmë vërtetësinë e saj, e nëse i mungojnë ato, qoftë pjesërisht apo tërësisht, sakaq konkludojmë se bëhet fjalë për fe të kotë.

 

Kriteret nëpërmjet të cilave mund ta dallosh fenë e vërtetë nga e pavërteta:

Së pari: Ajo fe duhet të jetë nga Zoti, gjegjësisht Ai t’ia ketë shpallur ndonjë profeti nëpërmjet engjëllit, që pastaj ajo fe t’u kumtohet njerëzve. Kjo, ngase feja e vërtetë është feja e Zotit, për të cilën Ai do t’i marrë krijesat në llogari në Ditën e Gjykimit. I Lartësuari thotë:

“Ne të frymëzuam ty (o Muhamed) me shpallje, ashtu siç frymëzuam me shpallje Nuhun dhe profetët pas tij; siç frymëzuam me shpallje edhe Ibrahimin, Ismailin, Ishakun, Jakubin dhe bijtë e tij, Isain, Ejubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin dhe Davudin, të cilit i dhamë Zeburin.” (Kurani, 4:163)

Gjithashtu, Allahu i Madhërishëm thotë:

“Ne, nuk kemi dërguar asnjë profet para teje e që të mos ia kemi shpallur atij: “S’ka të adhuruar me të drejtë përveç Meje, andaj adhuromëni Mua!” (Kurani, 21:25)

Andaj, bazuar në këtë, një fe e cila na vjen nga ndonjë person dhe i përshkruhet atij, e jo Zotit, ajo gjithsesi është e kotë.

Së dyti: Ajo fe duhet të thërrasë të njëzohet Zoti në adhurim dhe të ndalojë idhujtarinë dhe rrugët që shpien në të. Kjo, ngase baza e misionit dhe dogmës së çdo profeti ishte thirrja e njerëzve në njëzimin e Zotit. Çdo profet popullit të tij i ka thënë:

“O populli im! Adhurojeni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij!” (Kurani, 7:59)

Andaj, një fe që përmban idhujtari dhe praktika politeiste, ku përveç Zotit adhurohet edhe dikush tjetër, ndonjë profet, engjëll apo njeri i devotshëm, atëherë ajo fe është e kotë, edhe nëse i përshkruhet ndonjë profetit.

Së treti: Ajo fe duhet të jetë në përputhshmëri me bazat e proklamatave të profetëve, siç është veçimi i Zotit me adhurim dhe promovimi i rrugës së Tij, si dhe ndalimi i veprave të shëmtuara, si idhujtaria, mosrespektimi i prindërve, vrasja e padrejtë e njeriut, punët e turpshme, të hapëta apo të fshehta qofshin ato etj. I Larti thotë:

“Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!” (Kurani, 21:25)

Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm tha:

“Thuaju: “Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit; që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos u afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni.” (Kurani, 6:151)

Po ashtu, thotë:

“Pyeti të dërguarit Tanë, që i kemi nisur para teje, a mos kemi urdhëruar Ne që të adhurohen zota të tjerë, përveç të Gjithëmëshirshmit?!” (Kurani, 43:45)

Së katërti: Ajo fe nuk duhet të jetë kontradiktore, komponentët e së cilës bien në kundërthënie me njëri-tjetrin. Për shembull, vjen me një urdhër të cilin pastaj e përplas me një urdhër tjetër kontradiktor; ndalon diçka me një arsyetim të cilin nuk e merr parasysh në një gjë tjetër të njëjtë sikur ajo, e si rrjedhojë e lejon; apo i ndalon disa gjëra për një palë njerëzish e për disa të tjerë i lë të lejuara. I Lartësuari thotë:

“A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.” (Kurani, 4:82)

Së pesti: Ajo fe duhet të përmbajë urdhrat, ndalesat dhe virtytet morale të ligjësuara nga Zoti, nëpërmjet të cilave ruhen pesë objektivat themelore: feja, nderi, pasuria, jeta e pasardhësit.

Së gjashti: Ajo fe duhet të jetë mëshirë për krijesat, që të shpëtojnë nga padrejtësitë e vetvetes dhe të njëri-tjetrit, pa marrë parasysh se çfarë lloji është ajo padrejtësi, qoftë shkelje e të drejtave, despotizëm apo diskriminim në bazë të moshës etj. Allahu na njofton për mëshirën që e përmbante Teurati, libër ky që i ishte shpallur Musait, paqja qoftë mbi të:

“Dhe, kur Musait i kaloi zemërimi, i mori Pllakat, në të cilat ishin shënuar udhëzimet për rrugën e drejtë dhe mëshira për ata që i frikësohen Zotit të tyre.” (Kurani, 7:154)

Po ashtu, duke na treguar rreth dërgimit të Isait (paqja qoftë mbi të!), Zoti i Madhërishëm thotë:

“Ne do ta bëjmë atë shenjë për njerëzit dhe mëshirë nga ana Jonë!” (Kurani, 19:21)

Gjithashtu, i Madhërishmi thotë për Salihun (paqja qoftë mbi të!):

“Ai tha: “O populli im, mendoni pak! Nëse Zoti im më ka dhënë provë të qartë nga Vetja dhe mëshirë...” (Kurani, 11:63)

E për Kuranin, i Larti tha:

“Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët...” (Kurani, 17:82)

Së shtati: Ajo fe duhet të përmbajë udhëzimin që shpie te ligji i Allahut dhe shpjegimin e duhur rreth këtij ligji. Po ashtu, duhet t’i tregojë njeriut se prej nga ka ardhur e ku është caku i tij!

I Madhërishmi, duke na njoftuar rreth Teuratit, thotë:

“Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita.” (Kurani, 5: 44)

Ndërsa për Inxhilin (Ungjillin) i Larti tha:

“Dhe i dhamë atij Inxhilin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë.” (Kurani, 5:46)

Kurse për Kuranin i Lartmadhërishmi tha:

“(Allahu) Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kuranin) dhe fenë e së vërtetës...” (Kurani, 9:33)

Pra, kjo fe e vërtetë që shpie në ligjin e Allahut duhet t’i sigurojë shpirtit qetësinë e prehjen, duke e flakur çdo pëshpëritje, duke dhënë përgjigje për çdo paqartësi dhe shpjegim për çdo ndërlikim.

Së teti: Ajo fe duhet të promovojë e thërrasë në vlerat e larta dhe sjelljet fisnike, siç janë vërtetësia, drejtësia, besnikëria, turpi, ndershmëria e bujaria dhe të ndalojë nga të këqijat, siç janë mosrespektimi i prindërve, vrasja e njeriut, punët e turpshme, gënjeshtra, padrejtësia, koprracia dhe mëkatet e ndryshme.

Së nënti: Ajo fe duhet t’ia bëjë ithtarit të saj lumturinë realitet. I Lartësuari thotë:

“Ta, Ha. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar.” (Kurani, 20:1-2)

Ajo fe duhet të jetë në përputhshmëri me natyrën e shëndoshë njerëzore.

“...natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit!” (Kurani, 30:30)

Ajo fe duhet të jetë në përputhshmëri me mendjen e shëndoshë, ngase feja e vërtetë është ligj i Zotit, kurse mendja e shëndoshë është krijim i Tij, kështu që s'ka mundësi që ligji dhe krijimi i Zotit të bien në kontradiktë.

Së dhjeti: Ajo fe duhet të të drejtojë nga e vërteta dhe të të paralajmërojë nga e kota. Duhet të të orientojë nga udha e udhëzimit, e të të ftohë nga ajo e devijimit. Ajo duhet t’i thërrasë njerëzit në rrugën e drejtë, ku nuk ka pështjellime e shtrembërime. I Lartësuari na njofton se çfarë i kishin thënë xhinët njëri-tjetrit kur e kishin dëgjuar Kuranin:

“Ata thanë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një Libër të shpallur pas Musait, i cili vërteton shpalljet para tij, udhëzon nga e vërteta dhe tregon rrugën e drejtë.” (Kurani, 46:30)

Ajo fe duhet të mos i thërrasë njerëzit në atë gjë që i shpie në mjerim. I Larti tha:

“Ta, Ha. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), për të të munduar.” (Kurani, 20:1-2)

Ajo fe duhet të mos i urdhërojë me diçka shkatërruese për ta. Fuqiploti tha:

 “...dhe mos e vritni veten (dhe njëri-tjetrin)! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju.” (Kurani, 4:29)

Ajo fe duhet të mos bëjë dallime në bazë të racës, ngjyrës apo fisit. I Madhërishmi thotë:

“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.” (Kurani, 49:13)

Pra, standardi i vetëm që feja e vërtetë e pranon, që nëpërmjet tij disa njerëz të ngrihen më lart se disa të tjerë, është devotshmëria dhe përkushtimi ndaj Zotit.

Pasi t’i shpalosa kriteret, nëpërmjet të cilave arrin të ndash fenë e vërtetë nga ajo e kotë, e për të cilat të solla argumente nga Kurani ku dëshmohej se këto kritere janë konsensuale tek të gjithë profetët e vërtetë të Zotit, tani është e përshtatshme të flasim rreth llojeve të feve.

 

 

Shkëputur nga libri: "Islami, bazat dhe parimet e tij", Muhamed Suhejmi

Përkthyer nga: Hoxhë Mirsim Maliqi