Disa vjet më parë, ndërsa isha në Toronto, më treguan për një njeri që punonte në një flotë tregtare dhe jetonte në det. Një musliman ia kishte dhënë atij një përkthim të Kuranit për ta lexuar. Detari nuk dinte asgjë për Islamin, por kishte dëshirë ta lexonte Kuranin. Pasi mbaroi së lexuari, ia ktheu atë muslimanit dhe e pyeti në kishte qenë Muhamedi detar, ngaqë ishte mahnitur nga përshkrimi i përpiktë i Kuranit për stuhitë e detit. Kur i tregoi se ai nuk kishte qenë i tillë, por përkundrazi ai kishte jetuar në shkretëtirë, kjo gjë kishte qenë e mjaftueshme që ai njeri ta pranonte menjëherë Islamin.
Ai ishte aq i mahnitur me përshkrimin e Kuranit, pasi që i kishte përjetuar vetë shtrëngatat e detit dhe e dinte se ishte e paimagjinueshme që një njeri i cili nuk i ka përjetuar ato të mund t'i përshkruante aq saktësisht. Patjetër se ato duhet t'i ketë përshkruar dikush që i njeh mirë stuhitë e detit.
"...si errësirat në detin e thellë, të cilat mbulohen nga dallgët që ngrihen njëra mbi tjetrën, duke pasur sipër tyre retë..." Kurani (24:40)
Ky është vetëm një shembull që dëshmon se Kurani nuk është i lidhur me ndonjë vend a kohë të caktuar. Sigurisht se as njohuritë shkencore të shprehura në të nuk mund të burojnë nga shkretëtira, katërmbëdhjetë shekuj më parë.
Dr. Garry Miller (Shkëputur nga libri: The Amazing Quran)
Përktheu: Jusuf Kastrati