SUREJA EL-IHLÂS (Mekase - 4 vargje)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit
1. Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!
2. Allahu është Absoluti, (të Cilit i përgjërohet gjithçka).
3. Ai as nuk ka lindur kë, as nuk është i lindur.
4. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”
Shpjegimi i fjalëve
(Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!): Thuaji, o Pejgamber, atyre që të pyesin për Zotin tënd se Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!
(Allahu është Absoluti.): Pra, Allahu është i Vetmi që meriton adhurimin. Absoluti: është Zoti, të Cilit i drejtohen të gjitha krijesat për nevojat e tyre.
( Ai as nuk ka lindur kë): Kjo domethënë se Ai është i pambarim, ngaqë çdokush që lind dikë, patjetër se e ka fundin e vet.
( as nuk është i lindur.): Domethënë nuk është i krijuar. Ai ka qenë dhe do të jetë gjithmonë. Ai është i pafillim dhe i pambarim.
( Dhe askush nuk është i barabartë me Atë!): Domethënë askush nuk i ngjan Atij dhe askush nuk mund të krahasohet me Të, ngaqë askush dhe asgjë nuk është sikurse Ai.
Kuptimi i ajeteve
Këto fjalë të Allahut, gjegjësisht sureja “Ihlas”[1] zbriti si përgjigje ndaj idhujtarëve arabë, të cilët kërkuan nga i Dërguari i Allahut, Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) t’ua përshkruajë Zotin e tij.[2] Kështu që, i Lartësuari i tha të Dërguarit të Tij: Thuaji atyre se Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” Pra, Zoti im është Allahu, i Vetmi që meriton adhurimin dhe çdo adhurim që i bëhet dikujt tjetër është i kotë. Ai është Një dhe i Vetëm në Qenien, në Cilësitë dhe në Veprat e Tij. Prandaj, askush dhe asgjë nuk i shëmbëllen Atij e as që mund të krahasohet me Të, sepse Ai është Krijuesi dhe Pronari i gjithçkaje. Kështu që, në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet krijesa me Krijuesin, Allahun e Lartësuar. Ai është i Vetmi që adhurohet me të drejtë. Atij i drejtohen të gjitha krijesat për nevojat e tyre, kurse Ai nuk ka nevojë për krijesat e Tij, porse të gjitha krijesat varen nga Ai. Ai nuk lind, pra Ai nuk ka fëmijë, pasi që fëmija i ngjan babait të tij, ndërsa Allahut nuk mund t’i ngjajë askush, askush nuk është sikurse Ai. Ai, po ashtu nuk është i lindur, sepse Ai është i pafillim, Ai është i Lartësuari. Dhe askush nuk është i barabartë me Atë! Domethënë askush nuk është i barabartë, i ngjashëm me Të, ngaqë askush dhe asgjë nuk është sikurse Ai dhe njëkohësisht, Ai dëgjon dhe sheh çdo gjë. Prandaj, Ai njihet nëpërmjet njëshmërisë dhe absolutësisë. Njëshmëria nënkupton se Allahu është Një në Qenien, Cilësitë dhe Veprat e Tij, pra askush dhe asgjë nuk mund të barazohet apo të krahasohet me Të. Ndërsa, absolutësia nënkupton se Allahu nuk është i varur nga askush dhe asgjë, kurse të gjitha krijesat janë të varur prej Tij. Ai njihet gjithashtu nëpërmjet Emrave, Cilësive dhe argumenteve të Tij.
Udhëzimet që i nxjerrim nga këto ajete
1- Njohja e Allahut të Lartësuar, nëpërmjet Emrave dhe Cilësive të Tij.
2- Vërtetimi i teuhidit dhe i pejgamberisë.
3- Pavërtetësia e thënies se Allahu ka fëmijë.
4- Detyrimi që ta adhurojmë vetëm Allahun, duke mos i përshkruar asgjë në adhurim, sepse vetëm Allahu është Ai që e meriton adhurimin.
Përktheu: Jusuf Kastrati
Marrë nga libri: “Ejser et-tefasijr” – Ebu Bekër El-Xhezairi
[1] Sipas një hadithi të Pejgamberit (s.a.v.s.), të cilin e transmeton Buhariu, sureja “El -Ihlâs” ka vlerën e një të tretës së Kuranit.
Ndërsa, Muslimi ka transmetuar nga Aisheja r.a. se Pejgamberi i Allahut, Muhamedi s.a.v.s. ka dërguar një njeri në një nga çetat, i cili kur ua falte namazin shokëve të tij e mbaronte atë me “Kul huvAllahu Ehad” (Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!). Kur u kthyen ata i treguan për këtë gjë Pejgamberit s.a.v.s., kurse ai u tha atyre ta pyesnin atë se përse e bën një gjë të tillë. Kur e pyetën, ai iu përgjigj, duke thënë: Në këtë sure përmenden Cilësitë e të Gjithëmëshirshmit, andaj i dua këto ajete dhe kam dëshirë t’i lexojë. Atëherë, i Dërguari i Allahut u tha atyre: “Lajmërojeni atë se edhe Allahu e do atë.”
[2] Tirmidhiu transmeton nga Ubej ibën Ka’bi se idhujtarët i thanë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.: Përshkruana Zotin tënd! Atëherë, Allahu shpalli suren “Kul huve Allahu Ehad, Allahus-Samed”.