Vallë, a nuk e përsiatin ata Kuranin?!

Është muaji i Kur’anit... lexoje dhe meditoje Kur’anin!

“Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kur’ani...” (El-bekare: 185) Zbritja e Kur’anit në këtë muaj ndodhi para se të bëhet obligim agjërimi i tij, pra muaji i Ramazanit para se të jetë muaj i agjërimit është muaj i Kur’anit.

Në këtë muaj u bënë bashkë dy karakteristika, këtë e kuptuan shumë mirë të parët tanë të devotshëm, andaj e agjëruan këtë muaj dhe i gjallëruan ditët dhe netët e tij duke lexuar dhe medituar Kur’anin Famëlartë dhe braktisën çdo gjë tjetër.

Sikur këtë Kuran t’ia shpallnim ndonjë mali, ti do ta shihje atë të përulur dhe të copëtuar nga frika e Allahut. Shembuj të tillë Ne u japim njerëzve, që ata të meditojnë. (El-Hashr: 21) Paramendo! Në qoftë se ky Kur’an do të zbriste mbi ndonjë mal madhështor, mali do të përulej, madje do të qahej e copëtohej nga frika! Ndërsa, kjo zemra jote, e cila është sa një pjesë tepër e vogël e malit, po ta krahasonim me të, sa ka dëgjuar dhe ka lexuar Kur’an, por megjithatë nuk frikësohet, nuk përulet?! Në këtë çështje ekziston vetëm një fshehtësi: kjo zemër nuk e ka medituar Ku’ranin!

Prof. Dr. Nasir El-Umer

 

Në qabe, mund t’i gjesh pesëdhjetëmijë njerëz duke lexuar Kur’an, porse, kam frikë se nuk mund t’i gjesh as pesëdhjetë prej tyre që e kuptojnë domethënien e asaj që lexojnë. Nuk e mohoj se lexuesi i Kur’anit, sido që të jetë, shpërblehet, por Allahu i Lartësuar thotë: “Vallë, a nuk e përsiatin ata Kuranin apo në zemrat e tyre kanë dryna?!” (Muhammed: 24)

Vallë, kur do t’i thyejmë këta dryna që më në fund ta kuptojmë Fjalën e Allahut?!

Ali Tantavi

 

Nëse e pyet cilindo musliman, a beson se Kur’ani është udhëzim, dritë, mëshirë, shërim dhe jetë për zemrat, do të përgjigjet pa u hamendur “Po, gjithsesi”! Mirëpo, është për të të ardhur keq, kur e kupton se shumë muslimanë nuk e njohin Kur’anin përveçse në muajin Ramazan! Njeriu i tillë është sikurse ai që thotë se nuk ka nevojë për udhëzimin, dritën, mëshirën dhe shërimin e Allahut e as për atë që është jetë për zemrën e tij, plot njëmbëdhjetë muaj!

Dr. Umer El-Mukbil

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Përmblodhi: Qendra “Tedebbur” për Studime dhe Konsultime, Riad


Revista Shembulli