Imani dhe besimi i mirëfilltë është motivues i fortë për të vënë njeriun në lëvizje. Të besosh Allahun si duhet do të thotë të përjetosh deri në skajshmëri faktin se Ai është Krijuesi dhe Sunduesi absolut i kësaj gjithësie, se Atij nuk i mungon asgjë, nuk është i varur nga veprat tona. Madje, le të jenë edhe më të mirat e mundshme dhe përsëri nuk ia shtojnë pushtetin dhe nuk e bëjnë më Zot se që është. Por edhe po u rebeluan njerëzit dhe bëjnë veprat më të liga që vijnë në kundërshtim me kënaqësinë e Tij, nuk ia pakësojnë pushtetin. Në të njëjtën kohë, pozicioni i njeriut është ai i robit, i të përulurit i cili zgjedhjen e vet, me shumë përkushtim i dëgjon dhe respekton urdhërat e Zotit të vet.
Ky besim duhet të ngritet në nivelin e bindjes se Allahu është i Gjithëdijshmi dhe i Urti, i Gjithëmëshirshmi dhe i Miri, e që çdo gjë që ka kërkuar prej neve është absolutisht me vend dhe në rregull, është për të mirën dhe dobinë tonë, edhe atëherë kur ne mund të mos i kuptojmë të gjitha urtësitë e atyre urdhëresave dhe udhëzimeve. Duhet besuar se të gjitha obligimet kanë arsye dhe kuptim, se janë plotësisht në përputhje me natyrën e njeriut dhe të përshtatshme për nevojat dhe mundësitë e tij. Gjithë dispozitat i përshkon fryma e lehtësisë dhe në asnjë mënyrë nuk bëhen për t’ia vështirësuar apo rënduar jetën njeriut. Edhe përtej kësaj ka reflektime konkrete që jetën e besimtarit e bëjnë të këndshme, adhurimet e tija të frytshme dhe sjelljen e veprat e tij të matura.
Lidhur me refleksionin e agjërimit, thotë i Dërguari i Allahut: “Kush nuk e braktis gënjeshtrën dhe të vepruarit sipas saj, Allahu nuk ka kurrfarë nevojë që ky ta braktis ushqimin dhe pijen.” (Buhariu) Kjo do të thotë se adhurimi i kryer pa refleksione konkrete në sjellje dhe praktikë është i pavlerë, ngase i mungon fryma dhe shpirti.
Në anën tjetër, motivi i veprës dhe adhurimit është që nëpërmjet saj të dëshmosh praktikisht se je i gatshëm të sillesh si rob i Zotit Fuqiplotë dhe të meritosh shpërblimin që Ai e ka premtuar, shpërblim ky që nuk duhet të imagjinohet vetëm si “sevape” në Botën e Përtejme, por shpërblim shumëdimensional që e përcjell njeriun në të gjitha fazat e ekzistencës së tij. Të llogarisësh në këto shpërblime është të harrosh veten dha mangësitë tua, por t'a kujtosh Allahun dhe madhështinë e Tij dhe të mendosh për Mëshirën dhe bujarinë e Tij. Ai, thjesht, dëshiron të na pastrojë, të na falë, të na begatojë dhe të na çojë në xhenet.
Hoxhë Ekrem Avdiu