Me dhjetë fytyra

Vëlla, a njeh në këtë kohë ndonjë njeri me dy fytyra?

Unë nuk njoh!

Shumica e njerëzve sot janë me dhjetë fytyra. Nuk kanë mbetur sot vetëm me dy, disa edhe me njëzet fytyra, me pesëdhjetë, e njëqind... Vështirë është të gjesh me dy fytyra, janë të rrallë këta!

Vallë, a thua ku është i sinqerti, i cili njihet vetëm me një fytyrë?

Allahu im! Na bëj prej robërve të Tu të sinqertë!

Po, vëlla! Shumë njerëz janë me ty në xhami, këmbët e tyre pranë këmbëve të tua, krahët e tyre pranë krahëve të tua. Kokat e tyre afër kokës tënde në sexhde. Të gjithë të nënshtruar para Allahut dhe i luten Atij. E, më pas, kur del prej xhamisë ka tjetër fytyrë (nga ajo që kishte në xhami). Kur hyn në shtëpi me gruan dhe me fëmijët del me fytyrën e tretë. Në punë me fytyrën e katërt. Nëse ka ndonjë punë me ndonjë grua të huaj, është i butë, i qetë, i mirë me një fytyrë të pestë. Kur ka ndonjë punë me burra është me fytyrën e gjashtë. Kur ka të bëjë me personalitete ose me njerëz më të ngritur se ai, është më fytyrën e shtatë. Kur janë në nivel më të ulët se ai, fukaratë, të dobëtit, me fytyrën e tetë. Kështu me radhë me fytyrë të nëntë, të dhjetë...

Kush je ti?!

Kush je ti, o rob i fytyrës?!

Prej këtyre fytyrave, cila është fytyra jote e vërtetë?

Deri kur ti kështu do t’i ndërrosh këto fytyra?

Deri kur ti do të jesh mashtrues?

Vallë, a nuk po e di se vërtet Allahu i Lartësuar i sheh të gjitha këto fytyra?

Allahu të sheh këtu e atje, të sheh tani dhe të sheh nesër!

Kur sëmuret, pronari i fytyrave është me një fytyrë. Kur është i shëndoshë me tjetër fytyrë. Kur e kap varfëria me një tjetër fytyrë. Kur arrin pasuri mban një tjetër fytyrë.

Kështu, pronari i fytyrave të shumta aspak nuk turpërohet prej Allahut, edhe pse Ai e sheh.

Kush je ti vëlla?

Përgjigju kësaj pyetjeje. Kush je ti?

Cila është fytyra jote?

Cili është personaliteti yt?

Cila është rruga jote?

Pse po jeton me njëzet fytyra e njëzet ngjyra dhe me njëzet mënyra?

A nuk ke turp prej Allahut, edhe pse Ai të sheh?

Vëlla, duhesh të jesh vetëm një, bëhu posedues i një fytyre të vetme dhe ec vetëm në një rrugë.

Vëlla, cilën fytyrë dëshiroj për ty?

Për ty dëshiroj fytyrën e robit të Allahut, të jesh rob i Tij. Rob i cili përulet në ruku dhe në sexhde, lexon

Kuran, i nënshtrohet dhe i përulet Krijuesit Allah.

Dëshiroj të jesh rob i Allahut në shtëpi, rob i Allahut në xhami, rob i Allahut në rrugë, rob i Allahut në punë, rob i Allahut kur njerëzit të njohin dhe kur nuk të njohin, edhe kur të jesh në vetmi pa askënd, pos Allahut. Allahu është Ai i Cili të sheh këtu dhe atje.

Turpërohu prej Allahut, që mos të të shohë me fytyrën që Ai nuk të njeh ty.

Muhamed Husejn Jakub
Përktheu dhe përshtati: Ulvi Fejzullahu


Revista Shembulli