Sunneti dhe Bidati

Sunnet në kuptimin gjuhësor domethënë: mënyrë, rrugë, metodë.

Ndërsa, në kuptimin fetar nënkupton fjalët, veprat dhe pëlqimet e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!).

Kurse fjala bidat në kuptimin gjuhësor domethënë: risi, qoftë në fe apo jashtë saj.

 

Ndërsa, në kuptimin fetar nënkupton çdo ibadet të futur në fe, për të cilin nuk ka bazë në Kur'an e as në sunnet.

I dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) porositi ummetin e tij ta pasojnë sunnetin dhe të kapen pas tij dhe ua tërhoqi vërejtjen nga bidatet. Ai ka thënë: "Kapuni pas sunnetit tim dhe sunnetit të kalifëve (prijësve) të drejtë që vijnë pas meje. Kapuni pas tij, shtrëngojeni atë me dhëmballë dhe kujdes nga gjërat e shpikura, sepse çdo bidat (risi në fe) është lajthitje." Hadithin e transmetojnë Imam Ahmedi, Ebu Davudi dhe të tjerët.

Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!), gjithashtu ka thënë: "Ai që fton në ndonjë udhëzim (të mirë) do ta ketë shpërblimin e atyre që e pasojnë pa iu pakësuar atyre aspak shpërblimi, ndërsa ai që thërret në ndonjë devijim do ta ketë mëkatin e atyre që e pasojnë pa iu pakësuar atyre aspak mëkati."

Cilët janë pasuesit e sunnetit?

Pasuesit e sunnetit janë ithtarët e sunnetit, të cilët kapen pas tij, e mësojnë dhe e kuptojnë atë, pos kësaj thërrasin njerëzit në të. Bazat e tyre burojnë nga Kur'ani dhe sunneti. Ata besojnë në këto dy burime dhe ndjekin këtë rrugë. Ndërsa, ai që i kundërshton ata është bidatçi i humbur.

Parimet e tyre janë të shumta, por ne po i cekim vetëm disa prej tyre:

Ata nuk i konsiderojnë mëkatarët muslimanë si jobesimtarë, edhe nëse bëjnë mëkate të mëdha.

I donë familjen e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) dhe shokët e tij.

Ndjekin gjurmët e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) dhe largohen nga gjërat e shpikura.

I besojnë kerameteve të evliave (të dashurve të Allahut).

Ata urdhërojnë për mirë dhe ndalojnë nga e keqja, duke qenë të kapur pas këtyre parimeve dhe mendojnë se haxhi, xhihadi dhe namazi bashkë me udhëheqësit janë të lejuar, qofshin ata të mirë apo të këqij. Njëkohësisht, porosisin për durim, thërrasin në vlerat e moralit, në vepra të mira, në bamirësi ndaj prindërve, në përmirësimin e lidhjeve farefisnore, në fqinjësi të mirë dhe në bamirësi ndaj të varfërve dhe bonjakëve.

Pyetje

1. Çka domethënë sunnet në kuptimin gjuhësor dhe atë fetar?

2. Çka domethënë bidat në kuptimin gjuhësor dhe atë fetar?

3. Me çka e porositi Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) ummetin?

4. Nga cila gjë ua tërhoqi vërejtjen Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) ummetit?

5. Cilët janë pasuesit e sunnetit?

6. Përmend disa parime të pasuesve të sunnetit, të nxjerra nga Kur'ani dhe sunneti?

7. Cili është gjykimi për atë që kundërshton pasuesit e sunnetit në parimet e tyre?

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: “Et-Teuhid” - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.