Për agjëruesin (18)

Ajet Kuranor:

Allahu i Madhërishëm thotë:

“dhe ata që mbajnë lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të mbahen, që kanë frikë Zotin e tyre e i frikësohen llogarisë së rëndë” [Kuran 13:21]

Hadith

I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Nuk është mbajtës i lidhjeve farefisnore ai që i mban ato këmbyerazi, por ai që i lidh ato kur shkëputen.”

Gjurmë:

Ali Ibën El-Husejni i tha të birit: “O bir! Mos u shoqëro me atë që i shkëput lidhjet farefisnore, sepse unë e kam parë se ai është i mallkuar tri herë në Librin e Allahut.”

Ndriçim:

Ibën Ebi Hamza thoshte: “Kuptimi gjithëpërfshirës i lidhjes farefisnore është: lidhja e çdo gjëje të mirë aq sa është e mundur dhe shmangia nga të këqijat sipas mundësive.”

Si mbahen lidhjet farefisnore?

Lidhjet farefisnore mbahen nëpërmjet vizitave, përkrahjes me pasuri, përgjigjes ndaj ftesave, urimeve, ngushëllimeve, ndihmesës në larjen e borxheve, telefonatave, mesazheve telefonike dhe elektronike e kështu me radhë.


Shkëputur nga libri: “Jeumijat saimeh” (Hakibetu saimat) – të autorëve dr. Adil Esh-Shiddi dhe dr. Ahmed El-Mezjed

Përktheu: Jusuf H. Kastrati – Shembulli.com