Elhamdulilah ue salatu ue selam ala resulilah
“Hauarixh”, është një fjalë që po qarkullon shumë kohët e fundit, dhe me të po etiketohen grupe dhe organizata të ndryshme, qoftë kjo me të drejtë ose pa të drejtë. Kështu që, e pashë të nevojshme të ndalem për të qartësuar karakteristikat e hauarixhëve, siç janë përshkruar në traditën profetike, në mënyrë që çdokujt ti japim vendin që i takon, sesa përputhen ose jo këto karakteristika me ta.
Në traditën profetike nuk gjejmë të ketë paralajmërim për ndonjë sekt që do të dalë në mesin muslimanëve, veçse për hauarixhët. Për ta përcillen nga Profeti më shumë se njëzet hadithe autentike (sahih ose hasen) dhe kjo për vetë dëmin e madh që ata i bëjnë muslimanëve, për paqartësinë që shkaktojnë mes njerëzve dhe për hutimin mashtrues që ata lënë mes tyre. Kjo vjen, sepse ata në paraqitjen e tyre janë njerëz të mirë dhe të devotshëm, por se lëvizja e tyre nuk mjaftohet vetëm tek idetë dhe bindjet, por i tejkalon kufijtë deri në vrasje.
Disa nga karakteristikat e qëndrueshme të tyre janë:
1. Të rinj në moshë. Në të shumtën rasteve ata janë të rinj dhe pak gjen mes tyre njerëz të thyer në moshë apo burra me përvojë në jetë. Profeti (alejhi salatu ue selam) për ta ka thënë: “dhëmbë të rij” Ibn Haxheri duke komentuar këtë hadith thotë: “kjo shprehje do të thotë se ata janë të vegjël në moshë.” (el-feth 12/287)
2. Të cekët dhe mendjelehtë. Pjesa dërmuese e hauarixhëve dhe ata që praktikojnë idetë e tyre, janë të rinj që dominohen nga mendjelehtësia, zelli i tepruar dhe nxitimi, mungesa e vizionin dhe e perceptimit të gjërave, horizonti i ngushtë dhe mungesa e dijes, siç përshkruhen në hadithin autentik: “Në kohën e fundit do shfaqen njerëz me dhëmbë të rij, me arsye mendjelehtë” Neveviu duke komentuar këtë thotë: “Nga këto fjalë përfitojmë faktin se, siguria dhe forca e dijes së qëndrueshme arrihet me plotësimin e moshës, përvojës së madhe dhe forcën e arsyes.”
3. Vetëmashtrimi dhe vetëkënaqësia. Hauarixhët njihen si njerëz që e mbajnë veten me të madh dhe ndjejnë epërsi ndaj të tjerëve. Ata kënaqen me veprat e tyre, ndaj dhe krenohen me atë çfarë kanë bërë dhe kanë realizuar! Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Në mes jush ka të atillë që adhurojnë Zotin dhe i habisin njerëzit duke iu pëlqyer atyre dhe u pëlqen edhe vetja, depërtojnë në fe siç e tejkalon shigjeta gjahun.” (Ahmedi nr.12886) Vetëmashtrimi i shtyn këta njerëz të pretendojnë se kanë dije e madje flasin keq edhe për dijetarët, kjo cilësi e tyre i shtyn të përballen me ngjarje të mëdha, pa pasur përvojë dhe vizion dhe pa iu referuar njerëzve të dijes dhe të mençurve.
4. Të zellshëm në adhurim. Këta njerëz janë adhurues të mëdhenj, falen dhe agjërojnë, lexojnë Kuran, përmendin shpesh Zotin dhe janë njerëz të sakrificës për fenë. Kjo i tërheq njerëzit që hutohen pas tyre. Dhe pikërisht për këtë arsye Profeti (alejhi salatu ue selam) në përshkrimin e tij për ta e tërheq vëmendjen qartë te kjo karakteristikë duke thënë: “Këndimi juaj (i Kuranit) nuk është asgjë para këndimi të tyre, as namazi i juaj para namazit të tyre dhe as agjërimi juaj para agjërimit të tyre.” (Muslimi nr. 1066) dhe Profeti gjithashtu ka thënë: “Ndonjëri prej jush nuk do ti japë vlerë namazit të tij para namazit që bëjnë ata, dhe as agjërimit të tij para agjërimit të tyre.” (Buhariu & Muslimi) Nëse shokët e Profetit nuk e vlerësonin namazin e tyre para namazit të këtyre njerëzve, po me të tjerët si mund të jetë?! Ibn Abasi kur u takua me ta tregon: “Pasi u futa në mes tyre pashë se, nuk kishte njerëz që sfiliteshin më shumë se sa ata në adhurim, duart e tyre u ngjanin kyçeve të devesë (të rrudhura), fytyrat e tyre ishin me shenja nga gjurmët e sexhdes” (El-musanef Abdurrezak nr. 18678)
5. E keqkuptojnë Kuranin. Ata e lexojnë shumë Kuranin dhe argumentohen me të, por pa pasur dije dhe pa e kuptuar atë, përkundrazi i vendosin ajetet e Kuranit jo në vendin e duhur, dhe pikërisht për këtë arsye në hadith ata përshkruhen me këto fjalë: “e lexojnë Kuranin dhe mendojnë se është në krahun e tyre, por ai është kundra tyre. E lexojnë librin e Allahut pa pushim, por ai nuk ua kalon gurmazin.” Imam Neveviu duke komentuar thotë: “Ata nuk përfitojnë nga Kurani vetëm se leximin me gjuhë, nuk ua kalon gurmazin për t’iu mbërritur në zemër. Nuk është kjo ajo që kërkohet, por ajo që duhet është se, Kurani duhet meditohet në ajetet e tij dhe ai duhet të hyjë në zemër.” Shejhul islam Ibn Tejmije ka thënë: “Një nga risitë e para ishte bidati i hauarixhëve, që erdhi si pasojë e keqkuptimit të Kuranit, ata nuk kishin si qëllim të binin ndesh me të, por kuptuan prej tij atë që nuk duhet.” (Mexhmu el-fetaua 13/30) Pikërisht nisur nga ky realitet Abdullah ibn Umeri ka thënë për ta: “Pikënisjen e morën nga ajetet që kishin ardhur për qafirët, por i aplikuan ato për besimtarët!” (Buhariu talikan) Ibn Haxheri ka thënë: “Ata emërtoheshin si “kurra” (lexues të Kuranit), sepse ata ishin shumë të zellshëm në leximin e tij dhe në adhurim, por se ata e interpretonin Kuranin jo sipas qëllimit të tij, nuk pranonin mendim tjetër nga ai i tyre dhe sfiliteshin në asketizëm, në përqendrimin në adhurim etj.” (Fethul bari)
6. Flasin bukur. Ata flasin bukur dhe mirë, askush nuk i rivalizon për ligjërim dhe kumtin që japin! Janë njerëz të polemikave, i ftojnë njerëzit të gjykojnë me sheriatin e Zotit dhe që gjykimi ti përkasë vetëm Allahut, ftojnë që të luftohen qafirët dhe ata që braktisin fenë (renegatët, murtedët), mirëpo në realitet veprimet e tyre bien ndesh me çfarë thonë! Profeti (alejhi salatu ue selam) për ta ka thënë: “Dinë të flasin mirë, por veprojnë gabim, thonë fjalë të vërteta, thonë më të mirat fjalë që thonë njerëzit.” Sindi duke komentuar këtë thotë: “Kjo do të thotë se ata thonë në dukje fjalë që janë nga fjalët më të mira që thonë njerëzit, si p.sh.: gjykimi i takon vetëm Allahut, ejani të gjykojmë me librin e Allahut, etj.”
7. Tekfiri dhe gjakderdhja. Në veçanti kjo është ajo karakteristikë që i dallon ata nga të tjerët, sepse hauarixhët i bëjnë qafirë njerëzit me pa të drejtë dhe për rrjedhojë e lejojnë vrasjen e kundërshtarëve të tyre, siç i ka përshkruar Profeti (alejhi salatu ue selam) kur ka thënë për ta: “Vrasin pasuesit e Islamit dhe i lënë mënjanë ithtarët e idhujve.” (Buhariu & Muslimi) Ibn Tejmije thotë: “ky është qortimi më i madh që i ka bërë Profeti (alejhi salatu ue selam) atyre.” (Mexhmu el-fetaua) Arsyeja pse ata vrasin muslimanë është sepse ata i konsiderojnë ata qafirë. Kurtubui ka thënë: “Kjo, sepse pasi ata i gjykuan si qafirë muslimanët prej të cilëve u larguan dhe kështu që lejuan vrasjen e tyre.” (el-mufhim) Ibn Tejmije për ta ka thënë: “Ata e lejojnë vrasjen e atyre që i drejtohen Qabesë (muslimanëve), sepse ata besojnë se ata janë renegatë, dhe këtë e shohin më parësore sesa vrasjen e qafirëve që nuk janë renegatë.” (Mexhmu el-fetaua) Po ashtu ai thotë: “e konsiderojnë si qafir atë që nuk pajton me ta në bidatin e tyre dhe e lejojnë cenimin e gjakut dhe pasurisë së këtij njeriu. Të tillë janë bidatçinjtë, nxjerrin një bidat dhe i bëjnë qafirë ata që nuk janë dakord me ta.” (Mexhmu el-fetaua)
Tekfiri tek hauarixhët ka forma të shumta, si p.sh: nxjerrja nga feja e atij që bën gjynahe të mëdha, nxjerrja nga feja për diçka që nuk është gjynah, nxjerrja nga feja me hamendje, dyshime dhe opsione të mundshme, ose për çështje që ka hapësira ixhtihadi (opinionesh) dhe mospajtimi është i pranueshëm, nxjerrja nga feja pa pasur parasysh plotësimin e kritereve dhe eliminimin e pengesave, nuk i justifikojnë njerëzit me padije dhe as me interpretimet e gabuara që mund të kenë, i nxjerrin nga feja njerëzit me përfundimet logjike të thënieve të tyre, e lejojnë vrasjen e atyre që i nxjerrin nga feja pa i gjykuar, pa i marrë në pyetje dhe pa i kërkuar të pendohen. Për ta Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “depërtojnë në fe siç e tejkalon shigjeta gjahun” në këtë hadith ai e “krahason hyrjen e tyre në fe si shigjeta që depërton brenda trupit të gjahut dhe nga forca e goditjes del prej tij dhe nuk i ngelet asgjë në të nga ky gjah.” (el-ajni fil umde) Në një hadith tjetër për ta thuhet: “Ata janë krijesat më të liga” (Muslimi) dhe “Lum për ata që i vrasin dhe e vrasin atë” (Ahmedi) Ibn Haxheri thotë: “Nga kjo kuptohet se hauarixhët janë sekti më i lig mes bidatçinjve, në mesin e umetit të muhamedan.” (fethul bari)
8. Përdorim i simboleve të veçanta, që i dallon nga të tjerët. Hauarixhët në çdo kohë përdorin simbole që i dallon nga njerëzit e tjerë. Ky simbol mund të jetë një flamur, veshje e veçantë, ngjyrë e veçantë, pamje e veçantë etj. Një nga simbolet e tyre në kohën e Ali ibn Ebi Talibit (r.a.) ishte rruajtja e kokës, siç pati thënë Profeti (alejhi salatu ue selam) për ta: “shenja e tyre është rruajtja (e kokës)” (Buhariu) Ibn Tejmije ka thënë: “Kjo shenjë ishte shenjë e atyre që ishin hauarixhët e parë, siç qe Dhu Thudije, jo se kjo është një shenjë e përhershme e tyre.” (Mexhmu el-fetuau 497/28) Ndërsa Kurtubiu thotë: “Rruajtja e kokës ishte shenjë e hauarixhëve, që tregonte se ata refuzonin bukuritë e kësaj bote, dhe si shenjë me të cilën ata dalloheshin nga të tjerët.” (el-mufhim)
El-hamdulilahi rabil alemin
Amar es-Sejasine
Burimi: http://islamicsham.org/article/1554
Përktheu: Justinian Topulli