Kuptimi i fjalës teberruk:
Fjala teberruk (تبرّك) gjuhësisht domethënë shtim dhe vazhdimësi e diçkaje.
Kurse, në terminologjinë fetare teberruk domethënë: Kërkimi i bereqetit dhe shpresa në arritjen e tij.
Llojet e teberrukut:
1. Teberruku i ligjësuar (تبرّك مشروع).
2. Teberruku i ndaluar (تبرّك ممنوع).
Teberruku i ligjësuar:
1. Teberruku (kërkimi i bereqetit) nëpërmjet qenies së Pejgamberit Muhamed - sal-lallahu alejhi ue sel-lem - dhe nëpërmjet asaj që shkëputet nga trupi i tij. Ky lloj i teberrukut është i veçantë për kohën kur ka qenë gjallë Pejgamberi - sal-lallahu alejhi ue sel-lem -, pra ka qenë i lejuar vetëm në atë kohë.
2. Kërkimi i bereqetit me fjalë dhe vepra të ligjësuara, të cilat kur i bën njeriu ka hajr dhe bereqet, siç janë leximi i Kuranit, përmendja e Allahut, prania në vende ku mësohet feja etj.
3. Kërkimi i bereqetit në ato vende që i ka bërë Allahu të bereqetshme, siç janë xhamitë dhe vendet si Meka, Medina dhe Shami.
Me kërkim të bereqetit në këto vende kemi për qëllim bërjen e veprave të mira dhe adhurimin e Allahut në to, duke bërë vepra të ligjësuara e jo duke i prekur muret a shtyllat që gjenden në to.
4. Kërkimi i bereqetit në kohë që i ka veçuar Allahu me vlerë dhe bereqet, sikurse që janë muaji i ramazanit, dhjetë ditët e muajit dhul-hixhxhe, Nata e Kadrit, pjesa e tretë e natës etj.
Kërkimi i bereqetit në këto kohë bëhet duke i shtuar punët e hajrit dhe duke e adhuruar Allahun me vepra të ligjësuara.
5. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet ushqimeve që i ka bërë Allahu të bereqetshme, siç janë vaji i ullirit, mjalti, qumështi, fara e zezë dhe uji i zemzemit.
Teberruku i ndaluar:
1. Kërkimi i ndaluar i bereqetit nëpërmjet vendeve dhe sendeve:
Shembuj:
a. Prekja dhe fërkimi i mureve të atyre vendeve, bereqeti i të cilave është vërtetuar sheriatikisht, po ashtu edhe puthja e dritareve dhe shtyllave të atyre vendeve, si dhe kërkimi i shërimit nëpërmjet dheut të tyre.
b. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet varreve të njerëzve të mirë dhe tyrbeve.
c. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet vendeve që kanë të bëjnë me ngjarje historike, siç janë vendi i lindjes së Pejgamberit Muhamed - sal-lallahu alejhi ue sel-lem -, shpella “Hira”, shpella “Theur” etj.
2. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet kohëve:
Bërja e veprave që nuk janë të ligjësuara sipas sheriatit dhe ibadeteve të shpikura në ato kohë, bereqeti i të cilave është vërtetuar sheriatikisht.
Kërkimi i bereqetit nëpërmjet atyre kohëve, bereqeti i të cilave nuk është vërtetuar sheriatikisht:
Këtu hyjnë mevludi i Pejgamberit - sal-lallahu alejhi ue sel-lem -, nata e israsë dhe mi’raxhit, nata e mesit të muajit shaban dhe po ashtu ditët dhe netët e ngjarjeve historike.
3. Kërkimi i ndaluar i bereqetit nëpërmjet qenieve të njerëzve të mirë dhe gjurmëve të tyre:
Kërkimi i bereqetit nëpërmjet qenies së ndonjë njeriu është i ndaluar. Kjo ka qenë e lejuar të bëhet vetëm me qenien e pejgamberit Muhamed - sal-lallahu alejhi ue sel-lem - gjatë kohës sa ishte gjallë.
Rregulla të rëndësishme lidhur me teberrukun:
1. Teberruku (kërkimi i bereqetit) është ibadet, ndërsa ibadetet, në thelb, janë të ndaluara, derisa të vijë ndonjë argument që dëshmon se ato janë të ligjësuara.
2. I tërë bereqeti vjen vetëm nga Allahu, Ai është Pronari dhe Ai që e dhuron atë, për këtë arsye nuk bën të kërkohet bereqeti nga dikush tjetër pos Allahut.
3. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet atyre gjërave, bereqeti i të cilave është vërtetuar sheriatikisht, u bën mirë vetëm besimtarëve të vërtetë në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij - sal-lallahu alejhi ue sel-lem.
4. Kërkimi i bereqetit nëpërmjet atyre gjërave, bereqeti i të cilave është vërtetuar sheriatikisht, duhet të bëhet në mënyra të ligjësuara dhe të mos shpiken mënyra që nuk i kanë bërë selefët (të parët tanë të devotshëm).
Shkëputur nga libri “Et-Teuhijd el-mujesser” i autorit Abdullah El-Huvejl
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com