Ajet kuranor
Allahu i Madhërishëm thotë:
﴿قُلْ إِنَّ هُدَى اللَّهِ هُوَ الْهُدَى وَأُمِرْنَا لِنُسْلِمَ لِرَبِّ الْعَالَمِينَ٧١ وَأَنْ أَقِيمُوا الصَّلَاةَ وَاتَّقُوهُ وَهُوَ الَّذِي إِلَيْهِ تُحْشَرُونَ٧٢﴾
“Thuaj: “Udhëzimi i Allahut është i vetmi udhëzim i drejtë! Ne jemi të urdhëruar t’i nënshtrohemi Zotit të botëve, të falim namazin dhe ta kemi frikë Atë.” Dhe është Ai, para të Cilit do të tuboheni.” (Kurani, 6:71-72)
Thënie profetike
I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ, ka thënë:
"Gjëja e parë për të cilën robi do të merret në llogari Ditën e Gjykimit është namazi. Nëse atë e ka si duhet, çdo gjë tjetër do ta ketë në rregull. Mirëpo, nëse atë nuk e ka si duhet, as punët e tjera s’do t'i ketë në rregull."
[E shënojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.]
Urtësi
Burhanudin el Bekaiu ka thënë: "Atij që i ruan namazet, Allahu ia përmirëson gjendjen në këtë botë dhe në botën e amshuar."
Ka kohë, falem kur të plakem (!)
Askush nuk e di si e kur do t'i vijë vdekja. Ajo nuk pyet moshë e as gjini. Vdekja vjen krejt papritmas, sidomos në kohën që po jetojmë tani, që, për shkak të sëmundjeve të shumta vdekjeprurëse e aksidenteve fatale, vdekja e të rinjve dhe të rejave është bërë më se normale. Andaj, rri i përgatitur në çdo moment, sepse vdekja ndjek shpirtin sikurse hija trupin.
Këshillë
Bëhu gati për Ditën kur do të japësh llogari. Në asnjë mënyrë mos e tako Allahun pa namaz, ngase do të jesh i dëshpëruar përherë!
Përgatiti: Hoxhë Jusuf Kastrati