Aroma e këndshme e Ebu Bekër El-Miskut

Aroma e mirë i është dhënë Ebu Bekër El-Miskut për shkak të dëlirësisë morale.

- Prej nga e nuhasim këtë erë të miskut pandërprerë që del nga trupi yt, cili është shkaku dhe si ke mundësi që gjithnjë të jesh i parfumuar?

 

- Ai u betua duke thënë: Vallahi ka vite që nuk jam parfumuar, mirëpo shkak i kësaj është se një grua më është vardisur për të bërë zina (kurvëri) aq shumë saqë më ka mashtruar dhe më ka futur në shtëpinë e saj, ma ka mbyllur derën dhe ka dashur që me çdo kusht të bëjë zina me mua.

Gjendesha në pozitë shumë të vështirë. Vetvetja ime ishte në luftë në mes të epshit dhe imanit. U ndala dhe mbeta në mes të dy zgjidhjeve: të bëja zina apo të shmangesha nga ajo. Dhe për një çast i thashë asaj se më duhet ta kryej nevojën, kurse ajo e urdhëroi shërbëtoren e saj për të më drejtuar dhe ruajtur që të mos ikja.

Kur hyra aty, duke e parë vetveten pa rrugëdalje, mora prej ndyrësirës dhe e gjuajta në tërë trupin tim. Pastaj u ktheva tek ajo duke qene në atë gjendje të ndyrë. Kur ajo më pa, u irritua shumë dhe urdhëroi që të më nxirrnin jashtë. Dola prej aty dhe u nisa për në shtëpinë time për t'u pastruar.

Atë natë ëndërrova dikë duke më thënë: “Ke bërë atë që nuk e ka bërë askush pos teje; kështu që do të ta bëjmë erën tënde aromë të këndshme në dynja dhe në ahiret.” Kur u zgjova në mëngjes, vërejta se nga trupi im dilte aromë shumë e mirë dhe ja ... ajo vazhdon edhe në ditët e sotme.”

 

Nga arabishtja Irfan ISLAMI