E vërteta rreth vlerës së muajit Rexheb

Bismilah, vessalatu uesselamu ala resulilah.

Sapo ka hyrë muaji i shtatë i kalendarit hënor islam, muaji Rexheb, në këtë muaj kanë ndodhur mjaft ngjarje historike në jetën e Profetit (alejhi salatu ue selam), ku më kryesoret janë: Hixhreti i parë në Abisini, në vitin e pestë të shpalljes hyjnore, vdekja e Ebu Talibit, xhaxhait të Profetit (alejhi salatu ue selam) në vitin e dhjetë të shpalljes hyjnore, vdekja e Nexhashiut, mbretit të Abisinisë që u bë mysliman, lufta e Tebukut etj.

Shumë prej njerëzve besojnë se ky muaj është i shenjtë sepse quhet ndryshe “shehrull-llah” (muaji i Allahut).

Në të vërtetë të gjitha transmetimet që flasin për këtë gjë jo vetëm që janë të dobëta, por janë në kundërshtim me hadithet autentike të Profetit (alejhi salatu ue selam). Imam Muslimi përcjell nga Ebu Hurejre dhe Tirmidhiu nga Aliu se Profeti (alejhi salatu ue selam) na ka treguar se “shehrull-llah” (muaji i Allahut) është quajtur muaji Muharrem dhe jo muaji Rexheb. Gjithashtu agjërimi në Muajin Muharrem është më i vlefshëm se çdo muaj tjetër përveç Ramazanit.

Veç kësaj, shumë njerëz, duke u argumentuar me disa hadithe të pasakta mundohen të veçojnë të enjten e parë të muajit Rexheb me agjërim, ndërsa disa prej tyre kalojnë me adhurim natën e xhumasë së parë të këtij muaji. Ky quhet adhurimi ose namazi i “Lejletul Regaib”. Ata besojnë se kush e fal këtë namaz duke e kaluar natën e xhumasë së parë me adhurime do t’i falen të gjitha gjynahet dhe do të ketë mundësi të bëjë shefaat (tëndërmjetësojë) për 70 vetë Ditën e Gjykimit që ata të mos dënohen me zjarr. Dijetarët islamë kanë sqaruar se të gjitha këto transmetime janë të trilluara dhe të shpikura dhe të veprosh me to është një bidat i urryer. Dihet mirë historikisht që ky bidat është shfaqur rreth 400 vjet pas vdekjes së Profetit (alejhi salatu ue selam).

Në vendin tonë gjithashtu besohet se natën e Regaibit, e ëma e Profetit (alejhi salatu ue selam) arriti të dallonte se ishte shtatzënë me të, fakt ky që nuk provohet me asnjë argument autentik nga hadithet apo historia islame.

Për muajin Rexheb kanë ardhur shumë hadithe të tjera të shpikura, me të cilat gënjehen shumë njerëz që nuk e njohin Sunetin autentik të Profetit (alejhi salatu ue selam). Disa nga hadithet e ndryshme për muajin Rexheb do të veçonim:

- “Në Xhenet është një lumë, i cili quhet Rexheb. Uji i tij është më i bardhë se qumështi dhe më i ëmbël se mjalti. Kush agjëron një ditë nga Rexhebi, do të pijë nga uji i këtij lumi.”

-“Kush kalon me adhurime njërën nga netët e Rexhebit ose agjëron një nga ditët e tij, do ta ushqejë Allahu me frutat e Xhenetit.”

-“Vlera e muajit Rexheb në dallim me muajt e tjerë është si vlera e Kuranit (fjalës sëAllahut) ndaj fjalëve të tjera.”

-“Kush agjëron një ditë të Rexhebit është sikur ka agjëruar gjithë vitin. Kush agjëron shtatëditë nga Rexhebi, i mbyllen atij shtatë dyert e Xhehenemit. Kush agjëron tetë ditë nga Rexhebi, do t’i hapen tetë dyert e Xhenetit. Kush agjëron dhjetë ditë nga Rexhebi, do t’ia pranojë Allahu çdo lutje që do bëjë dhe kush agjëron pesëmbëdhjetë ditë nga Rexhebi, do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”

-“Rexhebi është muaji i Allahut, Shabani është muaji im, kurse Ramazani është muaji i umetit tim.”

-“Rexhepi është një muaj madhështor ku shpërblimi i veprave të mira shumëfishohet. Kush agjëron një ditë nga Rexhebi do t’i llogaritet sikur të ketë agjëruar të gjithë vitin.”

-“Shtojeni kërkimin e faljes nga Allahu në muajin Rexheb sepse Allahu ka bërë të mundur që në çdo moment brenda këtij muaji të çlirojë nga zjarri shumë njerëz që e meritojnë atë.”

Këto transmetime që përmendëm dhe të ashtuquajturat hadithe që flasin për vlerën dhe mirësinë e muajit Rexheb janë të shpikura, shumë prej këtyre haditheve të sajuara për muajin Rexheb janë sqaruar me detaje nga dijetarë të mëdhenj të hadithit, njëri prej tyre është edhe Ibn Haxher el-Askelani në librin e tij të shkruar posaçërisht për këtë gjë me titullin "Sqarimi i çudirave që thuhen për vlerën e muajit Rexheb" (Tebjin el-axheb fi fadail shehri Rexheb). Për këtë arsye nuk kemi asnjë argument që tregon se vlera e muajit Rexheb është më e madhe se muajt e tjerë të kalendarit hënor. Duhet të rikujtojmë besimtarëve se adhurimet në fenë islame bëhen ashtu siç na ka mësuar Allahu i Madhëruar dhe i Dërguari i Tij Muhamedi (alejhi salatu ue selam) dhe jo sipas mendimit, dëshirës apo traditës së njerëzve, sepse siç na ka treguar Profeti (alejhissalatu uesselam) çdo risi në fe të çon në humbje.

Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Njerëzit e fundit të këtij umeti do tërregullohen vetëm duke ndjekur të njëjtën rrugë që kanë ndjekur edhe të parët e tij.”

Ndërsa Abdullah Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “Çdo bidat është nëhumbje (dalalet) edhe sikur njerëzit ta shohin atë si të mirë.”

 

Përgatiti: Mustafa Tërniqi