“Dije se s’ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) pos All-llahut...”
Kështu na thotë Krijuesi ynë Madhështor në Kur’anin fisnik, në Suren Muhammed/47,19.
Kjo na bën të kuptojmë, se nuk është rastësisht shtylla e parë e Islamit Shahadeti dhe tek pas tij namazi, kështu që nëse ne nuk e themi atë me plot dije dhe bindje, atëherë edhe namazi dhe çdo adhurim tjetër është i kotë dhe i pavlerë.
Gjithashtu nuk është e rastësishme, që shpallja e parë që i është zbritur Muhammedit as. është:
“IKRA BISMI RAB-BIKEL-LEDHI HALEK”
„Lexo/mëso me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).“ – Kur’an 96,1
Më tutje në Kur’anin fisnik All-llahu Bujar na drejtohet kështu
41,53: Ne do t'ua bëjmë atyre të mundshme që t'i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t'u bëhet e qartë se ai (Kur'ani) është i vërtetë.
51,20-21: Në tokë ka argumente për ata të bindurit; Po edhe në veten tuaj. A nuk jeni kah e shihni?
Pastaj në Suren Mahnitëse Rrahman/55 ku në mënyrë të mrekullueshme paraqiten shenjat e Tij dhe duke na u drejtuar më shumë se 30 herë me të njëjtën fjali pyetësore:
“Cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni”
Unë pikërisht dje e pata një bisedë me një koleg të punës. Ai për fatkeqësinë e tij është jobesimtar, sikur shumica e njerëzve, dhe përderisa unë kur të më nevojitet e marr pauzën me e falë namazin, ndërsa ai e shfrytëzon atë për të ndezë cigaren. Kështu që dje i thashë se do të ishte më mirë për ty sikur të faleshe sikur unë në vend të cigares. Dhe ai ma ktheu se meqë nuk beson edhe nuk e bën atë. Unë ia ktheva se krejt këto shenja mahnitëse të All-llahut që na rrethojnë a mund të jenë rastësi? Si që psh. toka jonë sikur të ishte vetëm pak më afër diellit do të digjeshim dhe sikur të ishte pak më larg tij do të ngriheshim nga të ftohtit. Pastaj që toka e hëna sillen në binarët e tyre, diellit që nuk shuhet kurrë se mija-miliarda vite, që i kemi stinët, natën, ditën, e kështu me radhë dhe ai ma ktheu se me të vërtetë diçka duhet të ketë atje lart!
E kush është Ai atje lart pos All-llahut Madhështor, që i ka krijuar krejt këto mrekulli?!
Ky njeri, si dhe shumë të tjerë jetojnë në padijeni të thellë për argumentet e All-llahut dhe për këtë vetë janë fajtorë. Madje edhe gjermanët e kanë një shprehje, që është parim islam, e që thonë se “padijenia nuk të mbron nga dënimi”.
Këta njerëz jetojnë në errësirën e djallit të mallkuar drejt Xhehennemit të sigurt, në atë mënyrë që Ai i përshkruan kështu në Kur’an:
7,179: Ne krijuam shumë nga xhindet e njerëzit për Xhehennem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, madje edhe më të humbur, të tillët janë ata të marrët.
Kështu që ne kur do të dalim para Tij, në ditën e gjykimit, askush nuk do të mund të shfajësohet, se nuk e ka ditur se Ai ekziston, apo se duhet të falim namazin, e kështu me radhë dhe këtë më së miri e dëshmon vargu i mëposhtëm Kur’anor:
7,172: Përkujto kur Zoti yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri dëshmues të vetes së tyre (duke u thënë): “A nuk jam Zoti juaj?” Ata thanë: “Po, dëshmuam!”. Kështu që të mos thoni në ditën e kiametit: “Ne nuk e dinim këtë”.
E tërë kjo duhet të na bëjë të kuptojmë se kurrë nuk guxojmë të themi se dimë mjaft për fenë e All-llahut të Lartësuar dhe rrugën që na dërgon tek Ai, por se duhet për çdo ditë deri në frymën e fundit të hulumtojmë e gjurmojmë më tutje në këtë rrugë.
Në lidhje me dijen, All-llahu i Gjithëpushtetshëm na thotë edhe këto gjëra në Kur’an:
20,114: ... O Zoti im shtoma dijeninë.
51,10-11: Mallkuar qofshin gënjeshtarët; të cilët janë të zhytur në padije dhe të shkujdesur (ndaj ditës së gjykimit).
Pastaj ...
3,7: ... Të gjitha këto vargje të qarta e dykuptimëshe të Kur’anit janë nga Zoti ynë. Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.
3,190: Në krijimin e qiejve dhe të tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët.
29,43: Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton kush pos dijetarëve.
58,11: ... All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri...
Kështu që, gjithsecili nga ne, hadithin e Muhammedit a.s. “Çdo kush që thotë la ilahe il-laLlah (shehadetin) do të hyjë në Xhenet” duhet ta kuptojë saktë, sepse nëse nuk bëhet ai shehadet me dije, bindje dhe sinqeritet të plotë, natyrisht edhe duke i zbatuar ato që vijnë pas Shehadetit, atëherë për atë njeri nuk do të ketë ndihmës në Ditën e Gjykimit.
Dhe për fund.
Po e shohim se në çfarë gjendje të prapambetur është sot bota islame, përderisa perëndimi jobesimtar ka përparuar aq shumë. Kjo nuk është se Islami ka faj, por se muslimanët të dhënë pas dunjasë e kanë lënë pas dore dijen, kështu që në vendet muslimane ka muslimanë por se jetohet pak me Islam, përderisa në vendet perëndimore ka pak muslimanë por se shumë parime Islame, si drejtësia, barazia, korrektësia në punë, e kështu me radhë.
Kur dikur muslimanët përparonin me dije nga Kur’ani e Suneti Islami ishte në hov të madh përparimtar, madje në Andaluzi, në Spanjën e sotme, e cila pothuajse e tëra ishte shtet musliman për mëse shtatë shekuj (shek. 7-14) përderisa kishte natën rrugë të ndriçuara dhe kanalizim, perëndimi i krishterë ishte i zhytur në baltë/lloç të padijenisë për çdo gjë.
Prandaj, le ta kërkojmë dijet drejt Xhennetit, por se edhe duke përfituar dhuntitë e All-llahut Bujar edhe në dunja, meqë kush e kërkon dijen patjetër se edhe e gjen atë dhe kështu Ai ta shton devotshmërinë dhe ta bën zemrën shkëmb mbrojtës ndaj çdo djalli të mallkuar, kështu që toka e qiejt me u shkatërruar ajo nuk ndryshon. Për këtë shiko edhe vargjet e fundit Kur’anore për këtë herë:
19,76: E All-llahu ua shton besimin atyre që u udhëzuan ....
8,2-4: Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të cilëve kur përmendet All-llahu u rrëqethen zemrat e tyre, e të cilëve kur u lexohen shpalljet e Tij u shtohet besimi, dhe që janë të mbështetur vetëm te Zoti i tyre; Dhe, të cilët falin (rregullisht) namazin dhe nga ajo, me çka Ne i furnizuam, ata japin; Të tillët janë besimtarë të vërtetë dhe për këtë kanë vende të larta te Zoti i tyre, kanë falje dhe kanë furnizim në mënyrë të ndershme.
Paqja, mëshira dhe bekimi i All-llahut Madhështor qofshin me juve!
Burim Sogojeva