Pasojat e mëkateve

Nuk ka peshë më të rëndë për supet, më të vështirë për shpirtin e më të madhe për zemrën se bartja e gjynaheve ndaj Allahut të Lartësuar. Allahu na ruajttë prej mëkateve!

Nuk ka mundësi që të bartë ndokush, qoftë ai mashkull apo femër, diçka më të dëmshme për të se gjynahet e tij ngase gjynahet janë fatkeqësi dhe u sjellin fatkeqësi të zotëve të tyre. Allahu nuk ka lidhje farefisnore me askënd dhe bërja e gjynaheve të shumta e mosbindja ndaj urdhrave të Allahut të Lartësuar janë shkaktarë që Allahu i Madhëruar t'i dënojë robërit e Tij, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran: "Kur ata nxitën hidhërimin Tonë, Ne iu hakmorëm atyre dhe i përmbytëm të gjithë. Dhe i bëmë ata shembull e përvojë për të tjerët." (Sure Zuhruf: 55-56)

Si dhe ajetet: "(I shkatërruam) Edhe Adin e Themudin, e vendbanimet e tyre janë të qarta për ju. Djalli ua pat zbukuruar veprat e tyre dhe i ka shmangur nga e vërteta, edhe pse e shihnin atë. Edhe Karunin, faronin dhe Hamanin. Atyre Musai u solli fakte por ata treguan mendjemadhësi, ndaj nuk mundën t'i shpëtojnë dënimit.  Secilin prej tyre e kemi dënuar për shkak të mëkatit të vet; disa prej tyre Ne i goditëm me furtunë plot rërë, disa i shkatërruam me krismë nga qielli, kurse disa të tjerë i sharruam në tokë dhe disa i përmbytëm në ujë. Allahu nuk u bëri atyre ndonjë të padrejtë, por ata vetes së tyre i bënë padrejtë." (Suretu Ankebut: 38-40)

E ajo çka Allahu i Mëshirshëm ua fal robërve të Tij është shumë më shumë sesa i dënon.

Asnjëri prej nesh nuk është pa mëkate, i bartin ato e na vendosen në Ditën e Kiametit në peshore para Allahut, i Cili i di të gjitha fshehtësirat.

O Allahu ynë, nuk jemi pa mëkate, prandaj kërkojmë falje e nuk jemi të fortë që të fitojmë, por (la havle ve la kuwete ila bik) nuk ka ndërrim prej gjendjes së keqe në të mirë e as vajtje mbarë të punëve vetëm se me ndihmën Tënde, o Allah!

O Allahu ynë, sikurse na i ke mbuluar mëkatet tona në këtë botë, na i fal ato ne kur të të takojmë!

Brengosja e njeriut për mëkatet e tij është shkaku më i madh me të cilin i falen mëkatet, sprova më e rëndë me çka e sprovon Allahu i Lartësuar robin e Tij pas ngurtësimit të zemrës është se ai nuk është i vetëdijshëm se bart mëkate. E për këtë ka thënë djali i Nuhut alejhi selam, kur i tha babai i tij: "O biri im, eja me ne", e ai i tha: "Unë do të ngrihem lart në kodër e do të mbrohem nga tufani", duke menduar se ishte vetëm një vërshim i thjeshtë uji, duke mos e ditur se ishte një hakmarrje prej Allahut të Madhëruar . Duke pasur këtë parasysh, muslimani gjithmonë qëndron me frikë prej Allahut të Madhëruar sepse Pejgamberi më i mirë dhe i Dërguari mëshirë për gjithë njerëzimin i shihte retë që po vinin të bashkuara, nga frika se ishte dënim humbte kontrollin dhe hynte e dilte shpejt në shtëpi, i ndryshonte fytyra prej frikës së madhe prej Allahut të Madhëruar, edhe pse Allahu i Madhëruar e kishte përgëzuar më herët duke i thënë: "Po Allahu nuk do t'i dënojë ata derisa ti (Muhamed) je në mesin e tyre dhe Allahu nuk do t'i dënojë derisa ata kërkojnë falje (istigfar)." )Sure Enfal: 33)

Megjithatë ai hynte e dilte në shtëpi shpejt nga frika e madhe se mos ishte dënim nga Allahu i Madhëruar. Ruana o Zot, ka njerëz sot që udhëtojnë në det, në ajër e në tokë në rreziqe të shumta, por ndodh që frikësohet prej gjërave të thjeshta por kurrë nuk i shkon ndër mend se Allahu i Madhëruar ka mundësi që ta dënojë shpejt.

Allahu i Madhëruar nuk ia bashkon njeriut dy siguri e as dy frika e kush ia ka frikën Allahut të Madhëruar në këtë botë, do ta sigurojë atë në botën tjetër e kush nuk i frikësohet në këtë botë, do ta frikësojë atë Ditën e Kiametit.

Allahu i Lartësuar na bëftë prej atyre që nuk kanë as frikë e as nuk dëshpërohen atë ditë!

 

Nga dijetari: Salih Megamisi

Përktheu: Hevzi Kadriu

Klubikulturor.com