Rregullat e pastërtisë

Rregullat e ujërave

Uji ndahet në dy lloje:

1. I pastër, që në arabisht quhet “tahur”.

Ujë i pastër quhet uji i cili nuk i ka ndryshuar vetitë e tija, siç është uji i shiut, i deteve, i lumenjve, i krojeve, etj.

2. I papastër, që në arabisht quhet “nexhis”.

Ujë i papastër quhet uji që ka ndryshuar ngjyrën, shijen ose aromën, për shkak të ndonjë ndyrësie që ka rënë në të, siç janë ujërat e zeza.

Pastrimi nga ndyrësia

Pastrimi nga ndyrësia bëhet me çdo gjë që e heq atë, siç janë uji dhe të gjitha elementet bashkëkohore për pastrim, siç është pastrimi i rrobave me avull.

Përdorimi i enëve

Lejohet të përdoren të gjitha enët e pastra për ngrënie, për pirje dhe për pastrim me to, përveç enëve të prodhuara nga floriri a argjendi ose atyre që janë të lyera me to.

Rregullat e kryerjes së nevojës

  1. Është sunet që para hyrjes në nevojtore të thuhet “bismil-lah”[1] (me emrin e Allahut), “Allahumme innij euudhu bike min’el-hubuthi ue’l-habaith” (O Allahu im, më ruaj nga të ndyrët dhe të ndyrat), siç përcillet në një hadith se i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, kur shkonte në nevojtore thoshte: “Allahumme innij euudhu bike min’el-hubuthi ue’l-habaith”[2]. I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thoshte gjithashtu: “Mburoja ndërmjet xhinëve dhe auretit (pjesëve të turpshme) të njeriut kur hyn në nevojtore është thënia bismil-lah (me emrin e Allahut)[3]”.
  2. Pëlqehet që në nevojtore të hyhet me këmbën e majtë dhe të dilet nga ajo me të djathtën.
  3. Është sunet që pastrimi (pas kryerjes së nevojës) të bëhet me dorën e majtë, kurse urrehet që kjo të bëhet me të djathtën.
  4. Urrehet mbajtja e organit gjenital me dorën e djathtë gjatë urinimit.
  5. Pëlqehet të lahet mirë dora pas pastrimit duke përdorur ujë dhe sapun ose të fërkohet me dhe dhe të lahet me ujë.
  6. Është e ndaluar që gjatë kryerjes së nevojës në ndonjë vend të hapur të kthehemi kah kibla a t’ia kthejmë shpinën asaj. Mirëpo, kjo gjë nuk është e ndaluar nëse gjendemi brenda ndërtesave.
  7. Gjithnjë duhet të ruhemi që të mos na bie ndyrësia në rroba a në trup, por nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë jemi të detyruar ta pastrojmë atë, sepse i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Pjesa më e madhe e ndëshkimit në varr ndodh për shkak të urinës” [4].
  8. Po qe se është e mundur që pas kryerjes së nevojës të pastrohemi së pari me letra a me gurë pastaj me ujë, do të ishte më së miri, sepse kjo është mënyra më e mirë e pastrimit. Pastrimi vetëm me letra a me gurë është i lejuar, mirëpo me kusht që të hiqet ndyrësia duke e fshirë atë tri herë ose më shumë se kaq.
  9. Nëse njeriu e kryen nevojën në ndonjë vend të hapur, atëherë është sunet që të shkojë diku, ku nuk mund ta shohë askush, ngase përcillet nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, se “kur dëshironte ta kryente nevojën largohej”[5].
  10. Kryerja e nevojës në rrugë a në vende që i shfrytëzojnë njerëzit për hije është rreptësisht e ndaluar, sepse i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ruajuni dy mallkimeve!” Shokët i thanë: “Cilat janë dy mallkimet, o i Dërguar i Allahut?” I Dërguari u përgjigj: “Ai i cili e kryen nevojën në rrugë të njerëzve a në vende që i shfrytëzojnë për hije”[6].
  11. Hyrja në nevojtore me Mus’haf (Kuran) a me ndonjë libër tjetër fetar është e ndaluar.
  12. Urrehet të hyhet në nevojtore me çdo gjë në të cilën përmendet emri i Allahut, për të madhëruar kështu emrin e Allahut të Lartësuar, mirëpo kur kjo gjë është e nevojshme, për shembull, kur kemi frikë nga vjedhja a humbja e librit apo e fletëve të tij, atëherë hyrja me të nuk është e urryer.
  13. Është sunet që kur dalim nga nevojtorja të themi “gufraneke” (kërkoj faljen Tënde, o Zot), sepse Pejgamberi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thoshte kështu.[7]

 

Marrë nga libri "Et-tuhfe el-islamijje li talibi'l-hidaje er-rabbanijje" të autorëve Ibrahim El-Ued'an, Muhammed El-Ued'an dhe Abdurrahman El-Ued'an

Përktheu: Jusuf Kastrati



[1] Ibën Ebi Shejbe (5), Taberaniu në “El-Euset” (2910), kurse Ibën Haxheri thotë se isnadi i këtij hadithi i përmbush kushtet e Muslimit. Fet’hu’l-Bari (1/244). Albani e cilëson si “sahih” në “Sahih el-xhami’i” (4714). Shih po ashtu: Tirmidhiu (606) dhe Ibën Maxhe (297).

[2] Buhariu (142), Muslimi (375).

[3] Tirmidhiu (606), Ibën Maxhe (298). Albani e cilëson si “sahih” në “Sahih el-xhami’i” (3610).

[4] Ahmedi (2/326), Ibën Maxhe (348). Buhariu e cilëson si “sahih” siç gjendet në librin “el-‘ilel el-kebijr”, fq. 140. Darakutniju (1/128). Albani e cilëson si “sahih” në “Sahih el-xhami’i” (4651).

[5] Ahmedi (3/443), Ebu Davudi (1,2)

[6] Muslimi (269).

[7] Ebu Davudi (30), Tirmidhiu (7). Tirmidhiu e cilëson si hadith “hasen-garijb”. Ebu Hatimi e cilëson si “sahih” (siç gjendet në librin “Bulug’ul-meram”, fq. 39). Neveviu në “El-mexhmu’ë” (2/94).

 


Revista Shembulli