Çështja e shirkut[1] është shumë e madhe, sikurse edhe rreziku i tij që është shumë i madh. Ai nxjerr njeriun nga Islami dhe largon atë nga lumturia. Prandaj, Allahu i Lartësuar ua tërhoqi vërejtjen robërve të Tij nga shirku në mënyrë të qartë, duke sqaruar se nuk e fal atë që bën shirk.
Ai thotë:
إِنَّ اللّهَ لاَ يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَن يَشَاء
S'ka dyshim se Allahu nuk fal t'i përshkruhet Atij shok, e përpos kësaj ia fal kujt të dojë.[2]
Po ashtu, Allahu, në disa ajete tjera, tregon se ia ka ndaluar xhenetin atij që i përshkruan Allahut shok dhe e ka kërcënuar atë me zjarr, duke thënë:
إِنَّهُ مَن يُشْرِكْ بِاللّهِ فَقَدْ حَرَّمَ اللّهُ عَلَيهِ الْجَنَّةَ وَمَأْوَاهُ النَّارُ وَمَا لِلظَّالِمِينَ مِنْ أَنصَارٍ
Vërtet, ai që i përshkruan Zotit shok, Allahu ia ka ndaluar atij xhenetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.[3]
Ndërsa, Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) tregon se ai që vdes duke i përshkruar Allahut shokë në lutje hyn në zjarr. Ai thotë: "Ai që vdes duke lutur dikë tjetër pos Allahut hyn në zjarr."[4]
Madje, edhe i dashuri dhe miku i Allahut, Ibrahimi (alejhis-selam!) kishte frikë për veten dhe bijtë e tij nga shirku. Andaj, kërkoi nga Allahu që ta ruajë atë dhe bijtë e tij nga shirku. Allahu i Lartësuar, duke rrëfyer për të thotë:
وَاجْنُبْنِي وَبَنِيَّ أَن نَّعْبُدَ الأَصْنَامَ
...dhe më mbroj mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.[5]
Llojet e shirkut
Shirku ndahet në dy lloje: në shirk të madh dhe në shirk të vogël.
Shirkui madh është përshkrimi dikujt tjetër pos Allahut diçka që është e veçantë për Të, siç është therja e kurbanit, rënia në sexhde, duaja (lutja), etj.
Kurse, shirku i vogël është ai që në Kur’an dhe sunnet është quajtur shirk, por nuk e ka arritur shkallën e shirkut të madh, sikurse thënia "çfarë do Allahu dhe ti", syfaqësia e pakët, betimi në dikë tjetër pos Allahut, etj.
Dallimi ndërmjet shirkut të madh dhe atij të vogël
1. Shirku i madh rrënon të gjitha veprat, kurse shirku i vogël rrënon vetëm veprat që i shoqëron ai.
2. Shirku i madh shkakton që bërësi i tij të mbetet përherë në zjarr, ndërsa shirku i vogël nuk obligon një gjë të tillë.
3. Shirku i madh e nxjerr bërësin e tij nga feja, ndërsa i vogli jo.
Por, Sido që të jetë, muslimani duhet të largohet nga shirku, qoftë i madh apo i vogël dhe të ruhet prej tij në përgjithësi.
O Allahu im, kërkoj mbrojtje tek Ti nga shirku që e di dhe kërkoj falje për mëkatin që nuk e di.
Pyetje
1. Cili është dallimi ndërmjet shirkut të madh dhe atij të vogël?
2. Sill një shembull për shirkun e vogël!
3. Çfarë dispozite ka të rënit në sexhde dikujt tjetër pos Allahut?
4. Cili është dënimi për atë që bën shirk Ditën e Gjykimit?
5. Sill argument për këtë që thua!
6. Pse Allahu ua tërhoqi vërejtjen robërve të Tij nga shirku?
7. A e nxjerr shirku i vogël njeriun nga Islami?
Përktheu: Jusuf Kastrati
Marrë nga libri: "Et-Teuhid" - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.